EKSKLUZIVE/ “Frika ime u bë realitet”, akuza e Kërnajës pas Elbasanit: Hamiti ishte tendencioz

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2026 | 21:14

EKSKLUZIVE/ “Frika ime u bë realitet”, akuza e Kërnajës pas Elbasanit: Hamiti ishte tendencioz

Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja në prononcimin e tij për “Panorama Sport” pas ndeshjes me Elbasanin që u mbyll në barazimin 2-2, theksoi se pavarësisht rezultatit, mbetet i kënaqur nga performanca e lojtarëve të tij, për të cilët u shpreh se kishin ritmin e duhur gjatë sfidës dhe krijuan shumë raste përgjatë 90- minutëshit.

kernaja

Tekniku, shtoi se goli i dytë i Elbasanit në limitet e ndeshjes erdhi edhe si pasojë e gjendjes së shokut që pësuan lojtarët e tij pas asaj që ndodhi në fushë me Sembene. Ndër të tjera, numri një i “Demave të Kuq”, tha se është shumë i kënaqur me lojtarët që kanë afruar drejtuesit në këtë sesion të merkatos.

Si paraqitet gjendja e Sembene? Gjendja e Sembene është e stabilizuar, është mirë, doktorët po merren me të. Është duke zhvilluar të gjitha analizat, jam informuar dhe për fat e ka kaluar shokun që kishte. Nuk e dimë arsyen përse i ndodhi, por në vijim doktorët do të na informojnë edhe më shumë.

Sa ndikoi ai episod te skuadra pasi kishte edhe disa minuta lojë? Ndikoi shumë dhe këtë nuk e them për justifikim, sepse mos e harroni edhe në ndeshjen me Egnatian para disa vitesh ishte po Partizani në fushë kur ndodhi fatkeqësia e Duamenës dhe djemtë që ishin në fushë pësuan shok. Por, përveç se ndikoi psikologjikisht, largimi nga fusha i Sembene ndikoi edhe taktikisht pasi humbëm centimetra në mbrojtje dhe aktivizuam një lojtarë që nuk është qendërmbrojtës. Pastaj në një tjeter episod, humbëm edhe Buxhelajn pas një përplasje me kokë dhe aktivizuam Muratajn që nuk është mbrojtës i majtë dhe në ato momente ngelëm pa asnjë qendërmbrojtës të mirëfilltë, vetëm me Bytyçin.

Sa keq ju vjen për dy pikët e lëna? Duke qenë se ishte një ndeshje të cilën e dominuat… Të them të drejtën djemtë kanë dhënë maksimumin, jam shumë i lumtur për vrapimin, për volumin, për rastet e krijuara. Edhe kur ishim me lojtarë të barabartë 11 me 11, patëm tre raste të pastra dhe frika që kisha unë nga goditjet standarte të Elbasanit u bë realitet, sepse ata kanë centimetra dhe godasin shumë nepërmjet goditjeve standarte. Asaj që i frikësoheshim ndodhi, por është për t’u përmirësuar, ndoshta duke u kthyer edhe lojtarët e tjerë që janë në pozicionet e tyre natyrale.

Elbasani ju bëri dëm sa herë erdhi te porta juaj, si mund të përmirësohet ky aspekt? Erdhi dy herë, në të dyja rastet erdhi me top të gjatë, faull nga vija anësore, top i gjatë në linja. Tani për centimetra nuk kishim shumë mundësi e alternativa në këtë ndeshje, nuk kemi çfarë t’u bëjmë. Nuk kishim lojtarë tjetër, Preka që është lojtar i gjatë është jashtë, Janjeva ishte jashtë, Marku, Atanaskoski. Bëhet fjalë për lojtarë që janë mirë në luftën në ajër dhe për këtë ndeshje i kishim jashtë.

Sa i kënaqur jeni me merkaton, me emrat që kanë ardhur? Jam shumë i kënaqur, Shabanin nuk mund të luante këtë ndeshje pasi nuk kishte mbërritur ende kartoni, por do të jetë gati nga dita e hënë për ndeshjen e radhës. Jam shumë i kënaqur me merkaton e bërë nga klubi. I kemi kërkuar këto tipe lojtarësh për t’i shtuar kualitet organikës dhe u pa në fushë, kishim tjetër ritëm dhe më shumë mundësi. Jam i kënaqur me drejtorin, me presidencën, kanë plotësuar dëshirat tani duhet të flasim në fushë.

Zëvendësimi i Qakës pas pjesës së parë, çështje taktike apo dëmtim? Qaka vjen nga një gjendje gripale jo e mirë, duke parë edhe kalendarin ku ndeshjet ngjeshen dhe janë çdo tre ditë, pasi pas ndeshjes së radhës me Bylisin, vjen Kupa dhe më pas sërish kampionati. Duhet t’i ruajmë pak energjitë, plus që kishte një karton të verdhë dhe arbitri ishte tendencioz për të barazuar skuadrat numerikisht dhe duhej ta mbronim që të mos merrte një tjetër karton.

Patë tendencë të arbitrit për të favorizuar Elbasanin? Kishte pak tendencë ndaj Elbasanit, në disa raste, fragmente, topa në fundore, faulle, nuk ishte i njëjti standart si për ne ashtu edhe për Elbasanin. Nuk them që ndikoi, por janë standarte që duhen mbajtur njësoj për të dyja ekipet. Nuk kam asgjë tjetër, vendos tjetërkush për arbitrin, nuk dua të merrem fare me arbitrat.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL