EKSKLUZIVE/ Vizita e drejtuesve, zbardhen fjalët e presidentit Demi: Te Partizani kam të preferuar ata që…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2025 | 8:29

EKSKLUZIVE/ Vizita e drejtuesve, zbardhen fjalët e presidentit Demi: Te Partizani kam të preferuar ata që…

Ekipi dhe stafi i Partizanit u vizituan dje në drekë nga presidenti Gazment Demi dhe kryetari i bordit Filip Çakuli. Takimi u zhvillua në ambientet e restorantit të hotelit të “Kompleksit Partizani”. WhatsApp Image 2025-08-21 at 02.53.29Si qëllim kishte motivimin e skuadrës para fillimit të kampionatit. Demi u kërkoi lojtarëve të jenë të bashkuar dhe të kenë besim deri në fund të sezonit, ndërsa Çakuli zgjodhi t’i frymëzonte duke iu kujtuar historinë e klubit. “Panorama Sport” iu sjell detaje ekskluzive nga ky takim, i cili ka përcjellë një atmosferë pozitive në kampin e kuq. Fjalën e parë e mori presidenti Demi. Në një bisedë të drejtpërdrejt me lojtarët, presidenti shpjegoi pritshmëritë e tij dhe siguroi mbështetje për të gjithë futbollistët.

“Te Partizani kam të preferuar ata që japin shpirtin në fushë”, u shpreh Demi, duke dërguar një mesazh për të gjithë skuadrën luftarake që pret në fushë. Më pas e bëri edhe më të qartë kërkesën e tij: “Nuk dua të pakënaqur, duhet të kontribuoni ku iu kërkohet”.

Mesazhi i presidentit ishte i qartë. Kushdo që është pjesë e Partizanit, edhe nëse vesh fanellën e kuqe me ekipin B apo me Akademinë, duhet të japë maksimumin. Të kuqtë kanë si model edhe sukseset e sezonit të kaluar me ekipin B dhe trofetë në grupmosha. Puna e përditshme solli rezultate nga ku dolën në pah talente të Akademisë. Ndërkohë, Filip Çakuli, i cili prej disa kohësh është kryetar i bordit drejtues, foli për herë të parë para skuadrës.

Ai e vuri theksin te pesha historike e Partizanit: “Ju nuk jeni thjesht në një skuadër, por në një emblemë”, tha ndër të tjera si për të sjellë dhe një moment reflektimi te futbollistët. Takimi u shoqërua edhe me batuta, duke krijuar një atmosferë pozitive.

Demi kujtoi rolin që po luan Çakuli, në përgatitjen e ambienteve të reja sportive që do ndërtohen në kompleks. Në prag të 80- vjetorit të klubit, projekti do i afrohet përfundimit. Padyshim që kthehet në investimin më të madh, që është bërë ndonjëherë nga një klub privat në Shqipëri.

Në përfundim, Partizani publikoi edhe një njoftim zyrtar ku theksohej: “Presidenti Demi dhe Kryetari i Bordit Çakuli vizitojnë skuadrën përpara nisjes së sezonit. Në prag të fillimit të sezonit të ri futbollistik, Presidenti i Klubit Gazment Demi dhe Kryetari i Bordit Filip Çakuli zhvilluan një vizitë në ambientet e Klubit, ku takuan futbollistët dhe stafin teknik.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti Demi theksoi rëndësinë e unitetit dhe besimit deri në fund: ‘Dua të jemi të bashkuar dhe të besojmë deri në fund. Vetëm kështu mund të arrijmë objektivat që i kemi vendosur vetes”. Nga ana e tij, Kryetari i Bordit Filip Çakuli rikujtoi historinë e lavdishme dhe traditën legjendare të Partizanit, si një burim frymëzimi për skuadrën aktuale. Në mbyllje të takimit, Presidenti Demi përshëndeti lojtarët dhe stafin e drejtuar nga trajneri Mladen Milinkoviç, duke u uruar një sezon të mbarë dhe suksese në sfidën e parë të kampionatit, që do të zhvillohet këtë fundjavë në ‘Arenën e Demave’ ndaj ekipit debutues të Vorës”.

Atmosfera te “demat” është ndezur. Sfida me Vorën, që do të luhet të dielën në orën 20:00, është një moment historik për skuadrën mike, që për herë të parë ngjitet në elitë. Nga të dyja kampet raportohet motivim maksimal për nisjen e kampionatit, duke e bërë ndeshjen e parë të sezonit një test të rëndësishëm për të dyja palët.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL