EKSKLUZIVE/ “Superiorja ka dështuar”, analiza e Redi Jupit: Askush s’ia merr dot vendin e katërt Dinamos, rivalët s’kanë nivel
Kampionati shqiptar ka dështuar në lidhje me afrimin e tifozëve në stadiume dhe këtë e thotë një nga figurat që ka kontribuuar jo pak në futbollin shqiptar. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Redi Jupi shprehet se ka shumë mënyrë për ta përmirësuar këtë situatë por në fakt nuk po bëhet.

Ndërkohë, Jupi analizoi edhe kampionatin shqiptar dhe skuadrat e Superiores, duke u ndalur edhe te Dinamos. Për blutë, ish-trajneri shprehet se skuadra ka shumë kualitet por menaxhimi i gabuar nuk e ka nxjerrë në pah kualitetin që ka.
Redi, si po ju duket Superiorja kur është duke u mbyllur faza e tretë?
Kategoria Superiore në këtë sezon ka dështuar (siç ka bërë rregullisht prej vitesh) të arrijë objektivin kryesor, rikthimin e tifozëve në stadiume. Madje, numri i tifozëve është në rënie edhe në qytete që tradicionalisht, apo edhe kur ekipet kanë qenë në liga më të ulëta, kanë pasur prezencë të konsiderueshme në ndeshje. Objektivi kryesor dihet nga të gjithë dhe nuk është përmbushur. Ka mjete të ndryshme për ta arritur, por nuk është as vendi dhe as koha këtu për t’i diskutuar.
Cila është skuadra që të ka bindur deri më tani?
Të vetmet skuadra që janë brenda objektivave teknikë dhe kanë bërë relativisht mirë deri në këtë pikë të sezonit janë: Vllaznia, Egnatia, Elbasani dhe Bylis. Tre të parat janë brenda objektivave dhe, edhe pse me ulje-ngritje, janë në pozicione të mira dhe me pikë relativisht të shumta. Edhe për sa i përket performancave, kanë bërë mirë në pjesën më të madhe të sezonit.
Bylisi, nga ana tjetër (edhe pse është më poshtë në klasifikim), ka bërë mirë në raport me objektivat teknikë dhe me pritshmëritë e fillimit të sezonit. Në fillim ishte projektuar si skuadra pretendente numër një për të rënë nga kategoria, por jo vetëm që është ende në pozita shpëtimi, por ka shitur edhe disa lojtarë duke arkëtuar, pa e prishur fizionominë e skuadrës. Të gjitha skuadrat e tjera kanë dështuar në krahasim me pritshmëritë e fillimit.
Si e ke parë Dinamon e këtij sezoni?
Dinamo e filloi mirë sezonin dhe ishte shpresëdhënëse për të gjithë ambientin dhe tifozët e saj. Por vazhdimi i kampionatit dhe sidomos muajt e fundit kanë qenë zhgënjim i plotë.
Çfarë ka ndikuar që ka pasur kaq shumë oshilacione?
Te Dinamo është e vështirë të japësh një faktor ezaurues sa i përket arsyeve të ecurisë jo të mirë. Duket qartë që situatat dhe përditshmëria nuk po menaxhohen si duhet. Shpresojmë në përmirësimin e situatës, por nuk jam shumë optimist për këtë.

A mendon se merkatoja është bërë mirë nga Dinamo?
Dinamo ka lojtarët më të mirë se çdo ekip tjetër në Superiore. Është një skuadër me shumë kualitete dhe e plotë.
A sheh ndonjë skuadër që mund t’ia marrë “Final 4”?
Nuk besoj se skuadrat që janë mbrapa në renditje mund t’ia marrin vendin e katërt. Nuk janë në nivelin teknik të Dinamos, por duhet të ndryshojë diçka, përndryshe do të mbetet një potencial i pashprehur.
Si e parashikon fundin e sezonit për Dinamon?
Mendoj se Dinamo do të mundohet ta shpëtojë sezonin në Kupë (siç bëri edhe sezonin e kaluar), por personalisht mendoj se çdo gjë përveç titullit kampion do të ishte një sezon i humbur për Dinamon.
ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL













