EKSKLUZIVE/ Kraja analizon sezonin e skuadrës kuqeblu: Dua Vllaznia agresive, disfata me Skënderbeun do t’i rëndojë (E PLOTË)
Vllaznia është një temë që i emocionon të gjithë në Shkodër e sidomos ata që kanë kontribuar në vite për ekipin kuqeblu. Një nga ata është edhe Ervis Kraja, ish-mbrojtësi dhe ish-trajneri i Vllaznisë që prej disa vitesh jeton në Australi.
Për “Panorama Sport”, ai ka folur së fundmi në një intervistë ekskluzive. Ish-kampioni i vendit me kuqeblutë ka komentuar humbjen e fundit ndaj Skënderbeut, ku thekson se mund të peshojë shumë në fatet e sezonit. Në fjalët e tij, ai po ashtu ka edhe disa këshilla për futbollistët dhe lojën e skuadrës.
Humbjen e fundit e Vllaznisë kundër Skënderbeut, si e analizon?
Për mua ishte një humbje totalisht e papritur, duke parë edhe gjendjen se si vinin skuadrat para kësaj ndeshjeje. Është një disfatë që mund të kushtojë shumë për vazhdimësinë dhe objektivat që ka skuadra. Kjo humbje duhet të kalojë sa më shpejt, sepse ndryshe rrezikohet gjithçka dhe sezoni mund të dështojë.
Mund ta interpretonte ndryshe sfidën skuadra shkodrane?
Normalisht që skuadra duhet të ishte shfaqur më e ekuilibruar në fushë, që në fakt nuk ka qenë thuajse gjatë gjithë sezonit. Tani gabimet nuk falen dhe duhet një analizë nga të gjithë në klub për të kuptuar gabimet dhe për t’i përmirësuar ato. Them se Vllaznia la shumë hapësira ku ndoshta mund të ishte më cinike dhe të zgjidhte më mirë sfidën.
U duk sikur korçarët kishin më shumë dëshirë apo jo?
Të luash në Shkodër çdo ekip vetvetiu ka një dëshirë më të madhe. Kjo, sepse luhet futboll i pastë dhe “fair play”. Por kur edhe Vllaznia nuk ka egërsinë dhe dëshirën e duhur në fushë, kundërshtari e shfrytëzon këtë. Duke marrë epërsi jo vetëm sportive, por edhe psikologjike.
Çfarë duhet të ndryshojë apo rregullojë skuadra?
Skuadrës i mungon egërsia dhe grinta për topin e parë apo edhe ashpërsia ndaj kundërshtarit, flas këtu pa i kaluar limitet dhe rregullat. Shoh shumë pak përplasje në duelet një për një, skuadra nuk duhet të pranojë kurrsesi që kundërshtari ta qarkullojë më shumë topin, sidomos në Shkodër. Kjo është puna e trajnerit, ta komandojë skuadrën nga jashtë e të shohin pikat ku dështon skuadra gjatë ndeshjeve. Uroj që shpejt të analizohen dhe përmirësohen gabimet.
Sa i vlen ky pushim i kampionatit?
Pushimi ka të mirën si nga ana psikologjike dhe ajo fizike. Sepse ka pasur shumë ndeshje këtë periudhë dhe ekipi duhet të rikuperojë forcat. Shpresoj që ky pushim të ndikojë për mirë dhe ekipi të rikthehet fuqishëm për të arritur objektivat e vendosura.
Deri ku mund të arrijë kjo skuadër?
Unë mendoj se skuadra duhet të mendojë vetëm ndeshjen e radhës. Duhet ta trajtojë çdo duel si një finale e pastaj do të shohim se ku mund të shkojë ekipi, pasi kampionati duket shumë i egër me ekipe shumë të barabarta në forca.
Është pretendente potenciale për titull?
Skuadra duhet të qëndrojë larg presionit të titullit kampion. Pavarësisht se ne në Shkodër na pëlqen dhe duam me zemër që ekipi të jetë kampion, por duke i marrë gjërat me radhë. Të jenë të fokusuar dhe të mos e humbasin përqendrimin në asnjë moment
Ndonjë këshillë për futbollistët?
Të jenë më të vendosur, më të “ashpër” ndaj kundërshtarëve. Përfaqësojnë Vllazninë dhe këtë duhet ta tregojnë në çdo moment. Uroj që ekipi të na gëzojë në fund të sezonit të gjithëve ne.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













