EKSKLUZIVE/ “Të ndërtohet ekip i fortë, Superiorja kërkon cilësi”, ish-futbollisti Haxhiu: Flamurtari e ka emrin, trajneri të sjell suksesin
Saimir Haxhiu, ish-futbollist vlonjat, mendon se trajneri Karlos Garsia duhet të ndërtojë një Flamurtar të fortë, pasi Superiorja është një garë e vështirë dhe kërkon cilësi të lartë.

Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, ish futbollisti vlonjat, thotë se trajneri spanjoll ka fatin se vjen në një skuadër të mirëinvestuar, që ka emrin dhe do suksesin, ndaj duhet të punojë shumë. Kampionatin e këtij viti e cilëson të fortë dhe me shumë skuadra pretendente për Kupat e Europës. Haxhiu vlerëson edhe investimet në stadium, që do ta vendosin skuadrën në detyrime të mëdha. Ai pohoi se sinjalet e para të këtij Flamurtari do të merren që start në “Elbasan Arena”.
Flamurtari, thuajse i ribërë nga e para. Sa të bind për objektivat?
E vërteta është se duket si një skuadër nga e para nisur nga disa blerje që janë bërë, por mos të harrojmë se nga vjet janë: Kaloshi, Janku, Marku, Pjeshka, Ememe e Oshafi, në mos kam harruar ndonjë tjetër. Trajneri i ri duhet të ndërtojë një Flamurtar të fortë, sepse Superiorja është garë e vështirë dhe kërkon cilësi të lartë.
Ju keni qenë për një trajner vlonjat te Flamurtari. A ke një vlerësim për punën e trajnerit Karlos Garsia dhe çfarë mendoni për atë?
Nuk di shumë për trajnerin, do e vlerësojmë punën e tij kur të shohim skuadrën që do hedh në fushë. Ka fatin që vjen në një skuadër me histori, si dhe nuk i mungon asnjë gjë për të punuar qetësisht.
Pse i keni mëshuar bindjes, që Flamurtari të drejtohet nga vlonjatë?
Nuk kam qenë thjeshtë për një vlonjat se jam lokalist, por se vlonjatët Memushi, Mezani dhe Gerd Haxhiu i bëjnë nder çdo skuadre në kampionatin tonë me dijet e tyre. Kjo për faktin se janë më të azhornuar me kampionatin. Kjo nuk do të thotë se nuk jam për të huaj, djem të rinj që lexojnë përditë dhe punojnë të ngrenë lartë emrin e tyre nëpërmjet kësaj skuadre, që emrin e ka, por do suksesin.
Si mendon se do të jetë kampionati i këtij viti?
E mendoj një kampionat të fortë me shumë skuadra pretendente për Kupat e Europës. Besoj se do ketë garë te fortë. Tashmë skuadrat tona kanë eksperienca në Kupat e Evropës dhe janë të prirura të plotësohen me lojtarë të mirë. Ajo që besoj këtë vit është se do ketë më shumë sportdashës nëpër stadiume. Vjet erdhi Elbasani, sivjet i shtohet Flamurtari, qytete me uri të madhe për futboll të bukur.
Presidenti Sinan Idrizi ka nisur disa investime në stadium, që do të ndryshojnë komplet pamjen. Si e vlerësoni?
Investimet në stadium ishin të nevojshme për një nivel elitar. Skuadra e Superiores meriton impiant Superiore. Pastaj nëse bëhet stadium i ri do na gëzojë të gjithëve sepse e meriton ky qytet. Vetëm se impianti i ri modern e vendos ekipin në detyrime të mëdha, të synojë përfaqësimin në Europë. Këtë e them sa për humor, por është edhe aq e vërtetë.
Në Turqi skuadra zhvilloi tri ndeshje miqësore, ku mori dy barazime dhe një fitore. Si e shikoni situatën?
Ndeshjet miqësore gjatë fazës përgatitore i shërbejnë trajnerit për të parë skuadrën dhe përmirësuar diçka. E kam thënë edhe më lartë, nuk janë tregues real. Në fazë duken të bukura gjërat. Testi është kampionati, ndeshja e parë me Elbasanin. Aty marrim sinjalet dhe flasim.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













