EKSKLUZIVE/ Vazhdon eksodi te Tirana, 5 titullarë të tjerë e mbyllin me bardheblutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2025 | 22:46

EKSKLUZIVE/ Vazhdon eksodi te Tirana, 5 titullarë të tjerë e mbyllin me bardheblutë

Tirana ka vazhduar largimet nga ekipi këtë sezon, duke vijuar një proces rifreskimi të skuadrës që synon të krijojë një grup më të balancuar dhe konkurrues.

Tirana

Alfred Mensah, Abel Abah, Mahamadu Dembele, Viktor Fernandez dhe Georges Valerianos janë pesë futbollistët më të fundit që kanë lënë bardheblutë. Mësohet se palët kanë rënë dakord për të prishur marrëveshjet që kishin me klubin, duke mundësuar largimin e tyre pa probleme dhe në mënyrë miqësore.

Këto largime vijnë pas një serie kontratash të prishura më parë, ku janë përfshirë lojtarë si Ian Soler, Tsone Patsatsia, Eliton Zhunior, Leon Kozi, Aldi Gjumsi, Ziad Olued dhe Hajrulla Tola. Me këto lëvizje, Tirana duket se po ndjek një strategji të qartë për të përgatitur skuadrën për pjesën e mbetur të sezonit dhe për sfidat europiane që pritet të jenë një sfidë e rëndësishme për klubin.

Drejtuesit e klubit dhe stafi teknik po punojnë për të ndërtuar një grup që do të jetë i përgatitur për të konkurruar në të gjitha frontet. Largimi i lojtarëve që nuk përputhen me projektin sportiv tregon një qasje të vendosur për të pasur një ekip të fokusuar dhe me performancë maksimale. Me këtë proces rifreskimi, Tirana duket se po ndërton një skuadër të rinovuar, me lojtarë të motivuar dhe të gatshëm për të dhënë maksimumin në çdo ndeshje, duke synuar objektiva ambiciozë brenda dhe jashtë vendit.

ALVAREZ- Fredi Alvarez do të veshë fanellën e Tiranës në janar. “Panorama Sport” mëson se bardheblutë kanë bindur mesfushorin, që ishte në dilemë mes tyre dhe Tajlandës. Alvarez mbylli bashkëpunimin me Liberian ku kishte edhe dy vite kontratë. Ky transferim konsiderohet i bujshëm, pasi vlera e lojtarit në fjalë në “transfermarkt” është 800 mijë euro. 30-vjeçari është shpallur dy herë lojtari i vitit në Maqedoninë e Veriut. Alvarez spikaste pikërisht te Shkupi dhe është njohje e vjetër e drejtorit sportiv, Omer Bunjaku.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL