EKSKLUZIVE/ “Luftojmë deri në fund, nder të jem këtu”! Atanaskoski: Egnatia ka cilësi, por ne jemi Partizani (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2025 | 21:16

EKSKLUZIVE/ “Luftojmë deri në fund, nder të jem këtu”! Atanaskoski: Egnatia ka cilësi, por ne jemi Partizani (E PLOTË)

David Atanaskoski festoi 29 vjetorin e lindjes, më 21 tetor. Mbrojtësi që luan në krahun e majtë kishte paraqitje pozitive ndaj Flamurtarit, ndërsa Partizani fitoi me rezultatin 0-1.

-900-0-1717677289xscreenshot-2-286

Atanaskoski është gati për ndeshjen e radhës, që i vendos të kuqtë përballë kampionëve të Egnatias. Në rast se nuk do të ketë ndonjë surprizë, atëherë mbrojtësi nga Maqedonia e Veriut do e nisë të shtunën nga minuta e parë tek “Arena e Demave”. Për të do të ishte moment i veçantë te Partizani, pasi do e kishte ndeshjen e 100-të zyrtare me fanellën e kuqe. “Panorama Sport” ka realizuar një intervistë para ndeshjes së rëndësishme, si për Partizanin dhe për Atanaskoskin.

Pas disa javësh të vështira për skuadrën, Partizani u rikthye te fitorja ndaj Flamurtarit. Si e përjetuat këtë ndeshje dhe çfarë vlere ka për grupin?

Po, të gjithë ne përjetuam disa javë të vështira te Partizani. Dhe kur je në një situatë të tillë, gjëja më e rëndësishme për skuadrën është të rifillojë të fitojë. Çdo triumf ka vlerën e vet, por kur fiton pas katër ndeshjeve me rezultate negative, është një moment shumë i mirë psikologjikisht për ekipin.

Ishte ndeshja ku ju u komfirmuat si titullar. Sa do të thotë për ju që ta nisni nga fillimi?

Siç e dini, çdo lojtar dëshiron të jetë titullar. Te Partizani, mendoj se është e vështirë të përcaktosh formacionin më të mirë për të nisur ndeshjen, sepse kemi shumë lojtarë për çdo pozicion. Për mua nuk ka shumë rëndësi nëse e nis ndeshjen apo jo, më e rëndësishme është rezultati përfundimtar i skuadrës. Ndonjëherë edhe lojtarët që hyjnë nga stoli mund ta vendosin ndeshjen.

Partizani i ka ndryshuar shpesh trajnerët këtë vit. Çfarë nuk shkoi me Milinkoviç?

Partizani është një klub shumë i madh dhe kur je pjesë e një klubi të tillë, është normale të kesh një lloj presioni. Ky presion vjen pas disa humbjeve dhe mendoj se ne humbëm ekuilibrin te ndeshjet. Nuk mund të them se çfarë nuk funksionoi me Milinkoviçin, jam i sigurt që ai po jepte maksimumin, por të gjithë e dimë si funksionojnë gjërat në futboll.

Ndryshimet e trajnerit Kërnaja sollën rezultatin pozitiv. Si ndiheni me të si trajner?

Deri tani Kernaja po bën mire. Jemi të bashkuar, po punojmë mirë dhe u përgatitëm mirë kundër Flamurtarit, ndaj edhe fituam. Çdo lojtar dëshiron të tregojë veten dhe mendoj se kjo është një gjë pozitive.

Ju jeni rikthyer konkretisht në janar te Partizani, pas periudhës së parë nga vera e vitit 2022 deri në verën e vitit 2024. Çfarë iu shtyu?

Po, është e vërtetë që u ktheva te Partizani nga Rumania. Ishte një vendim që duhej marrë, por e ndjej këtë klub si shtëpinë time dhe është një nder për mua të jem sërish këtu. E shfrytëzova mundësinë dhe dua të falënderoj njerëzit në klub dhe presidentin që më dhanë mundësinë të rikthehem përsëri.

Përpara është ndeshja me Egnatian. Cili është vlerësimi që keni për të si kundërshtar?

Gjithmonë kam thënë që Egnatia ka shumë cilësi dhe e kanë provuar këtë gjatë dy sezoneve të fundit. Natyrisht që kemi respekt për ta, por ne jemi Partizani dhe jemi të fokusuar tek vetja jonë, asgjë më shumë.

Si është bashkëpunimi juaj me Kërnajën dhe çfarë kërkon konkretisht prej jush?

Bashkëpunimi im me Kernajën është shumë i mirë, ne respektojmë njëri-tjetrin. Ai është trajneri im dhe unë duhet të ndjek rregullat e tij. Ai kërkon nga unë të njëjtën gjë që kërkon nga çdo lojtar. Të kemi disiplinë, të jemi agresivë, të përkushtuar dhe të bashkuar.

Më thoni diçka për atmosferën në dhomën e zhveshjes. A mund të themi se skuadra e ka lënë pas krizën?

Atmosfera është e mirë, jemi të lidhur dhe të gjithë së bashku, e ndjejmë njëri-tjetrin si një familje. Sa i përket krizës, ende është herët të flasim. Kemi një ndeshje shumë të rëndësishme dhe ecim hap pas hapi, ndeshje pas ndeshjeje.

Në dy periudhat tuaja me Partizanin, a ndieni se keni ndryshuar si lojtar dhe është ky maksimumi juaj?

Për këtë pyetje mund ta përgjigjen trajnerët ose tifozët, që më ndjekin tani dhe më kanë ndjekur edhe më parë. Mund t’ju them se çdo ditë jap maksimumin tim për të qenë më i mirë.

Cili është objektivi personal për pjesën e mbetur të sezonit dhe çfarë premtoni për tifozët e Partizanit?

Në futboll nuk mund të premtohet asgjë. Qëllimi im personal është të jap më të mirën dhe të arrij gjëra të mira me klubin. Mesazhi im për tifozët është se do të vazhdojmë të luftojmë për fanellën deri në fund. Ata mund të jenë të sigurt për këtë, dhe çfarë do të sjellë koha, do ta shohim. Siç thashë, ecim hap pas hapi, ndeshje pas ndeshje. Vetëm së bashku mund të arrijmë gjëra të mëdha.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL