EKSKLUZIVE/ “Numri i të huajve po dëmton akademitë”, ish-kapiteni Pisha analizon Superioren: Dinamo po më bind, e shoh për titull (E PLOTË)
Ish-kapiteni i Dinamos, Arjan Pisha ka besim se Dinamo është pretendentja kryesore për titullin kampion në Shqipëri, pavarësisht se nuk e ka nisur mirë kampionatin. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Pisha analizoi Superioren pas 3 javëve të para, teksa u ndal edhe te rregullorja e të huajve, që lejon klubet t’i kenë pa limit.
Sezoni i ri në Superiore. Si të është dukur në këto javë të para?
Janë 3 javët e para dhe me këto ndeshje që kemi parë nuk mund të përcaktosh skuadra të forta e të dobëta. Pak a shumë skuadrat janë të ngjeshura aty. Duhet të kalojnë edhe 3-4 javë të tjera për të parë se cila do të dominojë.
Me kaq sa keni parë, a ka një skuadër qe po ju bind?
Dinamon e kam parë në çdo ndeshje sepse jam tifoz dhe kohën më të bukur e të gjatë e kam luajtur me atë ekip. Dinamo më ka bindur të them të drejtën por me ikjen e Zabërgjës e Mandelës, i ka hapur një gropë në sulm.
Dinamo e nisi mirë, por dy humbje radhazi…
Po e vërtetë që ë nisi mirë por e kam parë edhe me Elbasanin e Teutën. Në të parën u ndëshkua me të kuq dhe nuk po arrinte do të shënonte sepse kishte një lojtar mangët. U pa që ishte lojë më shumë në mesfushë sesa sulm me gola. Me Durrësin ishte e fortë dhe e ashpër. Një gol që u bë, jo se i vuri vulën por ditën ta mbanin. Por megjithatë, besoj se Dinamo do ngjitet në krye shumë shpejtë.
Me pak fjalë, e sheh Dinamon pretendente për titull?
Po, është pretendente. Ka ekip të mirë dhe normal që i duhet pak kohë për përshtatje atyre lojtarëve që kanë ardhur. Besoj se shumë shpejt do të jenë në krye të renditjes pavarësisht largimeve që kishte dhe i përmenda më lart.
Në javët e para kemi parë shumë të huaj. Rregullorja e re a mund të ndikojë në kualitetin e Superiores?
Shiko, ky është mendimi im. Për mua, është e nxituar për të pasur të huaj pa limit ne Superiore. Sido që të jetë, i zbeh dëshirën të rinjve në Shqipëri për t’u karikuar dhe të kenë shpresa për në Superiore. Nuk besoj se e zbeh nivelin e Superiores por duhet qe të shohim nivelin e atyre që vijnë dhe shpresoj të jenë lojtarë që të shohim futboll të bukur. Janë nivel si lojtarët shqiptarë dhe nuk besoj se do të kenë ndonje diferencë.
E thatë vetë që zbeh dëshirën e të rinjve. Si ndikon te akademitë?
E para e punës, unë kam akademi vetë. Shumë ekipe nuk punojnë shumë me grupmosha, 15 apo 17 vjeçarë. Duhet që ato pak lojtarë që kanë, ti afrojnë në skuadër sepse më parë u jepej hapësirë të rinjve e tani jo. Besoj se kjo do i dëshpërojë akademitë e mëdha si Tirana, Dinamo apo Elbasani qe kanë akademi të organizuara, por që do zbehen. Nuk e di, nuk ka shpjegim për të huajt.
Një parashikim se cila mund të jetë surpriza e Superiores?
Të them të drejtën mund të jap mendim por kampionati është i gjatë. Surprizë nuk mund të themi sepse të vjetshmet janë në lojë. Unë them se Dinamo, Elbasani, Egnatia edhe pse ka pak rënie janë shumë të forta, bashkë me Vllazninë qe formojnë katërshen. Edhe Teuta ka bërë përforcime dhe ka grintë shumë por është vetëm fillimi dhe duhet parë si shkojnë gjërat. Është kampionat i gjatë.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













