Ankesa e trajnerit gjerman në Botëror, ndërrohen rregullat nga FIFA
Organizmi më i lartë i futbollit botëror, FIFA ka përditësuar protokollin para ndeshjeve të Kupës së Botës pas ankesës së trajnerit të Anglisë, Tomas Tuhel, i cili u shpreh i pakënaqur me një situatë që ndodhi para sfidës së luajtur të mërkurën kundër Kroacisë. Anglia e nisi Botërorin me fitore 4-2 falë golave të Kejn (dopietë), Xhud Bellingam dhe Markus Rashford.

Me këtë sukses, Tuhel u bë trajneri i parë i huaj që fiton ndeshjen e parë me Anglinë në një turne madhor. Megjithatë, gjermani nuk ishte plotësisht i kënaqur. Gjatë interpretimit të himnit kombëtar, ai nuk arriti të shihte lojtarët e tij pasi pamja i ishte bllokuar nga një grup i madh fotografësh pranë vijës anësore. “Po i lutem FIFA-s ta ndryshojë pozicionin e fotografëve gjatë himnit kombëtar. Ishte një moment shumë i veçantë për mua dhe nuk munda të shihja asnjë nga lojtarët e mi. Kjo ma prishi disi përvojën,” deklaroi Tuchel pas ndeshjes.
Pas ankesës së tij, FIFA vendosi të ndryshojë udhëzimet zyrtare, duke u dhënë trajnerëve të kombëtareve mundësinë të qëndrojnë në anën e majtë, ose të djathtë të fotografëve gjatë ceremonisë para ndeshjes. Trajneri anglez, po ashtu, dha edhe një përditësim sa i takon gjendjes fizike të Deklan Rajs, i cili u zëvendësua në minutën e 72-të të takimit të fituar dhe u pa duke çaluar teksa largohej nga fusha.
Sipas tij, mesfushori i Arsenal ndjeu shqetësime në pjesën e poshtme të shpinës dhe në zonën e kofshës, ndaj stafi teknik vendosi të mos rrezikonte. “Nuk doja të merrja asnjë rrezik. Deklan më tregoi se kishte shqetësime dhe mendova se ishte momenti i duhur për ta mbrojtur. Shpresoj të mos jetë asgjë serioze”, tregoi trajneri britanik. Vetë Rajs u mundua të qetësojë tifozët pas ndeshjes, duke deklaruar se ndihej mirë, megjithëse pranoi se kishte kohë që po luante me këtë problem fizik.
PANORAMASPORT.AL













