EKSKLUZIVE/ Mehmeti këshillon të kuqtë: Moment i vështirë, Partizani ia del. Ja çfarë të kenë kujdes ndaj Tiranës (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2026 | 20:40

EKSKLUZIVE/ Mehmeti këshillon të kuqtë: Moment i vështirë, Partizani ia del. Ja çfarë të kenë kujdes ndaj Tiranës (E PLOTË)

Kryendeshja e kësaj jave në Kategorinë Superiore është padyshim derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit në program për t’u zhvilluar të shtunën në “Air Albania”, duke nisur nga ora 19:00.

mehmeti

Në impiantin e kryeqytetit pritet një duel mjaft i luftuar, pasi të dyja skuadrat kanë nevojë jetike për tre pikët për të realizuar objektivat sezonalë. Në lidhje me derbin, në një intervistë për “Panorama Sport”, foli një ish-i të kuqve si Dritan Mehmeti. Ky i fundit u shpreh se Partizani po kalon aktualisht një nga momentet më delikate të sezonit, megjithatë theksoi se në derbi jo gjithmonë fiton ekipi që është në gjendjen më të mirë apo favorit, duke shtuar se aty bëhet fjalë për një sfidë e cila bën të harrohet se çfarë ka ndodhur më parë gjatë sezonit.

Ndër të tjera, Mehmeti tha se pret një ndeshje që mund të vendoset nga episodet, pasi sipas tij, sidomos në pjesën e parë, të dyja skuadrat do të jenë shumë të kujdesshme për të mos pësuar. Mehmeti u shpreh se e ka të vështirë të parashikojë mbi rezultatin apo fituesin, megjithatë si një ish-i të kuqve, shpreson që në fund të triumfojnë “Demat”.

Partizani doli sërish pa fitore ndaj një rivali që luan për mbijetesë si Bylis, përse vjen ky ngërç te skuadra?
Është vetëm fati i keq te rastet e shpërdoruara apo ka diçka më shumë? Mendoj që mënyra se si e interpretoi ndeshjen kundër Bylis, ndoshta kanë ndikuar edhe shumë faktorë, ku më kryesor është aspekti psikologjik, ku Partizani vinte pas një humbjeje të rëndë kundër Elbasanit dhe do të duhej një përgatitje shumë e madhe në aspektin psikologjik dhe fizik për ta lënë pas. Mendoj që faktorë të tjerë janë edhe ndryshimet e shumta në formacion dhe lojtarët jo në rolin e tyre natyral, ndoshta kjo u rrit lojtarëve edhe shkallën e vështirësisë për të interpretuar ashtu siç duhet kur vjen pas një humbjeje të tillë. Është shumë e rëndësishme që pas një humbjeje të tillë të menaxhohet grupi dhe të rritet morali për të marrë tre pikët që ishin domosdoshmëri me Bylisin. Normalisht, qetësia mendore i jep atë mundësinë që rastet e krijuara të shfrytëzohen, nëse nuk je i kthjellët para porte do të thotë që ka ngërç psikologjik, por ka edhe faktorë të tjerë që kanë ndikuar te kjo performancë.

A është ky momenti më i vështirë për Partizanin në këtë sezon?
Është momenti më i vështirë sepse bëhet fjalë për një moment deciziv të kampionatit ku nuk ka mundësi të rikuperosh, janë edhe pak javë dhe duhet të jesh në maksimum në të gjithë komponentët psikologjikë, taktikë dhe fizikë. Nuk duhej të ishte në këto pozita, skuadra duhej të ishte më mirë, besoj që është një moment që duhet të kalohet patjetër me qetësi, por sidomos edhe me pjekuri dhe nëse do ta arrijnë ta menaxhojnë këtë situatë, duke parë që është javë derbi, nëse fitojnë ndaj Tiranës atëherë besoj se do ta kalojnë krizën dhe të përmbushin objektivin minimal që është arritja e “Final Four”.

Në cilin aspekt duhet të ndryshojë menjëherë Partizani?
Në këtë moment e rëndësishme është që skuadra të ketë qetësinë e duhur psikologjike, motivimin e duhur dhe sidomos sa i përket aspektit tekniko-taktik, ku skuadra duhet të përmirësohet në mënyrën e finalizimit. Janë shumë krosime pa saktësinë e duhur, apo mënyra si shkojnë te porta e kundërshtarit. Është shumë e rëndësishme që në fazën ofensive duhet patjetër të thyejnë presingun e kundërshtarit me tre-katër takime dhe jo me shumë pasime, e sidomos mbushja e zonës që duhet minimalisht të jetë me katërpesë lojtarë, ku mbështetës duhet të jenë dy mesfushorët e qendrës, numri tetë dhe numri dhjetë, sulmuesi kryesor dhe dy sulmuesit anësorë. Vendimmarrja e shpejtë, qetësia te pasimi i fundit dhe finalizimi ndikojnë në përmirësimin e gjendjes së tanishme në aspektin ofensiv, por sidomos edhe në aspektin difensiv duhet patjetër që të përdoret rregulli i pesë sekondëshit, që pas humbjes së topit skuadra është shumë e hapur dhe lë shumë hapësira për kundërshtarin. Duhet patjetër të ketë ekuilibër në presingun e menjëhershëm, minimalisht duhet të jetë në balancë në tranzicionin negativ, ku duhet të ketë katërpesë lojtarë poshtë linjës së topit dhe duhet aplikuar presingu i menjëhershëm në momentin e humbjes së topit për mos t’i dhënë kohë kundërshtarit të organizohet. Gjithashtu, përdorimi në mënyrë të drejtë i numrit gjashtë mes dy qendrave të mbrojtjes është i panevojshëm në fazën ofensive. Shpeshherë kanë ndikuar edhe ndryshimet në formacion, por edhe lojtarët në pozicionin e tyre jo natyral kanë prishur pak ekuilibrat për sa i përket aspektit taktiko-teknik. Në këtë aspekt, skuadra besoj duhet të tregohet më tepër pragmatiste dhe efikase në raport me mënyrën dhe përgatitjen kundrejt kundërshtarit që ka përballë. Besoj se duhet të punojë në aspektin psiko-motor dhe atë tekniko-taktik për të marrë maksimumin dhe për të gjetur ekuilibrat e duhur, sidomos në këtë moment të vështirë që po kalon skuadra. Duhet me patjetër të reagojë dhe kam besimin se do të reagojë dhe kjo është java e duhur; në rast fitoreje do ta kalojë këtë ngërç të momentit që po kalon.

Pesë ndeshje radhazi pa fitore, sa do të ndikojë kjo ecuri negative për Partizanin në ndeshjen me Tiranën?
Ecuria e këtyre katër-pesë javëve të fundit mendoj se nuk ndikon, sepse bëhet fjalë për një ndeshje derbi dhe të tilla ndeshje kanë një tjetër specifikë përgatitjeje. Entuziazmi për të qenë prezent dhe protagonist në një derbi është i madh nga vetë aktorët dhe shpeshherë harrohet ecuria e ndeshjeve të mëparshme, por fokusohesh vetëm te java e derbit me qëllimin kryesor si ta përgatisësh dhe si mund të jesh sa më i qetë në aspektin psikologjik për ta fituar këtë ndeshje. Thënë këtë, besoj se ecuria e mëparshme nuk do të ndikojë dhe koha ka treguar që nuk ka fituar gjithmonë skuadra që është më në formë, por skuadra që ka menaxhuar më mirë të gjithë javën dhe ditën e ndeshjes.

Në derbi, Partizani do të vuajë mungesën e të pezulluarve si Bytyçi e Ismaili. Sa do të ndikojnë këto mungesa te skuadra? Ndërkohë, një lajm i mirë pritet të jetë rikthimi i Skukës…
Besoj se skuadra e Partizanit ka një organikë të mirë dhe konkurrenca brenda skuadrës është e mjaftueshme dhe normalisht ka treguar disa herë se edhe pse mund t’i kenë munguar lojtarë titullarë, sërish kanë bërë mirë. Mendoj që gjithmonë në çdo skuadër mungesat ndikojnë, por ka edhe një aspekt pozitiv ku pjesa tjetër e grupit mund të japë më shumë. Varet si e menaxhon, vendimet që merr trajneri dhe gjetja e duhur për t’i zëvendësuar këta lojtarë. Pastaj rikthimi i Skukës patjetër që është pozitiv, është një bonus pasi është një lojtar që në të tilla ndeshje di të bëjë diferencën dhe di të shfrytëzojë shanset që i jepen në lojë. Skuka është një lider për Partizanin dhe rikthimi i tij është një plus.

Cilat janë pikat e forta dhe të dobëta të Tiranës, aty ku Partizani duhet të ketë kujdes dhe aty ku duhet të shfrytëzojë?
Me aq sa e lexojmë nga jashtë, disa elementë që bëjnë diferencën te Tirana dhe që kanë kualitet, nuk janë në më të mirën e tyre sa i takon kondicionit fizik. Partizani duhet të ketë shumë kujdes në tranzicionin pozitiv të Tiranës, të marrë masa për lojtarët e linjës së parë të sulmit bardheblu, por edhe për linjën e mesfushës. Të marrë masa, të mos i japë kohën e lojës dhe të menaxhojë hapësirat pas shpinës së mbrojtësve të saj. Për sa i përket pikave të dobëta, skuadra e Tiranës një nga faktorët kryesorë janë dy linjat e qendrës. Partizani duhet të menaxhojë mirë shpërndarjen e hapësirës në zonë dhe lojën një kundër një, ku mendoj që dy qendrat dhe në linjën e djathtë duhen kërkuar më tepër aksione sulmuese. Duhet të shfrytëzojnë momentet dhe të jenë të qartë para porte.

Duke parë objektivat që të dyja skuadrat kanë në këtë sezon, prisni një derbi të hapur apo të kujdesshëm e shumë taktik për të evituar gabimet?
Është e vërtetë që objektivat për skuadrat janë të ndryshme, por derbi ka treguar që jo gjithmonë skuadra që është më lart në renditje ka fituar, kështu që është i paparashikueshëm. Besoj se mënyra si do ta përgatisin trajnerët mbetet për t’u parë, por mendoj se në pjesën e parë do të jenë shumë të kujdesshme. Kjo pasi skuadrat e duan me patjetër trepikëshin jo vetëm në aspektin e klasifikimit, por edhe në aspektin psikologjik, sepse në këtë moment një fitore në derbi të jep shumë entuziazëm dhe vetëbesim për vazhdimësinë e këtyre javëve. Është shumë deciziv rezultati i kësaj ndeshjeje. Besoj se në pjesën e dytë trajnerët do të jenë më të hapur për të kërkuar fitoren dhe aty do të duket edhe strategjia. Mendoj se pjesa e parë do të jetë shumë e kujdesshme dhe do t’i japë kohë të dy trajnerëve për të lexuar njëri-tjetrin dhe për të ndryshuar në pjesën e dytë.

Kush mendoni se do ta kërkojë më tepër fitoren?
Normalisht kjo varet nga filozofia e dy trajnerëve dhe besimi që kanë ata te skuadra e tyre dhe mënyra si do ta përgatisin ndeshjen, si do të lexojnë pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit, por kjo do të vijë sidomos gjatë ndeshjes, ku mund të ndryshohen edhe strategjitë, sepse është një ndeshje ku teknikët nuk mund të luajnë shumë të hapur. Duke iu referuar faktit që të dyja skuadrat në këtë moment e duan trepikëshin me patjetër, atëherë do të jenë shumë të kujdesshme dhe do të jetë një ndeshje që do ta vendosin episodet dhe nuk do të jetë një ndeshje që do të luhet e hapur nga secila prej skuadrave.

A keni një parashikim se kush mund ta fitojë derbin dhe se kush mund ta vendosë atë?
Të parashikosh derbin është shumë e vështirë, sepse situatat ndryshojnë nga momenti në moment dhe është i paparashikueshëm. Se kush mund të bëhet lojtari që të ndajë fatet e ndeshjes, është sërish e vështirë që të jem kaq i përpiktë. Për sa i përket se kush e fiton, normal që dëshira ime është të fitojë Partizani, se kam qenë pjesë e asaj skuadre dhe gjithmonë dua që të fitojë Partizani.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL