EKSKLUZIVE/ Ish-mesfushori Kepa “parashikon”: Vllaznia del kampione, Martini ka sjellë shpirtin shkodran (E PLOTË)
Ilir Kepa, një nga mesfushorët e shquar të Vllaznisë në vitet 80- 90 ka folur së fundmi në një intervistë për “Panorama Sport”.
Ish-fantazisti duke folur nga Belgjika u ndal tek zhvillimet në kampionatin shqiptar në këtë fillim edicioni. Veçanërisht shkodrani analizoi edhe skuadrën e tij të zemrës, Vllazninë. Ku vlerëson kuqeblutë për nivelin e shfaqur deri më tani, por me një “kritikë” apo vërejtje se pse skuadra ul ritmin në pjesët e dyta. Ndër të tjera ai ndalet edhe tek trajneri Martini dhe fryma e re që ka sjellë e po ashtu shpresat e mëdha për rikthimin e titullit kampion në Shkodër pas 25 vitesh.
Kepa, sa keni pasur mundësi ta ndiqni dhe si iu është dukur kampionatin shqiptar deri më tani?
Mundohem ta ndjek kampionatin dhe zhvillimet e tij më të fundit. Zemra na ngel gjithmonë në Shqipëri pavarësisht se jemi larg (qesh). Mund të them se ky fillim edicioni më duket shumë interesant, ka garë dhe suspancë në çdo duel. Skuadrat më duken të barabarta dhe me pak diferenca me tyre, ku do veçoja disi në cilësi ekipe si: Vllaznia, Dinamo dhe Egnatia. Ndërsa për mua personalisht kanë surprizuar për mirë edhe Teuta e Bylis.
Diçka që mund të përmirësojnë kuqeblutë?
Do thosha pësimi i golave të shumtë, por kjo vjen si pasojë ndoshta edhe stilit sulmues që aplikon skuadra. Dhe medoemos do lësh disi “boshllëqe” në prapavijë, por në javët e fundit kemi parë përmirësim në këtë aspekt dhe uroj që ekipi të krijojë stabilitet në mbrojtje. Po ashtu do theksoja humbjen e shumë rasteve para portës, duhet të jenë më konkretë dhe duhet të jenë më “goditës” ndaj kundërshtarëve. Po ashtu do thosha ritmi që ulin në pjesën e dytë, patjetër është natyrale dhe ne që kemi luajtur futboll e kuptojmë, por skuadra ka mundësitë dhe potencialin që deri në minutën e fundit ta ketë këmbën në “gaz”.
Ekipi dominon, por nuk “mbyll” ndeshjet shpejt, shqetësuese?
E rëndësishme është që krijohen shumë raste, por që duhen shfrytëzuar. Vllaznia ka pasur mundësi këtë sezon në të gjitha takimet t’i mbyllë llogaritë që në pjesët e para. Prandaj me aq shumë raste të krijuara duhet të ketë qetësinë për t’i dërguar në rrjetë e po ashtu të menaxhojë më pas lojën sipas llogarive të saj.
Si e keni parë merkaton, kanë bindur të ardhurit?
Merkato mund të them se ka qenë shumë frytdhënëse. Të ardhurit gjatë verës janë shndërruar menjëherë në protagonistë dhe të rëndësishëm për skuadrën. Ku në të shkuarën merkato shpesh nuk rezultonte e suksesshme e ndërsa këtë sezon gjithçka ka ndryshuar dhe kjo është për t’u vlerësuar. Për mendimin tim ata janë arma e fortë e Vllaznisë, pra futbollistët e ardhur nga merkato e verës.
Ndonjë futbollist që iu ka pëlqyer?
Do thoja të gjithë të ardhurit si: Murataj, Gjini, Kallaku, Kastrati apo Bismark, të cilët kanë treguar cilësitë e tyre. Por, unë si një person që pëlqej lojën e bukur do veçoja Muratajn dhe Kallakun, dy mesfushorë me shumë cilësi dhe që i kishin munguar Vllaznisë në sezonet e shkuara. Pres akoma shumë më shumë prej të dyve.
Sa efekt kanë pasur dyshja Martini-Sinani për ndryshimet tek ky ekip?
Janë dy djem që e duan Shkodrën dhe Vllazninë, njohin mentalitetin dhe çfarë kërkohet. Për mua kjo gjendje pozitive dhe admiruese e ekipit është falë trajnerit Martini, i cili po shfaq lojën e bukur dhe ofensive. Ashtu siç ai vetë e ka pasion dhe e ka luajtur po vetë në periudhën kur ka qenë futbollist aktiv.
Mendoni se ky është sezoni i duhur për të kthyer titullin kampion në Shkodër?
Ma merr mendja se ky do jetë sezoni i Vllaznisë, gjithçka duket se është gati. Dhe kam një besim shumë të madh që titulli kampion të rikthehet në Shkodër pas 25 vitesh. Një titull të cilin tifozeria kuqeblu po e pret me padurim e po ashtu i gjithë ambienti i futbollit në qytet apo edhe në diasporë.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













