EKSKLUZIVE/ Flet ish-trajneri, Hysen Dedja: Vllazni, nuk je për titull kampion! Ja arsyeja… (E PLOTË)
Hysen Dedja, ish-futbollist dhe ish-trajner i Vllaznisë, ka analizuar në një intervistë për “Panorama Sport” ndeshjen e fundit me Egnatian, ku shkodranët humbën 0-2. Sipas ish-kampionit të vendit me kuqeblutë, ishte një disfatë e papritur, duke ditur formën që po kalonte skuadra.

Dedja e thotë hapur se ekipi nuk bind 100% për të pretenduar titullin kampion dhe se Vllaznia duhet të vërë diktatin e saj që në fillim të ndeshjeve për të mos e lejuar kundërshtarin të marrë terren, siç ka ndodhur shpesh gjatë këtij sezoni.
Dedja, Vllaznia ka pësuar së fundi një humbje në fushën e saj kundër Egnatias. Si e keni parë atë takim?
E kam ndjekur me vëmendje. Vllaznia vinte pas një rezultati pozitiv në Korçë dhe besoja se do të merrte kryesimin. Ndeshja luhej në Shkodër dhe gjendja psikologjike ishte e mirë, por nuk shkoi ashtu siç prisja dhe shpresoja. Vllaznia, për mendimin tim, u shfaq me dy tablo gjatë lojës. Ajo i la dominimin Egnatias në pjesën e parë, ndërsa në të dytën pati gjithçka nën kontroll, por pa pasur mundësi të shënonte.
Sa mund të ndikojë ky hap fals, apo kjo disfatë?
Nuk mund ta cilësoj si një problem, apo ngecje. Skuadra është brenda objektivit, por duhet të bëjë pak më shumë për të bindur totalisht. Ende nuk e shoh në 100% Vllazninë.
Sipas jush, çfarë nuk shkoi në ndeshjen e fundit?
Nuk kuptoj pse Vllaznia nuk e nis siç duhet ndeshjen, duke parë lojtarët cilësorë që ka, që nga kapiteni Balaj. Ekipet e tjera luajnë shumë lirshëm në Shkodër dhe nuk e kuptoj këtë fakt. Në pjesën e dytë Vllaznia e mbajti lojën nën kontroll, por ndikoi arbitrimi, pa dashur të hyj në këtë pjesë.
Ishte Vllaznia në një ditë “jo”, apo Egnatia ishte më lart në nivel?
Vllaznia të gjitha ndeshjet i ka luajtur kështu. S’ka pasur as ndeshje të mira dhe as të dobëta. Vllaznia ka mentalitetin për të reaguar në pjesët e dyta, por nuk duhet kujtuar gjithmonë në fund. Duhet ta marrë kontrollin e lojës që në nisje të ndeshjes, për të mos lënë hapësira për ekipin kundërshtar.
A duhet Vllaznia të bëjë ndonjë përforcim në merkaton e dimrit para se ajo të mbyllet?
Jo vetëm Vllaznia, por çdo ekip ka nevojë për përforcime. Klubi duhet të ishte më i kujdesshëm me afrimin e futbollistëve. Janë afruar futbollistë që, pa përmendur emra, janë provuar në futbollin tonë dhe nuk kanë dhënë atë çfarë pritej. Besoj se sërish protagonistë do të jenë ata lojtarë që kanë qenë gjatë gjithë sezonit.
Sërish nën akuzë mbrojtja, a jeni dakord?
Mbron i gjithë ekipi dhe jo vetëm mbrojtja. Kontingjenti nuk garanton për të marrë titullin kampion. Përjashto Balajn, duhet një punë e dyfishtë. Nga çdo lojtar duhet sakrificë dhe djersë më tepër për të arritur tek objektivi maksimal në fund.
Ku shkon Vllaznia këtë sezon?
Për momentin nuk e shoh për titull. Mendoj se është luftë e egër mes 4 skuadrave të para. Nga eksperienca ime, kur kam luajtur futboll, kam luajtur me më të mirët në Shqipëri, me futbollistë që vlerësonin çdo moment. Nga stërvitja në ndeshje, ana psikologjike ishte gjithmonë se ishim për titull. Vetë ne si shkodranë jemi krenarë dhe atë krenari duhet ta kthejmë në fitore.
Një koment për aktivizimin e të rinjve këtë sezon?
Nota 10 për aktivizimin e të rinjve. Mund të veçohen Dodaj dhe Delaj. Jemi si një fidanishte e madhe, që furnizojmë çdo ekip në çdo kategori.
Ndeshja e radhës luhet në Durrës kundër Teutës. Si e parashikoni këtë transfertë?
Një ndeshje shumë delikate për durrsakët, sepse kërkojnë pikë. Vllaznia duhet ta shfrytëzojë presionin që ata kanë dhe të marrë pikët e plota. Them se Vllaznia ka ekip më cilësor se Teuta dhe mendoj se peshorja anon nga skuadra shkodrane në këtë duel. Në kampionatin tonë diferencat janë të vogla, prandaj duhet përqendrim dhe vlerësim i çdo situate për të marrë rezultat pozitiv.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













