EKSKLUZIVE/ “Raporti me Demin i shkëlqyer”, drejtori Ibraimi: I dua sfidat, askund si te Partizani (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2026 | 23:58

EKSKLUZIVE/ “Raporti me Demin i shkëlqyer”, drejtori Ibraimi: I dua sfidat, askund si te Partizani (E PLOTË)

Sezoni i Partizanit deri në këtë pikë të sezonit është me shumë ulje dhe ngritje, luhatje këto të cilat padyshim janë ndikuar edhe nga dëmtimet e shumta që kanë vuajtur në këtë sezon të kuqtë.ibraimi

Dhe, pikërisht në lidhje me këtë temë, edhe drejtori sportiv i kryeqytetasve, Agim Ibraimi në një intervistë për Panorama Sport, shprehet se nuk e kishte hasur kurrë më parë në karrierën e tij të gjatë dhe të pasur si futbollist. Ndër të tjera, Ibraimi zbuloi se ajo çfarë e shtyu më tepër drejt Partizanit, ishin sfidat e reja dhe pasioni, veti të cilat Ibraimi i ka kultivuar gjatë karrierës. Ibraimi, shprehet se Partizani është një klub shumë i angazhuar ndërsa vlerësoi trajnerin Oltijon Kërnaja si një punëtor dhe ambicioz të madh për rezultate.

Çfarë të shtyu për t’iu bashkuar Partizanit?

Ajo çfarë më shtyu drejt Partizanit është profesioni dhe pasioni që kam për këtë sport. Qysh prej karrierës si futbollist më kanë pëlqyer sfidat, prandaj jam maksimalisht i angazhuar për të dhënë më të mirën time edhe në këtë sfidë të radhës.

Tani që je në brendësi, cilat janë diferencat mes dy klubeve?

Jam ende në fillimet e mia te Partizani dhe nuk mund të flas për shumë detaje dhe diferenca mes klubeve. Ndoshta për këtë pyetje do të duhet edhe pak kohë. Di të them dhe të theksoj se te Partizani shoh një klub super të organizuar.

Merkato ishte shumë produktive me disa afrime, është tani skuadra e kompletuar?

Me rikthimin e të dëmtuarve, mendoj se do të jemi edhe më shumë të kompletuar. Gjithmonë duke ditur merkaton e dimrit për specifikat që ka, bashkë si staf mendoj se kemi bërë një punë të mirë.

Keni ndonjë peng nga kjo merkato?

Jo, për momentin nuk kemi asnjë peng nga merkato e janarit. Me lojtarët që kemi hyrë në bisedime ia kemi dalë të mbyllim marrëveshjet dhe tashmë i kemi në ekipin tonë.

Nuk kanë munguar ofertat për Dumbia edhe pse i dëmtuar, a është ai lojtari që do të sakrifikohet dhe të mbushë arkat e klubit në verë?

Jo nuk e mendojmë këtë, por nuk është vetëm rasti Dumbia. Një pjesë e mirë e grupit mund t’i mbushë arkat e klubit. Për momentin nuk është ideja jonë kjo, pasi po punojmë të ndërtojmë një bazë me projekt afatgjatë për të pasur sa më shumë suksese në fushë.

Ka bërë përshtypje largimi i Bintsukës, përse kjo zgjedhje?

Ishte më shumë çështje e modulit të lojës dhe duke bashkëbiseduar me stafin teknik, vendosëm që më e mira do të ishte për huazimin e futbollistit.

Si ka qenë marrëdhënia me trajnerin Kërnaja, jeni konsultuar shpesh për merkaton?

Patjetër që po, trajneri Kërnaja është një punëtor i madh dhe ambicioz. Ne jemi këtu që të mbulojmë të gjitha hapësirat dhe kërkesat që trajneri ka.

Ku e shihni skuadrën në fundin e këtij sezoni, a mbetet Kupa i vetmi objektiv?

Emri Partizani të imponon që të jesh në garë për gjithçka. Është klub i madh që kërkon të jesh ambicioz për qëllime të mëdha dhe të luftosh deri në fund pavarësisht situatës.

A keni nisur tashmë të projektoni edhe goditjet e merkatos së verës për të qenë gati dhe më konkurrues për sezonin e ardhshëm?

Ende jo, aktualisht kemi lojtarë të dëmtuar dhe rikthimi i tyre është përforcimi ynë. Megjithatë, jemi në ndjekje për ndonjë opsion që mund të bëjë diferencën në verë.

Marrëdhënia me presidentin Demi dhe a keni një premtim për tifozët?

Marrëdhënie me presidentin Demi është e shkëlqyer. Unë e njihja më parë presidentin Demi dhe kam një raport të veçantë me të. Sa i përket tifozëve, premtimi është që do të ulim kokën të punojmë fort dhe që gjithsecili të japë më të mirën nga vetja. Që prej karrierës si futbollist, kam pasur ego të fitoj madje edhe në ndeshjet miqësore dhe këtë kërkoj edhe tani në rolin e drejtorit.

Situata e dëmtimeve, këtë sezon mund të konsiderohen si një fatkeqësi për Partizanin…

Unë kam një karrierë të konsiderueshme në futboll, por këtë fat të keq dëmtimesh që ka ndodhur këtë sezon te Partizani nuk e kam hasur askund. Keko, Marku, Çipi dhe Sulo, brenda vitit bëjnë ligamentin kroçiat. Martinez thyen dorën, Amos tendinën e “Akilit”, Arafat thyen gishtat në derbi pasi e shkelin, Preka ka 12 javë jashtë, Atanaskoski thyen brinjën. Këto janë gjëra të paparashikuara në futboll. Besoj se situata do të ishte ndryshe me organikën e plotë në dispozicion.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL