EKSKLUZIVE/ Nga Seria A me Napolin te Bundesliga gjermane, tjetër alternativë për stolin e Partizanit (E PLOTË)
Kërkimi për trajnerin e ri është bërë prioritet absolut në klubin e Partizanit. Pas largimit të Skënder Gegës, të kuqtë po vlerësojnë disa profile nga jashtë Shqipërisë.
“Panorama Sport” zbulon se një nga emrat e përmendur së fundmi në tavolinën e drejtuesve është ai i kroatit Mario Cvitanoviç. 50- vjeçari është aktualisht i lirë dhe për herë të fundit ka drejtuar Lokomotivën e Zagrebit.
Emri i tij është futur në listën e ngushtë të kandidatëve, ku më parë janë përmendur edhe Mladen Milinkoviç me Françesko Morieron. Në këtë kuadër, klubi i kuq po analizon me kujdes secilin kandidat, përpara se të marrë një vendim përfundimtar që pritet brenda javës.
KROATI- Mario Cvitanoviç ka lindur në Zagreb dhe e ka ndërtuar karrierën si trajner kryesisht në futbollin vendës. Pas një periudhe si zëvendëstrajner, mori drejtimin e ekipit U-19 të Dinamos së Zagrebit në vitin 2014, më pas të të rinjve dhe ekipit të dytë, për të fituar në fund drejtimin e skuadrës së parë në sezonin 2017-‘18. Pikërisht ai edicion ka qenë deri më tani kulmi i karrierës së tij si trajner. Në 32 ndeshje në krye të Dinamos së Zagrebit, ai regjistroi 21 fitore, tetë barazime dhe tri humbje. Golavarazhi në këtë periudhë ishte mjaft pozitiv, 68 gola të shënuar dhe 30 të pësuar. Dinamo shfaqi superioritet të dukshëm në kampionat, edhe pse rrugëtimi në Europë mori një goditje të madhe…
ELIMINIMI NGA SKËNDERBEU- Një nga episodet më të përfolura të asaj periudhe ishte eliminimi i Dinamos së Zagrebit nga Skënderbeu. Ishte faza “playoff” e Ligës së Europës në gushtin e vitit 2017. Një sukses i paharruar për klubin korçar dhe një goditje për Dinamon e Zagrebit, që atëherë kishte ambicie për të luajtur në fazën e grupeve. Korçarët kaluan më tej falë golit në fushën kundërshtare, ndërsa rezultati i përgjithshëm ishte 1 me 1. Megjithatë, në kampionatin kroat, Cvitanoviç vazhdoi drejtimin deri në javën e 25-të të kampionatit, kur dy humbje radhazi sollën fundin e bashkëpunimit. Në momentin e largimit, Dinamo e Zagrebit kryesonte renditjen me 6 pikë më shumë se vendi i dytë. Sezoni përfundoi me sukses për klubin kroat, që fitoi titullin kampion dhe kupën.
LARG KROACISË- Pas aventurës me Dinamon e Zagrebit, Cvitanoviç pati një ndalesë para se të firmoste me Al Uehdan në Arabinë Saudite. Ishte viti 2019, kur nisi eksperiencën e re që rezulton të jetë e vetmja larg Kroacisë. Qëndrimi i tij atje nuk zgjati shumë në Arabinë Saudite. Kjo, pasi nuk arriti të kishte aspak sukses me klubin e elitës arabe, duke u larguar vetëm pas pak muajsh. Pas largimit nga Arabia Saudite, nuk mori menjëherë drejtimin e një tjetër skuadre.
RIKTHIMI- Vetëm në vitin 2022, Cvitanoviç u rikthye në Kroaci për të drejtuar Sibenikun. Dhe nga atëherë po ashtu Lokomotivën e Zagrebit. Dy eksperienca të shkurtra, që nuk arritën të linin gjurmë të veçanta. Prej pak muajsh është i lirë dhe i hapur për një sfidë të re. Me Lokomotivën e mbylli në vendin e tetë nga dhjetë skuadra. Vetëm për pesë ndeshje ishte në krye ku numëroi një fitore, tre barazime dhe një humbje.
SITUATA E PARTIZANIT- Cvitanoviç shfaqet si profil i lirë dhe me eksperiencë në klube të strukturura. Në familjen e kuqe situata me trajnerin mbetet për t’u zgjidhur. Marrëveshja pritet të finalizohet brenda kësaj jave, ndërkohë që skuadra po vazhdon përgatitjet nën drejtimin e përkohshëm të Fatjon Muhametit. Trajneri i moshave drejton programin pas largimit të Gegës. Të gjithë gjasat deri tani janë që Partizani të kthehet te një trajner i huaj. Hera e fundit ishte me Aleksandar Veselinoviç. Klubi po synon një teknik që mund të punojë mbi një grup të ri lojtarësh, me elementë nga akademia dhe moshë mesatare të ulët. Pikërisht për këtë arsye, kandidatët po analizohen mbi filozofinë e punës. Në këtë kuadër, Mario Cvitanoviç mbetet një emër në listë. Moriero dhe Milinkoviç e kanë treguar veten më parë në Superiore.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













