EKSKLUZIVE/ Hoti: Vllaznia duhet ribërë nga e para, kam dyshime për finalen kundër Egnatias (E PLOTË)
Erjon Hoti, ish-futbollisti i Vllaznisë, ka folur së fundmi ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Shkodrani e cilëson sezonin që u mbyll si jopozitiv, ku u arrit vetëm objektivi minimal.
Ndër të tjera, ai thekson se loja ka lënë për të dëshiruar nga ana e kuqebluve në edicionin 2024-‘24. Sipas ish-mbrojtësit, ekipi ka nevojë për ndërhyrje në merkato teksa vlerëson në maksimum emërimin e Martinit si trajner dhe Sinanit si drejtor sportiv.
Hoti, një sezon që u mbyll pa trofe sërish për Vllazninë, zhgënjim?
Normalisht që ishte një zhgënjim, sepse titulli kampion po pritet prej shumë vitesh në Shkodër. Dhe nuk po bëhet asgjë konkrete në këto edicionet e fundit që skuadra ta arrijë këtë sukses. Pavarësisht se është afruar me vendet e para sërish ka munguar ai hapi final për trofeun dhe ky është me të vërtetë një “mëkat”, pasi tashmë titulli po shndërrohet në “fiksim” për të gjithë.
Çfarë note do t’i jepje këtij edicioni?
Do t’i jepja një notë kaluese thjesht për faktin se ekipi do të marrë pjesë në kompeticionet europiane. Sepse për një notë më të lartë dhe të mirë kërkohet suksesi dhe fitimi i trofeve, gjë të cilën skuadra nuk e realizoi. Po ashtu, edhe niveli i lojës i paraqitur nuk ka qenë ai i duhuri, me shumë oshilacione dhe një Vllazni që nuk ka kënaqur me futboll në edicionin që u mbyll.
Ishte ndoshta skuadra nën një “presion” nga opinioni që priste shumë prej saj?
Vllaznia, që kur është krijuar, ka qenë nën presion sepse dihet ajo çfarë kërkon Shkodra dhe tifozëria e saj. Edhe faktikisht gjithmonë e kemi pasur të “vështirë” kur luanim në Shkodër, sidomos kur kundërshtari shënonte i pari, e kishe gjithë stadiumin “kundër”. Jemi pak gjaknxehtë ne veriorët dhe shumë kërkues (qesh).
Por nëse flasim për finalen me Egnatian, nuk besoj se kishte aspak presion nga ana e tifozëve. Gjithçka ishte një festë dhe futbollistët e Vllaznisë duhet të nxirrnin “flakë” nga këmbët. Por nuk e kuptova çfarë ndodhi atë ditë, ajo nuk ishte Vllaznia e vërtetë dhe kam dyshimet e mia personale për atë ndeshje.
Sa mungon titulli kampion në Shkodër?
Titulli kampion mungon aq shumë në Shkodër saqë nuk gjej fjalët e duhura për ta përshkruar. Aq më tepër kur shikon ekipe si Kukësi apo Egnatia që pa histori dhe pa akademi futbolli arrijnë tituj dhe suksese. Por patjetër, duke pasur një buxhet dhe një menaxhim me një projekt konkret, gjë të cilën Vllaznia fatkeqësisht s’po di ta bëjë.
Çfarë duhet të rishikojë ekipi në edicionin e ri?
Duhet riparë merkatoja, e cila është baza dhe duhet ndërhyrë sa më shpejt për përmirësimin e ekipit. Dhe jo t’i lësh gjërat në fund, ku do marrësh pastaj futbollistë që “teprojnë” nga ekipet e tjera. Prandaj skuadra e re për sezonin 2025-‘26 në këshillën time duhet formatuar sa më shpejt të jetë e mundur.
Repartet ku mund të ndërhyhet më shumë në merkato?
Mendoj se duhen rishikuar shumë pozicione dhe duhet ndërhyrë në merkato. Duke nisur nga porta, ku duhet afruar një portier me eksperiencë dhe nivel. Pa dashur të ul vlerat e Jukajt, por ai është një djalë i ri dhe ka kohë për t’u përmirësuar akoma më shumë. Për të dalë kampion, duhet të kesh lojtarë që bëjnë diferencën. Mbrojtja po ashtu dhe sidomos qendra e saj ka nevojë për ndërhyrje, e po ashtu një mesfushor, tip fantazist-organizator, që i mungon ekipit prej shumë vitesh. Po ashtu duhet një sulmues të mbështesë Balajn dhe stilin e tij të lojës, teksa edhe futbollistët e krahut në sulm duhen gjetur që bëjnë diferencën. Prandaj them se skuadra ka nevojë për një riformatim në format të gjerë.
Parashikon se mund të bëjë mirë ekipi në “Conference League”?
Po, edhe “Conference League” është e lidhur me merkaton. Sa më shpejt dhe sa më cilësore të jetë ajo, aq më shumë kohë dhe mundësi do ketë edhe stafi teknik për t’i përgatitur përballjet europiane.
Dy miq tuaj tashmë kanë marrë postet më të rëndësishme. Si e komenton vendosjen në krye të skuadrës të një dysheje si Martini-Sinani?
Jam super i kënaqur që në krye të Vllaznisë, janë vendosur dy emra të tillë si Martini dhe Sinani. Kush më mirë se ata e njohin futbollin dhe dinë çfarë kërkon Shkodra dhe Vllaznia. Por kjo gjë nuk është vetëm në dorën e tyre, duhet mbështetje e fortë e presidentit që kjo dyshe të ketë mundësinë për një merkato cilësore. Nëse diçka e tillë sigurohet nga presidenca, e them që tani se sezonin tjetër Vllaznia është kampione. Për mua janë dyshja më perfekte, si në kohën kur luanin vetë dhe si tani në drejtimin e ekipit. U uroj shumë suksese dy shokëve të mi, Martini dhe Sinani, e jam i bindur se mund të sjellin titullin në Shkodër.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













