EKSKLUZIVE/ Ish-kapiteni Najdovski analizon supersfidën e Superiores: Derbi i Tiranës, mbijeton dhe rikthehet te titulli (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2026 | 22:58

EKSKLUZIVE/ Ish-kapiteni Najdovski analizon supersfidën e Superiores: Derbi i Tiranës, mbijeton dhe rikthehet te titulli (E PLOTË)

Filip Najdovski është i bindur se Tirana do të kthehet edhe më e fortë, ndërsa derbi paçka se është i paparashikueshëm do të vishet bardheblu.

najdovski

Në një intervistë ekskluzive, mbrojtësi i FK Vardarit, Filip Najdovski ndalet edhe te situata e Tiranës, një skuadër që e ndjek me zemër dhe për të cilën shpreh shqetësim për pozicionin aktual në kampionat. Ai flet për vështirësitë e sezonit, ndryshimet në pankinë dhe besimin se me rikthimin e Orges Shehit, Tirana mund të gjejë stabilitetin e munguar. Flet për sezonin që po zhvillon skuadra e tij në kampionatin maqedonas, ku lufta për titullin kampion është më e fortë se kurrë.

Me vetëm një pikë diferencë në krye dhe me një përballje direkte ndaj Shkëndijës në ndeshjen e fundit, gjithçka mbetet e hapur dhe vendimtare deri në sekondat e fundit të kampionatit. Në fund, intervista prek edhe derbin e madh të kryeqytetit dhe pritshmëritë për të ardhmen e klubit bardheblu, ku optimizmi i tij mbetet i qartë. Tirana duhet të rikthehet aty ku e kërkon historia e saj.

Filip, Vardari është në krye të kampionatit maqedonas dhe në garë për titullin?
Jam mirë, faleminderit. Po, në kampionatin maqedonas ne po luftojmë me Shkëndijën për titullin kampion. Edhe pse aktualisht jemi një pikë përpara tyre, gjithçka mbetet e hapur dhe e pasigurt deri në fund. Në ndeshjen e fundit të kampionatit do të përballemi direkt me njëri-tjetrin, kështu që ajo ndeshje do të jetë vendimtare. Shpresoj shumë që në fund të gëzojmë titullin kampion, bashkë me ekipin tim.

A e ke ndjekur Tiranën?
Sigurisht që e ndjek Tiranën në çdo ndeshje. Është një skuadër që e kam për zemër dhe gjithmonë përpiqem të jem i informuar për paraqitjet e saj. I vetmi peng që kam është fakti që nuk mund të vij në Tiranë për t’i ndjekur ndeshjet nga afër, për shkak të angazhimeve të mia me ekipin dhe ndeshjeve që kam këtu.

Tirana është aktualisht në vendin e shtatë dhe rrezikon sërish rënien nga kategoria. Çfarë mendon se po ndodh me skuadrën?
Është vërtet e papritur që një skuadër me historinë dhe madhështinë e Tiranës të ndodhet në atë pozicion në renditje. Megjithatë, futbolli shpesh sjell situata të tilla dhe ndonjëherë gjërat nuk shkojnë siç priten. Unë besoj se deri në fund të kampionatit Tirana do të reagojë, do të rikuperojë dhe në fund do të arrijë të stabilizohet, duke e mbyllur sezonin në vendin e 7-të.

Orges Shehi është rikthyer në krye të skuadrës si trajner, pas tre trajnerëve të tjerë që nuk patën sukses. Si e sheh këtë rikthim?
Me fillimin e gjysmës së dytë të sezonit, presidenti dhe drejtori i klubit kanë bërë lëvizje shumë të mira, duke nisur nga përforcimet në ekip e deri te rikthimi i Shehit në pankinë. Unë kam shumë respekt për të gjithë trajnerët që kam pasur gjatë kohës sime te Tirana, por për mua personalisht Shehi është numri një. Besoj fort se ai ka aftësinë dhe eksperiencën për ta rikthyer Tiranën në rrugën e duhur dhe për të stabilizuar ekipin në këtë moment të vështirë.

Të shtunën luhet derbi i kryeqytetit ndaj Partizanit. Si e parashikon këtë ndeshje?
E di shumë mirë se çfarë përfaqëson derbi i Tiranës. Është ndeshja më e madhe në Shqipëri, një përballje që gjithmonë sjell emocione të mëdha dhe është një spektakël i vërtetë për tifozët. E shoh këtë ndeshje si një duel ku të dyja skuadrat kanë nevojë jetike për fitore. Pres një përballje shumë të fortë, me intensitet të lartë dhe luftë për çdo top në fushë. Natyrisht, uroj dhe shpresoj që në fund të jetë Tirana ajo që feston, si unë ashtu edhe të gjithë tifozët e saj.

Në fund, a beson se Tirana do të arrijë të qëndrojë në Superiore këtë sezon?
Po, sigurisht që besoj. Siç e thashë edhe më sipër, jam i bindur që Tirana do ta sigurojë mbijetesën këtë sezon. Do të shtoja gjithashtu se ky duhet të jetë vetëm një hap kalimtar, këtë vit mbijetesë e sigurt, ndërsa vitin e ardhshëm sulm për titullin kampion, ashtu siç i takon një klubi me historinë dhe emrin e Tiranës.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL