Elbasani, duel për të thyer “mallkimin” shkodran/ Kreu i klasifikimit dhe fundjava, kuqeblutë janë testi real
Këto pesë javë të para mund të thuhet se Elbasani ka pasur një kalendar të vështirë, sepse përballë kanë qenë ekipe që kanë hyrë me pretendime këtë edicion futbollistik. Tre prej tyre kanë qenë pjesë e “Final 4” sezonin e kaluar, si Egnatia kampione, Dinamo dhe Partizani, ndërsa dy të tjerat, Flamurtari dhe Teuta kanë kryer shumë investime këtë merkato vere.

Mirëpo, edhe pse elbasanasit kanë pasur një kalendar të vështirë përpara, në fund ia kanë dalë të marrin atë që kanë kërkuar, duke mos humbur asnjë ndeshje dhe qëndruar për momentin të vetëm në krye të klasifikimit.
Duket se kundërshtari i radhës, Vllaznia, është pikërisht skuadra që mund të masë forcën reale të ekipit të Ivan Gvozdenoviç, duke qenë se është ekipi më i afërt i tyre me vetëm një pikë larg. Nëse kalohet me sukses edhe kjo transfertë, rruga për të qenë në krye të paktën deri në mbyllje të fazës së parë duket e shtruar.
RIVALËT – Ky sezon duket ndryshe. Kjo të paktën duket nga rezultatet e marra në fushë. Vitin e kaluar, verdheblutë luftuan deri në fund për të zënë një vend në “Final 4”, por e humbën këtë mundësi në ndeshjen direkte me Partizanin. Mirëpo, ajo që vuan më shumë elbasanasit ishte fakti se nuk fitonin dot me rivalët e tyre për katërshen dhe deri në mbyllje të tri fazave të para nuk kishin mundur asnjë nga ekipet e “Final 4”, si Egnatia, Dinamo, Vllaznia dhe Partizani.
Tani, është krejt një tjetër panoramë. Duket se ekipi i drejtuar nga Ivan Gvozdenoviç e ka vrarë përfundimisht frikën e përballjes dhe fitoreve me rivalët. Me tre prej tyre verdheblutë janë ndeshur këtë sezon, ku kanë fituar dy, me Dinamon dhe Partizanin dhe barazuar një me kampionët e Egnatias. Për të plotësuar “hakmarjen” mbetet vetëm të fitojnë me Vllazninë këtë fundjavë në Shkodër, duke mos e pasur më ndjenjën e inferioritetit karshi rivalëve të saj.
MALLKIMI SHKODRAN – Para nisjes së këtij sezoni, verdheblutë do të përballeshin në elitë me disa skuadra që nuk i kishin mundur dot asnjëherë. Bëhej fjalë për Dinamon, Flamurtarin dhe Vllazninë, teksa në përballjet mes tyre nuk kishin shkuar dot asnjëherë më shumë sesa barazimi apo më keq humbja.
Me dy të parat e thyen këtë mallkim, tani i mbetet vetëm Vllaznia për t’i mposhtur. Mes kupës dhe kampionatit janë përballur gjashtë herë me shkodranët, me një bilanc prej katër humbjesh dhe vetëm dy barazimesh, mes të cilave edhe një eleminim nga çerekfinalja e kupës së Shqipërisë.
Tani, fitorja ndaj shkodranëve do të kishte vlera të shumëfishta: së pari, do ruanin vendin e parë dhe do linin një rival direkt mbrapa. Së dyti, do mundnin ekipin që i ka mbetur ende nga “Final 4” e vitit të kaluar pa mposhtur dhe e treta, nuk do kishin më asnjë skuadër në elitë që nuk do ta kishin mposhtur.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













