Elbasani dhe Vllaznia përballen për prestigj, Gvozdenoviç: Dueli i kreut, por jo vendimtar. Kampionati nuk mbaron këtu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2026 | 10:38

Elbasani dhe Vllaznia përballen për prestigj, Gvozdenoviç: Dueli i kreut, por jo vendimtar. Kampionati nuk mbaron këtu

Elbasani sot përballet me një nga sfidat më të rëndësishme të sezonit, në një atmosferë që pritet të jetë elektrizuese në “Elbasan Arena”, ku çdo detaj merr peshë dhe çdo moment mund të ndikojë drejtpërdrejt në fatin e titullit kampion.gvozdenovicNë këtë fazë vendimtare të kampionatit, kur diferencat janë minimale dhe emocionet janë në kulm, çdo ndeshje kthehet në një finale të vërtetë. Përballja e sotme merr një rëndësi edhe më të madhe për shkak të rivalitetit direkt mes dy skuadrave që kryesojnë renditjen dhe që synojnë të mbyllin sezonin në vendin e parë. Me vetëm pak javë të mbetura deri në fund, gabimet nuk lejohen dhe çdo pikë është jetike.

Në këtë kontekst, përballja mes Elbasanit dhe Vllaznisë nuk është thjesht një ndeshje futbolli, por një duel i drejtpërdrejtë për fronin e kampionatit, ku emocionet, presioni dhe dëshira për fitore ndërthuren në maksimum. Verdheblutë luajnë për të mbajtur gjallë ëndrrën për të dalë kampion, por për të shtruar rrugën i duhet patjetër një fitore ndaj shkodranëve, çka do të sillte edhe parakalimin ndaj tyre në krye.

GVOZDENOVIÇ – Në daljen e tij të zakonshme për mediat para ndeshjes, trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, pohon se Elbasani është gati. Ai e konsideron si një ndeshje derbi, por heq presionin nga të tijtë, duke mos e konsideruar vendimtare.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Do ta konsideroja si derbi, pasi bëhet fjalë për ekipet që janë në dy vendet e para. E presim një ndeshje shumë të fortë, por si gjithnjë ne jemi gati për të dhënë maksimumin tonë dhe bërë më të mirën. Ne do të luftojmë fort, për qytetin, për fanellën, për Elbasanin. Një fitore do t’i kënaqte të gjithë. Megjithatë, janë edhe tri javë të tjera pas kësaj dhe është një ndeshje e rëndësishme, por jo vendimtare. Ne do të bëjmë maksimumin tonë, por më pas është fusha ajo që do t’i tregojë të gjitha”, u shpreh fillimisht tekniku i Elbasanit.

TIFOZËT – Interesimi për këtë ndeshje pritet të jetë i madh dhe Gvozdenoviç ka një falënderim për tifozët që i kanë qëndruar gjithnjë pranë. Një fitore ai e kërkon mbi të gjitha edhe për ta.

“Realisht nuk është nevojë për t’i bërë thirrje tifozëve, sepse ata kanë qenë gjithnjë pranë nesh dhe e kemi lojtarin tonë të 12-të. Kam vetëm respekt dhe falënderim për ta dhe suportin që na kanë dhënë. Me Vllazninë, si gjithnjë do të bëjmë të gjithë bashkë një atmosferë të bukur në Elbasan”, mbylli prononcimin e tij për mediat tekniku i skuadrës së Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç.

Elbasani është dy pikë pas Vllaznisë dhe vetëm fitorja i ngjit në krye tri javë para fundit të kampionatit. Gjendja është e mirë në skuadër, ku nuk ka lojtarë të pezulluar dhe as të dëmtuar, përveç dyshes Janaçek – Lulaj, të cilët prej javësh nuk luajnë për shkak dëmtimi.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL