EKSKLUZIVE/ Ish-kampioni Osja kujton 2020-21: Ende nuk e besoj si e humbëm atë titull! Vllaznia ka ekipin më të mirë në Superiore (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2026 | 21:51

EKSKLUZIVE/ Ish-kampioni Osja kujton 2020-21: Ende nuk e besoj si e humbëm atë titull! Vllaznia ka ekipin më të mirë në Superiore (E PLOTË)

Një nga kampionët e fundit të Vllaznisë, Safet Osja ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport”.OSJAIsh-mesfushori është ndalur tek ecuria e fundit të kuqebluve, teksa shprehet se tani do vijë momenti më i vështirë i kampionatit. Por, ai ka besim se ky do jetë sezoni i Vllaznisë dhe se kuqeblutë do rikthejnë titullin pas 25 vitesh mungesë. Shkodrani ndalet edhe tek edicioni 2020-21, ku ishte zëvendës trajner i skuadrës në atë periudhë, duke theksuar se ende nuk e besoj se si u humb ai kampionat. Ndërsa po ashtu vlerëson figurat e Martinit dhe Sinanit, si dy personazhe që mund ta dërgojnë skuadrën drejt sukseseve finale.

Osja, një Vllazni me ecuri të shkëlqyer në vitin 2026 apo jo?

Mund të them se skuadra tani po gëzon një formë maksimale, tashmë gjithçka duket në perfeksion. Madje edhe kur ekipi nuk luan në mënyrën më të mirë të mundshme, sërish është i aftë për të marrë rezultate pozitive dhe kjo është shumë e rëndësishme në këtë pikë të sezonit. I shoh të karikuar psikologjikisht dhe që besojnë shumë në forcat e tyre, por edhe të fokusuar. Duke mos u “dehur” nga momenti aktual, por duke shikuar përpara për akoma më shumë pëmirësim. Them se e kaluan momentin e vështirë, ku treguan karakter e këtë e bëjnë vetëm ekipet e mëdha e cilësore.

Si u duk ndeshja e fundit e kupës ndaj Bylis?

Ishte një duel që konfirmoi momentin e mirë të ekipit, ku në këtë 90 minutësh nuk është se u “lodhën” shumë. Pasi menaxhuan edhe avantazhin e fitores 0- 1 në ndeshjen e parë në Ballsh, por fitorja gjithmonë bën mirë e mban moralin lart. Pasi skuadra funksionoi mirë edhe me ata që mund të cilësohen si “formacion i dytë” pasi mungonin emra si: Pohls, Gurishta, Gjini, Bajrami, Krymi, Qato, Bismark në formacionin titullar. E pavarësisht kësaj ata që ishin në fushën e lojës shfaqën cilësi, duke dhënë shenja shumë pozitive për stafin teknik në ndeshjet që do pasojnë. Ku do duhet kontributi i të gjithëve që të ruhet ky ritëm deri në fund.

Pra, kjo tregon se skuadra ka opsione të shumta?

Pikërisht kjo është ajo që i ka munguar skuadrës ndoshta në sezonet e shkuara, ku opsionet nuk ishin aq të shumta. Ndërsa sot kur mungon ndonjë futbollist, trajneri nuk shqetësohet sepse edhe ata që vijnë nga stoli japin thuajse të njëjtin nivel e ka pak diferenca. Kjo është vërtetuar disa herë këtë sezon dhe një ekip që pretendon për kampion, duhet të ketë edhe stolin e fortë. Këtu duhet përgëzuar presidenca që ka plotësuar kërkesat e stafit teknik dhe diçka e tillë po shpërblehet me rezultate e paraqitje shumë pozitive.

Çfarë duhet bërë që të ruhet ky ritëm?

Të ruhet përqendrimi dhe vlerësimi, asgjë tjetër. Stafi teknik po bën punë të shkëlqyer, duke menaxhuar si duhet forcat e futbollistëve e po ashtu pozitiv është fakti se gjithë lojtarët tashmë i kanë kaluar problemet fizike. Vllaznia s’duhet të ketë aspak eufori, sepse kjo e ka dëmtuar shumë në të shkuarën.

Ende nuk është arritur asgjë dhe më pëlqen fakti se ekipi nuk reklamohet shumë në media apo deklarata, do ketë kohë për to kur të përfundojë sezoni. Qëndron i përqendruar vetëm tek fusha, në stërvitje e ndeshje e deri në fundin e muajit maj ky duhet të jetë refreni i vetëm i ekipit. Punë dhe përqendrim, ndryshe gjithçka e mirë e bërë deri më tani do hidhet poshtë.

Ishit shumë afër titullit në sezonin 2020-21, ku ishe pjesë e stafit, ç’ndodhi atë edicion?

Ende nuk e besojmë se si e humbëm atë titull, ishim 11 pikë të shkëputur në muajin janar me sa mbaj mend. Pastaj patëm një fazë të tretë shumë negative e në fund e humbë kampionatin nga golavarazhi. Për mua personalisht është ende një peng sepse ishim aq afër dhe uroj që Vllaznia të ketë nxjerrë mësime nga e shkuara. E ata të reflektohen tashmë në këtë edicion, që shpresoj të “lajë” “mëkatet” edhe të edicionit 2020-21 (qesh).

Sa besim keni se ky është sezoni i duhur për rikthimin e titullit?

Shume besim, po themi shumë veta që ka ardhur momenti, por po e marrim mësysh ekipin kështu (qesh). Por, realisht i shoh më afër titullit se asnjëherë tjetër, duket se gjithë faktorët janë bërë bashkë këtë sezon që Vllaznia në fund të festojë titullin e saj të 10- të në histori. Që do jetë me të vërtetë një arritje historike më pas.

Ku qëndron diferenca e kuqebluve në krahasim me ekipet e tjera?

Ka dy djem shkodranë në drejtim si fillim, Edi Martinin e Vioresin Sinanin, e nuk jam i pari që i vlerësoj dhe iu uroj suksese. Ata kanë sjellë frymën e duhur tek skuadra, e njohin ambientin e kanë mentalitetin e duhur, prandaj ata janë një “armë” plus për ekipin këtë edicion. Po ashtu grupi i futbollistëve që ka Vllaznia, në opinionin tim është më i miri në Superiore. I shoh të “uritur” për fitore e po ashtu të gatshëm për të sakrifikuar në momente kur skuadra realisht ka nevojë.

Tashmë vetëm fitoret vlejnë për ekipin e Martinit, duke nisur nga ky duel i radhës në transfertë ndaj Flamurtarit…

Do jetë një ndeshje e vështirë në Vlorë për Vllaznine kjo e kësaj radhe. E jo vetëm ky duel, por secili prej 10 të ngelurve deri në fundin e kampionatit do jetë një “finale” më vete, pasi tashmë gara do jetë shumë e “nxehtë”. Por, unë siç e thashë kam besim tek Vllaznia dhe cilësitë e futbollistëve. Prandaj them se kuqeblutë nuk do ndalen as të dielën përballë Flamurtarit dhe do sigurojnë një tjetër fitore me shumë vlera në Superiore. Për të mbajtur kryesimin dhe pse jo thelluar diferencën me ndjekësit.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL