EKSKLUZIVE/ Mungesa e liderit të mesfushës në Turqi, zbardhen prapaskenat te Flamurtari
Idriz Batha nuk udhëtoi drejt Turqisë me skuadrën. Mungesa e mesfushorit ngjalli dyshime për një largim të mundshëm të tij nga vlonjatët, pasi ishte diçka e papritur në një kohë kur vetë lojtari kishte konfirmuar qëndrimin dhe se me Flamurtarin siç shprehej nuk e lidhte një copë letër por respekti.

“Panorama Sport” hedh dritë mbi situatën. Burime konfidenciale pranë klubit tregojnë se përpara nisjes për në Turqi, Batha ka dëmtuar gjurin. Burime pranë lojtarit thonë se ka pësuar këputje parciale të krociatit. Në këto kushte i duhet që 40 ditë të qëndrojë në Tiranë për terapi, me shpresën që gjërat të shkojnë mirë me qëllim që të shmanget operacioni. Dëmtimi konfirmohet për “Panorama Sport”, edhe nga vetë Idriz Batha.
“Kam dëmtuar gjurin dhe nuk kam udhëtuar me skuadrën drejt Turqisë. Besoj do të më duhet të bëjë një muaj terapi. Edhe tani që po flas me ju jam në terapi”, është shprehur Batha. Mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin gjërat në vijim rreth rikuperimit të tij dhe fatit te Flamurtari.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













