EKSKLUZIVE/ Merxha: Elbasan, të erdhi shansi për të parakaluar! Kujdes me Skënderbeun. është ndeshje delikate (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2025 | 21:40

EKSKLUZIVE/ Merxha: Elbasan, të erdhi shansi për të parakaluar! Kujdes me Skënderbeun. është ndeshje delikate (E PLOTË)

Pas fitores në duelin direkt me Partizanin pak ditë më parë në “Elbasan Arena”, verdheblutë shohin t’u rriten shanset për të qenë pjesë e “Final 4” në fund të sezonit.merxhaMegjithatë, diferenca është ende gjashtë pikë dhe jo gjithçka mund të jetë në dorën e elbasanasve, por e rëndësishme është që të besuarit e Gvozdenoviç kanë nisur të besojnë. Të paktën, i këtij mendimi është edhe ishkapiteni dhe trajneri i kësaj skuadre, Eriol Merxha, i cili në një prononcim për “Panorama Sport” flet rreth situatës në të cilën ndodhet skuadra.

“Para disa javësh flitej për një Elbasan që thuajse i kishte humbur shpresat për katërshe, por kur mbetet për t’u luajtur një fazë e plotë, ka ende mundësi të realizohet ky objektiv. Kjo është bukuria e futbollit. Gjashtë pikë në nëntë ndeshje janë të rikuperueshme, vetëm nëse Elbasani nuk do të bëjë hapa falsë rrugës. Nëse kundërshtari edhe mund t’i lejojë vetes ndonjë gabim, Elbasanit nuk i lejohet. E rëndësishme është që mbetet në lojë vendi i katërt, edhe për ta bërë më interesante garën”, u shpreh fillimisht Eriol Merxha.

VAZHDIMËSIA – Nëse Elbasani ndodhet aktualisht në vendin e pestë dhe ka humbur terren me katërshen, është mungesa e vazhdimësisë. Të paktën, kështu shprehet Merxha, i cili ka besim se kjo gjë mund të ndryshojë.

“Mendoj se diferencën me katërshen e parë e ka bërë vazhdimësia që këto skuadra kanë pasur në momente të caktuara të kampionatit. Me Elbasanin nuk ka ndodhur kjo gjë. Mirëpo, ky është momenti për ta bërë, duke parë që edhe lojërat janë në rritje, edhe në sajë të frymës që ka futur trajneri në skuadër.

Personalisht, dy ndeshjet e radhës i shoh si vendimtare për Elbasanin. Luajnë ndaj dy skuadrave që synojnë mbijetesën, nuk do të jetë e lehtë, por që kanë mundësitë të marrin maksimumin dhe të ngjiten në renditje. Këto fitore do të sillnin edhe vazhdimësinë që i ka munguar deri më tani”, tha më tej Eriol Merxha.

SKËNDERBEU – Ishkapiteni u ndal më konkretisht edhe te ndeshja e nesërme ndaj Skënderbeut. Ai e përmbledh shkurt me një fjalë: kujdes. “Është ndeshje delikate edhe për vetë formën e kundërshtarit. Një thirrje do të kisha në këto momente për skuadrën, të tregojnë kujdes.

E them këtë, sepse Skënderbeu është një ekip që të hap probleme dhe ndodhet në një situatë ku i luan të gjitha shanset, sepse do t’i largohet fundit. Megjithatë, kam besim se Elbasani do t’ia dalë në këtë ndeshje dhe të koleksionojë tri pikët”, mbylli prononcimin e tij ish-trajneri.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL