EKSKLUZIVE/ “Fokusi vetëm te Bylisi”, Mysloviç pasi debutoi me gol: E shpëtojmë Tiranën
Debutim me gol dhe kualifikim. Kështu u pre zantua me fanellën bardheblu Patrik Mysloviç. Mesfushori sllovak shënoi në ndeshjen ndaj Skënderbeut, takim i vlefshëm për Kupën e Shqipërisë, duke lënë menjëherë gjurmë në paraqitjen e parë me Tiranën.

Pas përfundimit të takimit, për “Panorama Sport”, ai foli për emocionet e debutimit, arsyet e zgjedhjes së klubit dhe besimin se skuadra mund ta përmbushë objektivin e sezonit.
Ndeshja e parë, goli i parë. Nuk mund të ishte një fillim më i mirë. Si e përjetove këtë moment? Po, për golin jam shumë i lumtur. Të shënosh në debutim është gjithmonë diçka e veçantë. Por mbi të gjitha jam i kënaqur që skuadra u kualifikua në raundin tjetër. Kjo është më e rëndësishmja për ne.
Pse vendose të vish te Tirana? Fola me drejtuesit e klubit dhe më pëlqeu shumë ajo që më prezantuan. Tirana është një klub i madh, me histori të pasur dhe me ambicie. Kjo më bindi të vij këtu dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij ekipi.
A kishe informacion për kampionatin shqiptar përpara se të vije? Po, sigurisht. Më pëlqen të ndjek futbollin dhe rezultatet, ndaj dija diçka për kampionatin. Nuk i kisha parë ekipet duke luajtur më parë, por i njihja skuadrat kryesore dhe kisha një ide për nivelin e garës.
Sezoni nuk ka nisur lehtë për Tiranën. A beson se skuadra do ta shmangë rënien nga kategoria? Nëse nuk do ta besoja këtë, nuk do të kisha ardhur këtu. Unë besoj plotësisht te skuadra. Kemi trajner të mirë, staf të mirë dhe lojtarë me cilësi. Sigurisht që duhet të përmirësohemi shumë, por po punojmë çdo ditë për këtë. Jam i bindur se mund ta shpëtojmë sezonin.
Tre ndeshjet e ardhshme konsiderohen vendimtare, Bylisi, Vora dhe Flamurtari. Sa të rëndësishme janë këto sfida? Po, i dimë mirë këto ndeshje. Duhet të përgatitemi maksimalisht. Ndeshja ndaj Skënderbeut ishte hapi ynë i parë që kur kam ardhur dhe ia dolëm. Tani fokusi ynë është vetëm te ndeshja e radhës. Marrim çdo takim një nga një dhe synojmë të fitojmë maksimumin.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













