Elbasani do parakalimin para përballjes me Partizanin, verdheblutë shpresojnë te gabimi i të kuqve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2025 | 22:44

Elbasani do parakalimin para përballjes me Partizanin, verdheblutë shpresojnë te gabimi i të kuqve

Fitorja e fundit ndaj Egnatias në transfertë, ishte pikërisht ndeshja që në njëfarë mënyre tregoi se Elbasani e ka seriozisht sa i përket një vendi në “Final 4”. Verdheblutë nuk kanë qenë asnjëherë më afër sesa tani këtij pozicioni që në fund të jep mundësinë të luftosh edhe për titullin kampion.

elbasani partizani

Vazhdimisht, elbasanasit e kanë parë në distancë vendin e katërt, por pa pasur asnjëherë mundësinë që ta prekin realisht atë, duke shkuar në një pikë që shpresat t’i veniteshin thuajse fare. Mirëpo, ndryshe nga sa ndodhte më herët, kur fatet për të zënë këtë pozicion ishin në dorë të të tjerëve, tani është vetë Elbasani që mund ta vendosë atë.

KALENDARI – Çdo ndeshje në fund është “zjarr” dhe të gjitha ekipet kanë arsye për të tentuar fitoren. Mirëpo, duket se verdheblutë kanë një kalendar disi më të “zbutur” dhe në letër kanë të gjitha shanset që të dalin me maksimumin. Dy ndeshjet e radhës, verdheblutë do t’i luajnë në shtëpinë e tyre, përballë Bylisit dhe Vllaznisë.

Duele të forta, por faktori fushë në këtë rast shihet si një avantazh i lehtë që mund të bëjë diferencën dhe Elbasani pritet ta shfrytëzojë në maksimumin e vet. Në fund, ka edhe sfidën me Partizanin. Diferenca është vetëm një pikë dhe gjithçka duket se do të vendoset në duelin direkt që do të kenë në kryeqytet në javën e fundit. Në situatën aktuale, janë elbasanasit që do të shkonin vetëm për fitore ndaj të kuqve në fund, por shpresohet edhe te ndonjë hap fals i rivalëve, për të përmbysur situatën në përballjen finale.

ECURIA – Ajo që jep shpresë sa i përket mbylljes, është pikërisht ecuria e javëve të fundit. Verdheblutë kanë arritur maksimumin e tyre atëherë kur kishin më shumë nevojë. Kanë koleksionuar tri fitore radhazi, si asnjëherë më parë këtë kampionat, ndërsa prej 10 ndeshjesh nuk njohin shijen e humbjes, si asnjë skuadër tjetër.

Shifra këto që ngjallin optimizëm në ekipin e drejtuar nga Ivan Gvozdenoviç, i cili mesa duket ka gjetur “çelësin” e duhur për të dërguar skuadrën tek fitoret. Tani mbetet për t’u parë nëse edhe tri ndeshjet e mbetura do të jenë po në këtë ritëm apo skuadra do të çedojë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL