EKSKLUZIVE/ “Vllaznia ecën ndeshje pas ndeshje”, Çoba: Besa ishte e fortë, ja pse kopjoj Kol Palmerin (E PLOTË)
Ishte protagonist me golin e tij në ndeshjen e fundit kundër Besës në Kupë, duke i siguruar Vllaznisë kalimin e turit.
Fjala është për Mehdi Çobën, i cili nga ndeshja në ndeshje po kthehet shumë i rëndësishëm për formacionin kuqeblu. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai shprehet i gëzuar për kualifikimin, ndërsa vlerëson edhe kavajasit për performancën e tyre. Ndër të tjera mëngjarashi ndalet edhe te pozicioni i mbrojtësit të majtë, ku po aktivizohet së fundmi dhe ndeshja e radhës në transfertë kundër Skënderbeut.
Çoba, konfirmoheni si njeriu i golave të rëndësishëm dhe në ekstrem. I gëzuar për rrjetën e fundit?
Fillimisht jam i gëzuar për fitoren e pastaj për golin. Pasi objektivat personal janë në plan të dytë në krahasim me ekipin. Ishte ndeshje e vështirë dhe në fund kishte rëndësi kualifikimi, pasi objektivat e klubit janë që të bëjmë sa më mirë të jetë e mundur në të dyja kompeticionet.
Ishte Besa në një ditë të mirë apo Vllaznia e “nënvlerësoi” disi?
Absolutisht nuk kemi nënvlerësuar asgjë. Skuadra e ka përgatitur këtë ndeshje si ndaj çdo kundërshtari të Superiores, me seriozitet të plotë. Por edhe Besa ka futbollistë me eksperiencë dhe që dinë të luajnë futboll, prandaj janë në garë për tu ngjitur në Superiore. Nuk besoj se janë poshtë nivelit të skuadrave që kemi pasur përballë edhe në kampionat dhe për këtë duhen vlerësuar.
Po aktivizoheni si mbrojtës i majtë, ndiheni rehat me këtë pozicion?
Çdo futbollist ka dëshirë të luajë dhe pak rëndësi besoj se ka pozicioni. Ashtu edhe në rastin tim, unë do luaj aty ku më kërkon trajneri dhe do të jap maksimumin në çdo ndeshje.
Festën e golit e keni “kopjuar” nga Kol Palmer i Çelsit, ka ndonjë domethënie?
Ngaqë jemi të dy mëngjarashë (qesh). Është një festim që më pëlqen dhe tani e bëj sa herë shënoj, pastaj këtë periudhë ka qenë me të vërtet ftohtë (qesh).
Deri ku mund të shkojë kjo Vllazni? Keni një objektiv konkret?
Objektivi ynë është t’i marrim ndeshjet një e nga një. Të përmirësohemi nga java në javë e të jemi të përgatitur për çdo situatë. Pastaj shohim rrugës se deri ku do të shkojmë.
Fundjava ju gjen në Korçë kundër Skënderbeut. Transfertë e vështirë?
Ne e dimë vështirësinë e kësaj sfide duke pasur parasysh edhe situatën ku ndodhet Skënderbeu. Ata do të kërkojnë medoemos pikët në çdo ndeshje. Por ne do hyjmë në fushë si në çdo duel dhe do të kërkojmë fitoren edhe në ndeshjen e radhës.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













