Elbasani forcon sulmin me lojtarin senegalez, Gvozdenoviç bën planin anti-Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2025 | 12:03

Elbasani forcon sulmin me lojtarin senegalez, Gvozdenoviç bën planin anti-Vllaznia

Elbasani bën një tjetër përforcim, edhe pse merkatoja e dimrit ka kohë që është mbyllur zyrtarisht.elbasani vllaznia“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se verdheblutë kanë arritur marrëveshjen për afrimin e sulmuesit të krahut të majtë, Ibrahima Dialo. Bëhet fjalë për një 21-vjeçar nga Senegali, që do të vijë tek Elbasani nga radhët e ekipit të vendit të tij, Jaraf. Duket se klubi verdheblu ka lënë vende bosh në listën e federimeve për të marrë lojtarë edhe pas mbylljes së merkatos. Dialo ka luajtur më parë në Francë me skuadrën e Valensien, si dhe në Turqi me Gëztepe. Pozicioni natyral është ai i sulmuesit të majtë, por afrikani mund të luajë edhe në krahun tjetër. Nga sa mësohet, mes drejtuesve të Elbasanit dhe lojtarit është arritur marrëveshja dhe pritet vetëm që senegalezi të mbërrijë në Shqipëri për të bërë prezantimin zyrtar.

Ky do të jetë afrimi i 5- të për elbasanasit në merkaton e dimrit, pas Olberkis, Ibrahim, Xhoel dhe Loukili. Katër afrimet e mëparshme janë integruar menjëherë me skuadrën dhe po aktivizohen si titullarë. Shpresohet që edhe Dialo të jetë në një formë të mirë fizike dhe t’i shërbejë ekipit menjëherë në këtë fazë delikate të kampionatit. Sulmuesit e krahut kanë qenë kërkesa e parë e trajnerit Ivan Gvozdenoviç ndaj drejtuesve të klubit, pasi janë lojtarë që ai i sheh shumë të rëndësishëm për skemat e tij. Dhe tri nga pesë afrimet e bëra nga elbasanasit janë pikërisht sulmues krahu, si Xhoel, Loukili dhe së fundmi Dialo. Bashkë me Lajthinë, bëhen kështu 4 lojtarë me të njëjtat karakteristika, çka i jep mundësinë teknikut të bëjë përzgjedhjet që i duken më të përshtatshme për ndeshje të caktuara.

ANTI VLLAZNIA – Sakaq, skuadra është duke vijuar me përgatitjet në kuadër të ndeshjes me Vllazninë, që luhet nesër në Shkodër. Seancën e djeshme stërvitore trajneri Gvozdenoviç e ka nisur me një analizë, që zgjati afro 45 minuta, ku u diskutua në teori rreth kundërshtarit dhe u evidentuan pikat e tij të dobëta dhe të forta. Më pas skuadra zbriti në fushë për të zhvilluar seancën e radhës. Ra në sy puna e veçantë që po bëhet me lojtarët e fazës ofensive, për mënyrën si duhet shkuar te goli. Gvozdenoviç i ka mëshuar shumë këtij fakti në stërvitje, sepse e sheh si pikën e dobët të skuadrës, që ka lënë shumë pikë rrugës për shkak të problematikës në finalizim. Mungesa e sulmuesit Arsen Lleshi, i cili u dëmtua në ndeshjen me Dinamon, po rezulton një humbje e madhe. Ai ishte sulmuesi më në formë i elbasanasve. Fakt është se që nga momenti i mungesës së këtij sulmuesi, Elbasani nuk ka arritur të fitojë për disa ndeshje me radhë. Golat tani priten nga sulmuesit e tjerë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL