EKSKLUZIVE/ Ish-kapiteni Lako: Tirana, shans që nuk duhet humbur nga Skënderbeu
Skënderbeu duhet të tregojë se është ende në gjendje të fitojë ndeshje të mëdha dhe këtë duhet ta bëjë nga Elbasani.
Në këtë qytet korçarët do të përballen në fundjavë me Tiranën, një rival direkt në garën e mbijetesës në elitë. Është ndeshje transferte, por që luhet në fushë asnjanëse dhe ky mund të jetë një plus për juglindorët. Ish-kapiteni i Skënderbeut, Stavrion Lako, në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” thekson se skuadra ka nevojë për një reagim të vërtetë për të lënë pas humbjen shtëpiake me Laçin.
Për Lakon, fitorja në Kupë ndaj Dinamos dhe barazimi po ndaj kësaj skuadre në kampionat rikthyen disi besimin, por humbja me Laçin ishte një goditje e fortë psikologjike. Sipas tij, lojtarët që veshin fanellën bardhëkuqe duhet të kuptojnë se nga tani e deri në fund do të vuajnë shumë dhe duhet të djersinë shumë për të shpëtuar një sezon, që nuk ka qenë ai që pritej në Korçë.
“Humbja me Laçin riktheu edhe një herë hijet e asaj periudhe të errët, pasi ekipi nuk pati asnjë reagim pas golave të pësuar dhe u dorëzua karshi një kundërshtari direkt. E di që në momente të tilla delikate lojtarët kanë një bllokim psikologjik, por të vjen keq, sepse vinin nga dy rezultate pozitive ndaj Dinamos në kampionat dhe Kupë. Duhet të jemi të vetëdijshëm se cilësia dhe loja e ekipit ka ardhur në rritje, Skënderbeu ka treguar se di të bëjë mirë në ndeshje të caktuara. Por lojtarët duhet të kenë parasysh diçka: për të arritur objektivin minimal dhe për të shpëtuar klubin nga rënia, duhet të vuajnë çdo ndeshje dhe të japin maksimumin e tyre. Kjo është më e pakta që meriton ajo fanellë që ata e mbajnë veshur”, theksoi Lako fillimisht.
TIRANA – I ndalur më pas te ndeshja e kësaj jave me Tiranën, Lako tha se është një mundësi e mirë për të rikthyer ekipin në garë. Një fitore e mundshme në transfertë, sipas ish-mbrojtësit, do t’i japë besim skuadrës.
“Tirana është një ndeshje shumë e rëndësishme për Skënderbeun, pasi bëhet fjalë për një rival direkt, që mund të lanë pas në renditje. Një fitore do të ishte frymëmarrje e madhe për ekipin, për pozicionin që ka në renditje. Është koha që skuadra të tregojë se di të fitojë ndeshje të mëdha si kjo. Mendoj se një mundësi e tillë nuk të vjen më në këtë sezon, sepse Skënderbeu do të përballet me një kundërshtar të përgjysmuar, kështu që fitorja nuk duhet të diskutohet”, e mbylli Lako prononcimin e tij për gazetën.
Skënderbeu nuk do të ketë të gatshëm ndaj Tiranës, por edhe më pas, një lojtar shumë të rëndësishëm si Rashica, i ndëshkuar me karton të kuq ndaj Laçit.
LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL













