EKSKLUZIVE/ Xhafa analizon garën për titull dhe fundtabelën: Dinamo ka ekip, “Final 4” lë gjithçka të hapur (E PLOTË)
Dinamo e këtij sezoni ka pasur oshilacione të shumta në kampionat, megjithatë ish-sulmuesi i bluve, Fjodor Xhafa është i bindur se skuadra kryeqytetase ka kualitet.

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Xhafa analizoi formën e Dinamos si edhe u ndal edhe te skuadrat e tjera të Superiores. Ai u ndal te Flamurtari dhe forma që kuqezinjtë po kalojnë ndërkohë që Vllazninë e sheh si favorite.
Fjodor, si të është dukur Dinamo e këtij sezoni?
Pak a shumë edhe në fillim të sezonit pati disa oscilacione, por u duk sikur gjeti rrugën e duhur. Megjithatë, nuk ka qenë në lartësinë e asaj që pritej për sa i përket arritjes së objektivave dhe pretendimeve që kanë të gjithë.
Çfarë mendon se ka ndikuar në këtë formë të Dinamos?
Për të ditur gjëra më specifike duhet të jesh më në brendësi të situatës. Por, nga jashtë dhe nga sa kam ndjekur ndeshjet, mendoj se nuk ka qenë shumë agresive në kërkimin dhe arritjen e fitores. Ka qenë më tepër në pritje, me pak fjalë nxitëse, por pa shfaqur agresivitetin e duhur. Dinamo i ka mundësitë, me lojtarët që ka në përbërje, të jetë më agresive dhe më imponuese. Jo vetëm me lojë, sepse lojën e ka, nuk mund të thuhet se nuk e ka, por edhe me agresivitet dhe më shumë forcë karakteri. Ka munguar pak karakteri i duhur në momentet kyçe.
Duke parë diferencën që është krijuar me vendin e parë dhe oshilacionet a mendon se Kupa e shpëton sezonin e Dinamos, apo duke pasur parasysh investimin që është bërë, pritet më shumë?
Normalisht, ky sezon na ka mësuar se ka shumë oscilacione, kështu që ndoshta një periudhë jo fort e mirë mund të pasohet nga një moment pozitiv. Edhe formula e garës ka një element fati brenda. Jo vetëm në Kupë, por edhe në kampionat ka një faktor fati, sepse në fund, nëse arrin në “Final Four”, gjithçka bëhet specifike dhe e hapur. Aty krijohet mundësia që, ndoshta, të arrihen edhe gjëra madhore.
Si e ke parë pjesën tjetër të skuadrave? Luftën për titull, luftën për mbijetesë, si dhe situatën e Tiranës dhe Flamurtarit që janë në fund?
Nga ajo që po shoh, mendoj se ndikon shumë ana psikologjike, si për mirë ashtu edhe për keq në arritjen e objektivave. Euforia ka ndikim të madh, nëse bën tre-katër rezultate të mira radhazi, ajo të mban dhe të shtyn përpara edhe kur nuk je në formën më të mirë. E njëjta gjë ndodh edhe kur rezultatet mungojnë. Krijohet panik te ekipet që luftojnë për mbijetesë, pavarësisht emrit apo lojtarëve që kanë në dispozicion.
Cilat mendon se janë dy skuadrat më të rrezikuara për të rënë?
Të them të drejtën, do të preferoja ta evitoja këtë pyetje. Të gjitha ekipet janë aty në luftë dhe kam pasur lidhje me disa prej tyre, kështu që nuk ma do zemra të veçoj asnjërën. Uroj që secila të arrijë objektivin e saj dhe nuk dua t’i shoh në ato pozita.
Për titullin kampion, nëse do të veçoje një emër, cila skuadër bind?
Normalisht, Vllaznia është ekipi i momentit. Por, siç e përmenda edhe më parë, edhe Vllaznia ka pasur oshilacionet e veta. Është ende herët për përfundime, pasi kanë mbetur rreth dhjetë ndeshje dhe gjithçka mund të ndryshojë, për mirë apo për keq, për të gjitha skuadrat. Ky sezon na ka treguar se, pa përjashtim, të gjitha ekipet kanë pasur luhatje gjatë kampionatit.
Flamurtari është një nga skuadrat që rrezikon të zbresë nga kategoria. Si mund ta shmangë rënien këtë sezon?
Për mua duhet punuar më shumë në aspektin psikologjik. Lojtarët, deri në një pikë, bëjnë mirë, por më pas futen në panik, qoftë për shkak të situatave të lojës apo gabimeve individuale. Është pikërisht ajo që përmenda më sipër: çështje paniku. Duhet punuar shumë në aspektin psikologjik, sepse potenciali ekziston.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













