EKSKLUZIVE/ Mesfushori i Skënderbeut drejt Hungarisë, transferimi bëhet në verë
Përtej situatës në renditje, klubi korçar vijon të punojë mirë me rritjen e lojtarëve dhe shitjen e tyre në kampionate të huaja, duke siguruar të ardhura të konsiderueshme. Pas shitjes së Rashicës dhe Rabiut në vlera të konsiderueshme, drejtuesit e Skënderbeut janë shumë afër një tjetër marrëveshjeje për një tjetër pikë të fortë të skuadrës.
Burime të sigurta të “Panorama Sport” bëjnë me dije se ka pasur bisedime të avancuara rreth një transferimi të mundshëm të mesfushorit Dejvid Janaqi në Hungari, në radhët e Fehrevarit. Klubi hungarez ka insistuar për shërbimet e lojtarit bardhekuq, i cili ka edhe disa ndeshje me Kombëtaren U-21. Gjatë merkatos së janarit ka pasur një interesim nga ana e hungarezëve për 21-vjeçarin e Skënderbeut, madje drejtuesit e Fehrevarit kanë dërguar emisarë për të ndjekur nga afër Janaqin në ndeshje kampionati. Sipas burimeve të gazetës, palët janë ende në bisedime dhe duket se gjithçka është lënë për t’u finalizuar në merkaton e verës. Klubi hungarez e sheh si një alternativë të rëndësishme mesfushorin shqiptar dhe është gati për një akord me Skënderbeun.
Gjasat janë që klubi korçar të mbajë një përqindje të kartonit të lojtarit për transferimet e ardhshme. Detajet e sakta do të mësohen në verë, kur transferimi i Janaqit në kampionatin hungarez pritet të finalizohet. Nëse kjo gjë do të ndodhë, do të ishte një tjetër sukses i Skënderbeut në merkato. Korçarët kanë një eksperiencë pozitive në këtë drejtim, mjafton të përmendim faktin se në harkun e një viti kanë bërë 5 transferime fitimprurëse për arkën e klubit. Bëhet fjalë për transferimet e suksesshme të Frenklin, Liços dhe Xhantu në fund të sezonit të kaluar, si dhe të Rashicës dhe Rabiu në merkaton e dimrit të këtij sezoni, transferime që kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në bilancin financiar të klubit bardhekuq.
Skuadra ndërkohë po përgatitet për ndeshjen e fundjavës me Egnatian kampione në fuqi. Korçarët shpresojnë shumë për një fitore, që do t’i mbante në lojë për qëndrimin në Superiore edhe sezonin e ardhshëm.
LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL













