EKSKLUZIVE/ Ka veshur të dyja fanellat, “receta” e Vrapit: Ja si ia del Tirana në Shkodër
Ka luajtur me të dyja fanellat dhe i njeh mirë ambientet, presionin dhe pritshmëritë e Tiranës e të Vllaznisë.
Ish-mbrojtësi i njohur Endri Vrapi, sot në rolin e trajnerit, ka ndjekur me vëmendje shtatë javët e para të kampionatit dhe bën një krahasim mes dy skuadrave që këtë fundjavë përballen në “klasiken” e futbollit shqiptar. Në një intervistë të gjatë për “Panorama Sport”, Vrapi flet për diferencat mes Tiranës e Vllaznisë në ndërtim dhe ecuri, për ndikimin e ndryshimeve të shpeshta të trajnerëve, por edhe për rivalitetin në kreun e Superiores, ku sipas tij “Egnatia mbetet skuadra për t’u mundur”.
Si e ke parë Tiranën dhe Vllazninë këto shtatë javë? Cilat janë diferencat më të mëdha në paraqitje?
Nëse flasim realisht, nga Tirana kemi pritur më shumë. Por fakti që në fillim pati probleme me trajnerin, që u vonua pak në zgjedhje, dhe lojtarët që u afruan, erdhën në një moment kur skuadra nuk kishte ende trajner, normalisht ndikoi. Ndërkohë, ndryshe ndodhi me Vllazninë, e cila kishte trajnerin që në fillim, e përgatiti ekipin si duhet dhe, për më tepër, mori pjesë në kompeticionet europiane, që e ndihmuan të ishte gati për nisjen e kampionatit. Kështu që, për këtë arsye, sot Vllaznia ndodhet në krye, ndërsa Tirana ende vazhdon të jetë në atë “vorbull” nga e cila nuk ka dalë ende.
A është e madhe diferenca midis rezultateve dhe skuadrave?
Nuk mund të themi që është diferencë e madhe, por ajo që kanë treguar ekipet aktualisht reflektohet edhe në renditje. Sepse, po ta shohim, me dy ndeshje mund të jesh direkt në vend të katërt, por po ashtu me dy ndeshje mund të zbresësh poshtë. Po të njëjtën gjë mund ta themi edhe për Vllazninë. Me dy fitore mund të shkëputet në krye, por mund edhe të afrohet nga grupi i ndjekësve. Kështu që kjo është diçka që do shihet në vazhdimësi. Normalisht, grupi i Vllaznisë është më i plotësuar se sa ai i Tiranës.
Në cilin kuptim është më i plotë, sipas teje? Në sulm apo në alternativa të përgjithshme?
Në përgjithësi. Ka më shumë alternativa, si në mbrojtje ashtu edhe në fazën ofensive. Tirana ka ende mundësi për t’u futur në rrugën e drejtë dhe, të paktën, duhet të ketë si qëllim kryesor që të mos rrezikojë Superioren. E kundërta ndodh me Vllazninë. Ajo ka bërë një sezon shumë të mirë vitin e kaluar, ka ruajtur thuajse boshtin e ekipit, ka bërë disa goditje cilësore dhe, me plot të drejtë, këtë vit pret të luftojë për titullin kampion.
Por as për Vllazninë nuk do të jetë e lehtë, sepse janë edhe skuadra të tjera që ndjekin si Egnatia, që është kampione në fuqi, apo Dinamo, që gjithmonë është prezente në garë. Nuk duhet nënvlerësuar as Elbasani, që pati një lëkundje të lehtë, ndoshta ajo lëkundje që do ta “zgjojë nga gjumi”. Edhe Vora po tregon me kalimin e kohës se po krijon një lojë më të qëndrueshme. Nuk duhet harruar as Teuta, që po plotësohet avash-avash, por sërish ka problemin e lojtarit-gol, pra të finalizuesit.
Do të ndikojë fakti që Tirana dhe Partizani i ndërtuan vonë ekipet e tyre?
Besoj se kjo është një çështje që lidhet me menaxhimin në fillim, dhe normalisht do të reflektohet edhe në ditët në vazhdim. Kjo është e vërteta. Dhe për këtë arsye, ashtu siç është edhe kalendari dhe renditja aktuale, ajo nuk gënjen, sepse renditja tregon gjithmonë realitetin. Skuadrat kanë ende mundësi, sepse jemi në fillim, por do të jetë e vështirë të arrijnë pritshmëritë që kishin për pjesën e sipërme të tabelës.
Në fund kemi “klasiken”, përballjen mes Tiranës dhe Vllaznisë… cila fiton?
Po, është më mirë të mos flasim për rezultat, por dihet që Vllaznia, kur luan në shtëpi, kërkon maksimumin dhe gjithmonë synon fitoren. Do të hyjë në fushë me gjithë forcat për të marrë rezultat pozitiv. Por besoj se do të jetë një Tiranë më cinike, që do ta presë Vllazninë dhe do përpiqet ta godasë në kundërsulm. Kështu që mendoj se do të jetë më shumë një ndeshje trajnerësh sesa lojtarësh.
Një pyetje përpara se të mbyllim. Para disa vitesh, ndodhte diçka e ngjashme me Tiranën, ndryshime të shpeshta trajnerësh. A është ky gabimi më i madh që po bën Tirana sot?
Gabim mund të quhet, sepse ne si trajnerë mundohemi të bëjmë punën maksimale në momentin që marrim një ekip. Por, siç e dimë, ky profesion është shumë i ndjeshëm. Mund të marrësh të gjitha përgjegjësitë, por në fund gjithçka varet nga drejtuesit. Unë mendoj që barra më e madhe bie mbi presidentin, sepse është ai që mban përgjegjësinë për drejtimin. Kur ke një klub që ka një pronar apo donator të vetëm, ai ka shumicën e vendimmarrjes. Ideja është që, për çdo gjë që ndodh, përgjegjësia kryesore është e drejtuesve. Sepse trajneri bën maksimumin, nëse arrin rezultate, mirë. Nëse jo, përsëri do të vijë një moment që do ndryshohet, sepse në Shqipëri trajneri kurrë nuk është i përhershëm.
Duke dalë pak nga tema, a është Egnatia skuadra për t’u mundur këtë sezon në Superiore?
Duke qenë kampione në fuqi, po, Egnatia është skuadra për t’u mundur. Por kampionati është shumë i vështirë dhe po ta shikosh çdo javë, nuk ka më ekipe të lehta e të forta. Në fund, fiton ai që e interpreton më saktë ndeshjen dhe detyrat që merr nga trajneri. Egnatia ka larguar disa lojtarë, por po i zëvendëson me të tjerë dhe po tregon se është një skuadër që di të ndërtojë ekip. Ka bërë një punë të mirë dhe po ruan cilësinë, edhe pse me emra të ndryshëm.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













