EKSKLUZIVE/ Ofertë nga Ukraina, Partizani mund të shesë mesfushorin e rëndësishëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2026 | 22:09

EKSKLUZIVE/ Ofertë nga Ukraina, Partizani mund të shesë mesfushorin e rëndësishëm

Një nga lojtarët që ka spikatur në këtë sezon te Partizani është Arafat Dumbia. Mesfushori që mbërriti në merkaton e verës te kryeqytetasit nga klubi algjerian i Belouizdad, la një përshtypje pozitive që në start. Edhe pse aventura e tij me të kuqtë nuk nisi në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi 21-vjeçari u dëmtua në ndeshjen e tretë të sezonit ndaj Vllaznisë në transfertë.

DOUMBIA

Gjithsesi, pasi mungoi për tre ndeshjet e radhës, lojtari u kthye në fushë me trajnerin Oltijon Kërnaja që i dhuroi besim duke e aktivizuar si titullar. 21-vjeçari, ia shpërbleu teksa Dumbia mori “frenat” e mesfushës në dorë, deri në momentin kur mbërriti derbi me Tiranën në fazën e dytë të cilin Partizani e fitoi me shifrat 2-0, (Dumbia dhuroi asistin e golit të dytë të shënuar nga Skuka). Një takim që rezultoi fatkeq për lojtarin dhe skuadrën e “Demave të Kuq”.

Kjo pasi mesfushori u dëmtua, dhe aktualisht prej asaj ndeshje të shtatë dhjetorit, Dumbia nuk zbret në fushë duke mbetur në kuotën e dhjetë ndeshjeve me Partizani. Megjithatë, kjo nuk ka penguar që për lojtarin në fjalë të ketë interes në merkato.

“Panorama Sport”, ka mësuar se në klubin e Partizanit ka mbërritur një ofertë nga Ukraina për Dumbia, e cila është duke u vlerësuar edhe pse dëshira është që lojtari të qëndrojë dhe të shfaqë edhe më tepër cilësitë e pastaj në merkaton e verës mund të merren më tepër në konsideratë edhe ofertat që do të mbërrijnë për mesfushorin nga Bregu i Fildishtë. Aktualisht, sipas sajtit të specializuar “transfermarkt”, vlera e Dumbia në treg e përditësuar më datë 31 dhjetor 2025, është 300 mijë euro.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL