EKSKLUZIVE/ FIFA i jep të drejtë kapitenit të Partizanit, Skuka fiton gjyqin me mijëra euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2026 | 23:23

EKSKLUZIVE/ FIFA i jep të drejtë kapitenit të Partizanit, Skuka fiton gjyqin me mijëra euro

Lojtari i Partizanit, Xhuliano Skuka ka fituar zyrtarisht çështjen ligjore ndaj ish-klubit të tij në Rumani, Politehnika Ia?i, pranë Dhomës së Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve në FIFA. Vendimi është marrë në tetor të vitit 2025 dhe ka në qendër mospagimin e detyrimeve kontraktuale nga ana e klubit rumun gjatë sezonit 2024- 2025, kur Skuka ishte pjesë e skuadrës. Skuka kishte firmosur kontratë me klubin rumun më datë 10 shkurt 2025, me një kohëzgjatje të vlefshme deri më 10 qershor 2025.

Skuka

Sipas marrëveshjes, klubi ishte i detyruar t’i paguante lojtarit një bonus firmosjeje në fillimin e aventurës me vlerë prej 7.000 euro, si dhe një pagë mujore prej rreth 7,300 euro. Megjithatë, sipas dokumenteve zyrtare të FIFA-s, klubi i kaloi pagesat në llogarinë e sulmuesit vetëm për muajt shkurt dhe mars 2025, duke lënë të papaguara detyrimet për prillin, majin dhe një pjesë të qershorit, e në këtë formë duke mos respektuar kontratën për të cilën palët ishin dakordësuar në momentin e marrëveshjes. Pas dërgimit të një njoftimi zyrtar në korrik 2025 dhe mungesës së reagimit nga klubi, Skuka depozitoi padinë pranë FIFA-s më 15 gusht 2025.

Në vendimin e saj, Dhoma e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve urdhëroi klubin e Politehnika Ia?i të paguajë shumën prej 17,333 euro, si pagesë e prapambetur, së bashku me interes vjetor prej 5%. Interesat prej 5% do të llogariten për shumën 7,300 euro nga 16 maji 2025; për shumën 7,300 euro nga 16 qershori 2025; për shumën 2,433 euro nga 16 korriku 2025, deri në momentin e shlyerjes së plotë. Përveç detyrimeve financiare ndaj lojtarit, FIFA ka vendosur edhe një gjobë prej 1,000 dollarësh amerikanë ndaj klubit rumun, e cila duhet të paguhej brenda 30 ditëve. Xhuliano Skuka iu bashkua rumunëve të Iasit në shkurt të vitit 2025 duke u aktivizuar në 15 ndeshje e duke shënuar tre gola, por duke e mbyllur këtë eksperiencë pa shumë bujë.

Pas përfundimit të kësaj aventure në verën e vitit të kaluar, 27-vjeçari u rikthye në kryeqytet te Partizani, teksa me të kuqtë në këtë sezon mes kampionatit, ndeshjeve kualifikuese në Ligën e Konferencës dhe Kupës së Shqipërisë ka shënuar gjashtë gola në 20 paraqitje. Gjatë këtij sezoni, Skuka vuajti disa problematika të zgjatura fizike, megjithatë tashmë në momentin vendimtar të sezonit, sulmuesi duket se është rikthyer në formën e tij më të mirë duke u shndërruar në lojtarin që udhëheq repartin ofensiv të Partizanit ndërsa në derbin e kryeqytetit të fituar 2-0 ndaj Tiranës, mbajti edhe shiritin e kapitenit.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL