EKSKLUZIVE/ Fitorja kundër Vikingurit, mbrojtësi i Vllaznisë: Natë fantastike, dedikim për familjen dhe tifozët
Elmando Gjini, një nga më të mirët e ndeshjes Vllaznia-Vikingur, foli pas ndeshjes për “Panorama Sport” për suksesin e shkodranëve.
Shtatlarti komentoi suksesin e kuqebluve, duke theksuar se ende asgjë s’ka përfunduar. Po ashtu, ai analizoi edhe paraqitjen e tij personale, duke u ndjerë krenar që tashmë luan në qytetin e tij dhe kërkon më të mirën çdo herë nga vetja, si edhe për ekipin.
Gjini, besojmë sonte je dy herë i lumtur për paraqitjen dhe fitoren e skuadrës?
Normalisht shumë i lumtur, dua të falënderoj edhe tifozët që ishin sonte (mbrëmë) të pranishëm në stadium. Patjetër ata ishin një armë plus për ne dhe më vjen mirë që i shpërblyem me një sukses. Megjithatë, ende s’ka mbaruar asgjë dhe ne duhet menjëherë që nesër (sot) të mendojmë për takimin e kthimit në Islandë.
Po rritet besimi te ju nga ndeshja në ndeshje apo jo?
Po, kjo është e vërtetë, jam shkodran, dua të jap maksimumin këtu dhe në çdo ndeshje. Pasi me të vërtetë e ndiej diçka të tillë. Prandaj avash-avash dua të përmirësohem sërish dhe të arrij më të mirën time dhe për skuadrën po ashtu.
Ishte kjo fitore vijimi i pjesës së dytë pozitive në Letoni?
Kemi besim në vete, në Letoni kthyem rezultatin. E bëmë edhe ndaj Vikingur sot (mbrëmë). Prandaj kjo tregon se skuadra ka kualitete dhe mund të dhurojë futboll të mirë.
Mendoni se do të keni një kualifikim në raundin e tretë?
T’i marrim ndeshje për ndeshje, t’i marrim avash-avash. Të përqendrohemi dhe të bëjmë më të mirën. Nuk mund të themi se do kualifikohem se s’bën, bëmë një hap të rëndësishëm dhe mund të ecim përpara. Por gjithmonë duke qenë të përqendruar dhe fokusuar.
Kishit emocione në vendlindjen tuaj apo edhe një dedikim?
Dedikimi shkon për familjen dhe tifozët që ishin këtu. Ishte një emocion shumë i bukur, shumë pozitiv. Unë jam shkodran dhe ndihem shumë mirë këtu. Besoj se kemi mundësi për më shumë edhe në ndeshjen e dytë, por gjithmonë me këmbë në tokë.
PANORAMASPORT.AL













