EKSKLUZIVE/ Trajneri kampion me Partizanin, Kolela: “Demat” po vuajnë, por dinë si të ringrihen. Ja për çfarë folëm me presidentin Demin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2025 | 22:13

EKSKLUZIVE/ Trajneri kampion me Partizanin, Kolela: “Demat” po vuajnë, por dinë si të ringrihen. Ja për çfarë folëm me presidentin Demin (E PLOTË)

Xhovani Kolela është trajneri i fundit kampion i Partizanit, me titullin e fituar në sezonin 2022-2023.kolelaItaliani së fundmi vendosi të ndahej me klubin e Trepçës ‘89 në Kosovë, që ishte aventura e parë si kryetrajner, pas ndarjes me Partizanin në verën e vitit 2023. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, trajneri flet për largimin nga Kosova, si dhe për pozitat e Partizanit në Kategorinë Superiore.

Kolela shprehet se të kuqtë po kalojnë një moment vështirësie, që është normale kur të largohen katër titullarë. Megjithatë, sipas tij, Partizani ka lojtarët e duhur për të kaluar këtë moment dhe për të vijuar të jetë pretendent për titullin. Ai pranon edhe se Egnatia për momentin është më e fortë.

Profesor, si qëndron futbolli i Shqipërisë në raport me atë të Kosovës?  Cili është më i zhvilluar?

Për mendimin tim, futbolli në Shqipëri është më i avancuar dhe këtu mendoj se ndikon edhe çështja e historisë dhe traditës.

Së fundmi, vendosët të jepnit dorëheqjen nga Trepça ‘89. Pse e morët këtë vendim?

Situata ishte e tillë që gjërat nuk po shkonin mirë dhe ne vendosëm të përfundonim bashkëpunimin tonë.

E keni ndjekur Partizanin? Mendoni se pas largimeve të janarit, skuadra tani është më e dobët se më parë?

E kam ndjekur me aq sa më janë përshtatur oraret dhe koha. Padyshim që largimet kanë ndikuar. Kur lojtarët e rëndësishëm të skuadrës largohen, vjen një moment vështirësie. Ama, më pas gjenden zgjidhjet dhe rrugëtimi vazhdon.

Si një trajner me eksperiencë, sa e vështirë është kur të largohen katër titullarë? Juve ju shitën Skukën dhe Bitrin…

Po, po. E përsëris, është normale të kenë një moment vështirësie, por më pas mendoj se çdo problem mund të konsiderohet edhe si një mundësi e re për lojtarët dhe klubin.

Egnatia u duk sikur e mposhti Partizanin pa shumë vështirësi. Mendoni se për momentin të kuqtë janë më të dobët se ka mpionët në fuqi?

E them me siguri se në këtë moment Egnatia është një skuadër më solide dhe ka më shumë siguri. Nga ana tjetër, Partizani ka pasur largime, por besoj se skuadra ka burimet e duhura njerëzore për të rikuperuar dhe për ta mbyllur sezonin në mënyrën e duhur.

Pas 36 javësh, në çfarë vendi e shihni Partizanin në renditje? Është favorit kryesor për titullin?

Mund të them vetëm se skuadra është tërësisht në garë për titullin dhe me kalimin e javëve do ta shihni që momenti i vështirë do të ketë kaluar.

Ju keni drejtuar disa nga lojtarët aktualë të Partizanit. Cili prej tyre është rritur më shumë profesionalisht?

Kanë mbetur shumë pak nga skuadra ime. Sembene dhe Preka janë rritur shumë, por jam në pritje të shërimit të Buxhelajt dhe rikthimit të Atanaskoskit. Mendoj se edhe Keko është një burim i madh dhe një lojtar që në të ardhmen mund të bëhet shumë i rëndësishëm.

Kush ka qenë lojtari më i mirë që keni drejtuar te Partizani?

E vështirë të veçoj një, sepse djemtë e mi ishin një ekip i mrekullueshëm, të gjithë.

Trajnerët që ju pasuan te Partizani, nuk arritën të përsërisin suksesin tuaj. Mendoni se klubi nuk pati një qasje si ndaj trajnerit kampion me ju?

Jo, absolutisht nuk mendoj kështu. Presidenti Demi dhe Partizani më kanë trajtuar gjithmonë shumë mirë dhe i falënderoj shumë.

Kemi informacione se ditëve të fundit jeni ulur në tavolinë me presidentin Demi. Ishte takim shoqëror apo për punë?

Prezantova një mik timin me presidentin dhe nuk folëm për futbollin. Partizani tani ka në krye një trajner mjaft të mirë.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL