EKSKLUZIVE/ Idrizi ndan “gradat” te Flamurtari, konfirmon bisedimet me të larguarin e Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2025 | 23:47

EKSKLUZIVE/ Idrizi ndan “gradat” te Flamurtari, konfirmon bisedimet me të larguarin e Vllaznisë

Flamurtari i Superi ores nis nga drejtimi. Sinan Idrizi konfirmon negociatat me Tefik Osmanin, që do të marrë së shpejti postin e drejtorit sportiv të Flamurtarit. Ndërsa Alfred Ferko do të jetë sekretar i përgjithshëm i klubit.

IDRIZI

Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, administratori Idrizi thotë se trajneri Artim Pollozhani do të jetë i plotfuqishëm për ndërtimin e skuadrës së re. Kreu i klubit premton surpriza të mëdha.

“Në vazhdim do të kemi gjëra shumë të mira, surpriza të mëdha. Me Tefik Osmanin jemi në diskutime për postin e drejtorit teknik. Besoj se së shpejti do të kemi zhvillime. Artim Pollozhani është trajner i Flamurtarit dhe i plotfuqishëm. Trajneri ka në dorë çdo gjë dhe të gjithë kompetencën për ndërtimin e skuadrës së re. Ndërsa Alfred Ferko do të jetë sekretar i përgjithshëm i klubit. Është pozicioni më i fortë që do të kemi në administratën tonë”, shprehet fillimisht Idrizi.

INVESTIMET – Në Vlorë do të ketë edhe investime për t’iu përgjigjur nivelit të Superiores. Klubi do të vendosë një tapet të ri, por do të ketë ndryshime edhe në tribuna. Tribuna VIP do të bëhet me kolltukë dhe abonim njëvjeçar. “Nesër (sot) fillojmë punimet për rikonstruksionin e tribunave dhe fushës. Kemi nisur bashkëpunimin me një firmë greke. Nesër (sot) do të nisë heqja e fushës së vjetër. Do të rregullojmë tribunën dhe do të bëhen të gjitha bashkë.

Fusha do të bëhet e re dhe tërësisht me fondet tona. Pjesa e tribunës VIP do të jetë me 60 vende dhe do të bëhet me kolltukë. Do të shtohet seksioni VIP i tribunës. Do të jetë një vit me abonim. Ndërsa pjesa tjetër do të ndryshojë komplet faqe. Do të ndërhyhet edhe pas portave, te tribunat A, B dhe C. Është një investim që do të rezistojë vetëm për një vit, pasi ju e dini që pastaj do të prishet stadiumi. Por do të vëmë dorë për mirë. Do të përfshihet nga investimet edhe sistemi ndriçues dhe elektronik, tabelat. Të gjitha do të vihen të reja. Do të prishet sapo të fillojë stadiumi, por është një investim që ne duhet ta bëjmë patjetër, pasi i ka hije Superiores. Do të thoni ju që pse e bëni për një vit, sepse ky stadium do të prishet. Unë dua që ditën që stadiumi Flamurtarit të prishet për t’ia lënë vendin të riut, të dorëzojmë një stadium me dinjitet dhe me standarde, siç i ka hije Flamurtarit”, thotë administratori.

STADIUMI I RI – Sinan Idrizi zbulon se punimet për stadiumin e ri “Flamurtari” do të nisin pas një viti. Ai thotë se do të hyjë në tender, por fton edhe këdo që të jetë i interesuar. “Prej disa muaj ka dalë leja zhvillimore e stadiumit të Vlorës dhe është miratuar. Tani do të flasim për detajet. Ky është hapi i parë. Unë do të marr pjesë në konkurs. Do të jetë një tender i hapur përpara të gjithë të tjerëve. Ftoj edhe të gjithë të tjerët, që të hyjnë në këtë tender.

Projekti i stadiumit ka nisur që para dy vitesh. Edhe këtu ndjej krenarinë e madhe, që jemi i vetmi midis tri stadiumeve që do të ndërtohen në Shqipëri, midis Korçës, Durrësit dhe Vlorës, jemi të vetmit ne që i paguam me fondet e klubit tonë të gjitha detyrimet që kishim ndaj arkitektëve dhe ndaj të gjitha grupeve që u morën me këtë. Edhe këtu, nuk i shkaktuam dëm financiar as shtetit dhe as Bashkisë së Vlorës”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL