EKSKLUZIVE/ Fitorja kundër Dinamos, talenti Dodaj: Goli, për tifozët e Vllaznisë dhe familjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2025 | 22:23

EKSKLUZIVE/ Fitorja kundër Dinamos, talenti Dodaj: Goli, për tifozët e Vllaznisë dhe familjen

Kevin Dodaj ishte një nga futbollistët protagonist në fitoren e Vllaznisë ndaj Dinamos në shifrat 3-0.dodaj

Sulmuesi 19-vjeçar shënoi golin e dytë dhe të qetësisë për kuqeblutë kundër kryeqytetasve. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai shprehet shumë i lumtur për këtë sukses ndaj një rivali direkt. Ndërsa thekson se ky gol e “zhbllokon” pas një periudhe “thatësire” e po ashtu ai thekson se për Vllazninë është “luftë e hapur” deri në fund dhe se ekipi do të kërkojë suksesin në çdo duel.

Dodaj, një sukses i rëndësishëm përballë Dinamos apo jo?
Jam me të vërtetë i lumtur, sepse arritëm të reagonim shumë mirë pas një periudhe jo shumë pozitive. Treguam ritëm të mirë nga fillimi në fund ndaj një kundërshtari direkt dhe besoj se merituam fitoren në fund të këtij 90 minutëshi.

A është kjo Vllaznia e vërtetë?
Skuadra është e fortë që nga fillimi i sezonit, sepse kemi qenë gjithmonë në vendet e para. Ka pasur luhatje, por tani është momenti të jemi në maksimumin tonë në çdo ndeshje. Dhe nisja e këtij rrugëtimi ishte ndaj Dinamos, uroj të vijojmë kështu deri në fund.

U zhbllokuat edhe ju, ndonjë dedikim për golin?
Goli im vlen kur i shërben skuadrës, pavarësisht se ndihem mirë që shënova dhe ishte një gol që na dha qetësi. Rrjeta shkon për familjen time, por edhe të gjithë te Vllaznia dhe gjithë tifozët e Vllaznisë. Me ta në krah jemi edhe më të fortë.

Kupën apo kampionatin synon ky ekip?
Jemi në një rrugë ku duhet të luajmë në maksimum çdo duel. Nuk ka kthim pas, pastaj të shohim ku mund të arrijmë. Besoj se i kemi mundësitë për të ecur sërish përpara e për të bërë mirë edhe në ndeshjet e ardhshme.

Shpresoni ende te vendi i dytë?
Patjetër që po, besimi nuk humbet kurrë në skuadër dhe te drejtuesit. Edhe në ndeshjen e radhës ndaj Elbasanit në kampionat shkojmë me objektivin për të arritur një rezultat sa më pozitiv.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL