EKSKLUZIVE/ Heroi i Dinamos kundër Laçit, Dejvi Bregu: Të gjithë presin nga unë, duam kualifikimin në Kupë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2025 | 9:49

EKSKLUZIVE/ Heroi i Dinamos kundër Laçit, Dejvi Bregu: Të gjithë presin nga unë, duam kualifikimin në Kupë

Dejvi Bregu rikthehet ai që të gjithë e prisnin te Dinamo. Shënon dy gola dhe u jep tri pikë shumë të rëndësishme bluve, të cilët i japin fund ecurisë me barazime në kampionat.breguNë intervistën e dhënë enkas për “Panorama Sport” pas ndeshjes, sulmuesi vlonjat vlerëson këtë fitore, duke e parë të rëndësishme për vazhdimësinë. Ka besim se do të rigjejë formën e tij si para se të dëmtohej, me shpresën që të ndihmojë sa më shumë Dinamon që të arrijë objektivat e sezonit. Bregu ka besim edhe te përmbysja në Kupë ndaj Skënderbeut në mesjavë, pavarësisht se duhen rikuperuar dy gola. Sa i përket derbit me Tiranën, sipas tij ka kohë, por synimi është të vazhdojnë me ecurinë pozitive.

Bregu, morët një fitore të rëndësishme ndaj Laçit. Si ndiheni?

Ishte një fitore e rëndësishme, për vetë faktin se na kishte munguar shumë këto ndeshjet e fundit. Ishim në një moment, që duhet të riktheheshim te 3-pikëshi dhe për fat të mirë ia arritëm qëllimit.

E prisnit këtë dopietë sot (dje)?

Të gjithë presin nga unë dhe unë nga vetja. Jam një nga futbollistët më me eksperiencë në kampionatin shqiptar, pasi kam luajtur që në moshë të re, ndaj edhe pritet nga unë. Megjithatë, e rëndësishme është që Dinamo u rikthye tek tri pikët, sepse ato sjellin besimin në skuadër. Besimi është ai që formon frymën e grupit.

Sa ju shijuan këto gola, sepse u bënë muaj pa shënuar…

Ai dëmtim më ka lënë pak shije të keqe, sepse u duk fillimisht si një gjë e vogël në gisht, por pas operacionit m’u desh rreth një muaj e gjysmë për t’u rikthyer. Kam pasur edhe pak vështirësi. Megjithatë, tani e tutje shpresoj të rikap ritmin që kisha lënë që në ndeshjen me Elbasanin dhe të ndihmoj ekipin sa më shumë të jetë e mundur.

Si ndiheni nga fakti që kur shënoni ju, ekipi fiton, përveç një rasti ku keni dalë barazim me Egnatian?

Shpresoj që të jetë një ogur i mirë për ekipin, edhe pse nuk i vë re shumë këto gjëra. Unë kam ardhur këtu për të dhënë kontributin tim për Dinamon dhe shpresoj që ta kurorëzojmë me diçka të bukur për këtë skuadër.

Në mesjavë keni Kupën me Skënderbeun ku duhet të rikuperoni dy gola. Si e prisni këtë sfidë?

Është një ndeshje delikate, pasi dihet specifika e Kupës. Ne do të shkojmë për t’u kualifikuar, pavarësisht se rezultati është i favorshëm për kundërshtarin. Me shëninim e një goli presioni do të kalojë te Skënderbeu dhe shpresoj të kualifikohemi, pasi i kemi të gjitha mundësitë.

Më pas në kampionat keni derbin me Tiranën….

Derbi është derbi dhe luajmë me Tiranën që është ekipi më i titulluar në Shqipëri. Shpresoj të vazhdojmë ecurinë si me Laçin. Megjithatë, para se të shohim për ndeshjen me Tiranën, do të mendojmë të kalojmë Skënderbeun.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL