EKSKLUZIVE/ Partizani para misionit në Europë, analiza e Dritan Mehmeti: Ja si i shoh “demat” (E PLOTË)
Dritan Mehmeti drejtoi Partizanin në një periudhë mjaft delikate, pikërisht nga janari i vitit 2022, pasi ishte larguar Ilir Daja. “Demat” ia dolën që me të në krye të siguronin Europën.
Merkatoja e dimrit asokohe rezultoi të ishte e suksesshme. Bitri, Skuka Hadroj, Matondo u afruan dhe të gjithë sollën më pas të ardhura në arkën e Partizanit. Për më tepër që luajtën rol të rëndësishëm në rikthimin e titullit kampion. “Panorama Sport” ka intervistuar trajnerin Mehmeti, që më parë ka punuar me Skënder Gegën. Mehmeti tregon si e sheh Partizanin aktual dhe jo vetëm.
LUHATJET E PARTIZANIT – “Për sa i përket sezonit të mbyllur, Partizani kaloi tranzicion. Që në momentin që kam qenë unë pjesë e Partizanit, ka pasur oferta për lojtarë si Cara, Rrapaj apo Maget. Lojtarë që kërkoheshin gjithë kohës. Vjen një moment që kuptoj drejtuesit, që duhet patjetër këta lojtarë të gjejnë hapësirë tjetër. Lojtarët që kanë gjithë kohës oferta, fillojnë humbin përqendrimin dhe nuk janë më shpirtërisht te fanella. Mendoj se ishin të detyruar për largimet.
Më shqetëson se duhet të ishte mirëmenduar për t’i zëvendësuar këta lojtarë. Kjo është “thembra e Akilit”, kur bëhet fjalë për të krijuar boshtin e një skuadre. Partizani është klub i madh, gjatë gjithë kohës ka qenë aty, por i mungon vetëm stabiliteti dhe krijimi i një cikli, pra një boshti lojtarë që të arrijnë të krijojnë automatizmat dhe veprimet, e të mos ketë shumë hyrje-dalje, që të arrihet një filozofi më largpamëse”.
NEVOJAT NË MERKATO- “Për momentin ekipi ka nevojë në të tria repartet, sidomos duke pasur parasysh një talent si Kote, është nevoja në mesfushë për lider të vërtetë. Nevojë emergjente, edhe pse Partizani pothuajse gjatë gjithë kohës ka pasur dy ekipe. Për momentin, rikthimi i Skukës dhe me sa kam marrë informacion Isgandarli, besoj është në rrugën e duhur.
Një nga pikat kryesore te Partizani është nevoja për mesfushor që di të marrë përsipër, lider në fushë, siç ka qenë një nga zbulimet Matondo. I mungon një lojtar i tillë Partizanit, por është nevoja edhe për numër 10, që të japë finesën dhe fantazinë. Duke pasur parasysh se e kemi të ndërthurur me skuadër të re. Dhe në linjën e krahut të djathtë kemi nevojë për mbrojtës për zëvendësimin e Hadrojt.
Besoj se nëse ia arrin Partizani për 4-5 elementë, skuadra mund të fillojë të krijojë cikël fitues me plan afatgjatë. Partizani prej 10 vitesh është nga skuadrat në nivelet më të larta, me pjesëmarrje në Europë, dhe vitet e fundit ka arritur të ketë shitjet më të mëdha si klub. Kjo është nga pikat e forta, që ka ditur Partizani të menaxhojë, por i del për detyrë që të krijojë grup tjetër fitues që e meritojnë fanellën”.
NDRYSHIMI I TRAJNERËVE TE PARTIZANI – “Për sa i përket Partizanit, trajnerët duhet ta dinë shumë mirë kë klub përfaqësojnë. Dhe duhet patjetër të kuptojmë se trajnerët janë kalimtarë te Partizani. Partizani është familje e madhe. Trajneri është nga faktorët kryesorë që duhet të nisë cikli dhe duhet t’i besohet trajnerit me plan afatgjatë.
Jo vetëm te Partizani, por të gjitha skuadrat kur kanë ndryshime të shpeshta të trajnerëve nuk shkojnë drejt suksesit. Çdo trajner do kohën e vet, për të arritur të shpalosë filozofinë e tij. Futbolli në tërësi duhet strategji e mirëmenduar për t’i dhënë besimin dhe për të gjetur trajnerin e duhur që i përshtatet filozofisë së skuadrës së Partizanit”.
KONTINGJENTI I PARTIZANIT PARA EUROPËS – “Shoh se Partizani është një familje e madhe dhe punohet shumë fort për të mirën e klubit, duke filluar nga pjesa drejtuese dhe deri tek Akademia. Shoh aspekt pozitiv edhe me rikthimin e trajnerit Gega, që po punohet për plan afatgjatë. Duke parë edhe lëvizjet e fundit, shpresoj të jenë të duhurat për të filluar një cikël. Për sa i përket Europës, duhet të merret sa më shumë të jetë mundur, por mendoj se puna më e mirë do të jetë pas një viti.
Nëse do konturohet skuadra dhe do të jetë e plotësuar në të gjitha pozicionet me komponentët e futbollit, duhet të kemi pritshmëri që jo vetëm duhet kaluar patjetër të paktën një tur, por duhet punuar që vitin tjetër jo vetëm të dalim kampion, por të arrijmë në grupet e Europës. Duke arritur që të bëjmë hapa të vegjël, por të sigurt, sidomos në përzgjedhjen e elementeve. Dhe lojtarë që i përshtaten kësaj filozofie, pra, emrit të Partizanit”.
JANARI 2022 SI SHEMBULL SUKSESI PËR MERKATON – “Kam qenë pjesë e Partizanit prej 4 vitesh e gjysmë. Kur mora ekipin e parë, ka qenë bashkëpunim i frytshëm me drejtorin Rama. Skuadra në dy fazat e para nuk ishte aty ku pritej dhe si ishte ndërtuar skuadra. E rikujtoj dhe falënderoj presidentin Demi dhe drejtorin për mundësinë që më dhanë mundësinë të drejtoj Partizanin. Ka qenë nga periudhat më të vështira, por edhe më të bukura të karrierës sime. Kemi ndërtuar skuadër në janar me vështirësinë për të gjetur elementet e duhur. Skuadra nuk ishte në pritshmëri, si rrallëherë e parafundit në renditje.
Drejtori në atë kohë ka qenë vendimmarrësi për të gjithë lëvizjet që kemi bërë. Spikatëm dhe morëm në skuadër Skukën. Duke pasur parasysh se Dinamo e largoi si të panevojshëm, kam kontaktuar bashkë me drejtorin dhe realizuam kontratën me Skukën. Bashkë me drejtorin kishim besimin për Skukën, element që e ndiqnim prej kohësh. Doja ta merrja te Partizani B ku isha trajner më përpara, për të qenë afër skuadrës. Kisha besim tek ai dhe na e shpërbleu.
Një nga faktorët që bëri diferencën ishte pozicionimi në fushë. Duke luajtur si numër 9 tipik, Skuka jep më të mirën e tij. Këtu është për t’u përmendur edhe marrja e Hadrojt, që vinte nga Bylisi në Kategorinë e Parë dhe u përshtat me filozofinë e Partizanit dhe arriti të bëhet pjesëtar i ekipit kombëtar. Lëvizje me insistim nga unë ka qenë edhe rikthimi i Bitrit te Partizani. Goditje ka qenë edhe Matondo, që ishte me mjaft cilësi dhe bënte diferencën, kisha besim. Arritëm të merrnim 4-5 elementë duke iu përshtatur edhe pjesës tjetër. U arrit të formohej skuadër me personalitet dhe të krijohej skuadër për të filluar cikël fitues. Nga situatë e vështirë, arritëm Europën dhe baza e krijuar në janar jo vetëm që arriti në Europë, por edhe drejt titullit kampion një vit më vonë.
Aty duhet të fillonte cikël fitues dhe patjetër të mos ndërpritej kjo rrugë, por të menaxhoheshin më mirë elementet. Nëse do arrihen të gjithë të jenë në një mendim të përbashkët për mënyrën e menaxhimit të Partizanit, sidomos për lojtarët që i përshtaten skuadrës, atëherë klubi do shkojë ku e presin të gjithë. Klubit nuk i mungon asgjë, një president që shpenzon miliona euro, një kompleks nga më modernët në Shqipëri. Duhet vetëm bashkëpunim dhe dëshirë e mirë për ta dërguar Partizanin aty ku e meriton”.
NIVELI I SUPERIORES – “Kemi regres për sa i përket cilësisë. Pra, kemi rivalitet të jashtëzakonshëm, por duke qenë që nuk ka shumë cilësi, kemi edhe rivalitet, ku skuadrat nuk bëjnë dot diferencës. Vetëm Egnatia që ka krijuar ciklin e saj, por të gjithë të tjerët kanë pasur oshilacione, për mënyrën si kanë menaxhuar gjithë vitin dhe merkaton.
Vetëm Partizanit iu larguan Cara, Rrapaj, Hadroj dhe Mba. Do të thotë se nuk ka humbur vetëm cilësia e Partizanit, por gjithë Superiores. Kjo bën që të bie cilësia dhe të ketë konkurrencë. Për këtë vuan Superiorja, nuk kemi skuadra që të dominojnë në të gjithë aspektet dhe të kenë vazhdimësi. Kemi parë skuadra që gjatë gjithë kohës kanë pasur oshilacione në performancën e tyre”.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













