EKSKLUZIVE/ Egnatia tenton goditjen e madhe, një ish drejt kthimit për të synuar grupet në Europë
Edison Ndreca mund të jetë një nga surprizat më të mëdha të merkatos së verës te Egnatia. Mbrojtësi i krahut, i cili vetëm pak muaj më parë u largua nga Rrogozhina drejt kampionatit kazak, mund të rikthehet sërish te kampionët e Shqipërisë.

Burime pranë klubit bëjnë me dije për “Panorama Sport” se drejtuesit e Egnatias po monitorojnë nga afër situatën e futbollistit dhe nuk përjashtohet mundësia e një rikthimi të tij gjatë kësaj merkatoje. Bëhet fjalë për një profil që njihet shumë mirë nga stafi teknik dhe që nuk do të kishte asnjë problem përshtatjeje me grupin.
Ndreca u transferua në muajin janar te skuadra e Jelimait në elitën e futbollit kazak, në një operacion që i solli Egnatias rreth 70 mijë euro nga shitja e kartonit të mbrojtësit. Megjithatë, aventura e tij jashtë Shqipërisë nuk ka shkuar sipas pritshmërive. Futbollisti është aktivizuar vetëm në tri ndeshje, duke grumbulluar gjithsej 175 minuta në fushë dhe pa arritur të sigurojë një vend të qëndrueshëm në formacionin e ekipit. Pikërisht mungesa e hapësirave ka bërë që të lindin diskutimet për një largim të mundshëm gjatë kësaj vere.
FORMULA E RIKTHIMIT- Sipas informacioneve të siguruara nga gazeta, Egnatia e sheh me interes rikthimin e Ndrecës në Rrogozhinë. Kampionët e Shqipërisë janë në kërkim të alternativave për repartin defensiv dhe profili i 31-vjeçarit konsiderohet ideal, pasi ai njeh filozofinë e klubit dhe ambientin ku ka luajtur deri pak muaj më parë. Një rikthim i tij do t’i kursente stafit teknik kohën e përshtatjes, ndërsa futbollisti do të rikthehej në një skuadër ku ka lënë gjurmë dhe ku ka qenë pjesë e sukseseve të viteve të fundit.
Në këtë moment nuk ka ende një marrëveshje mes palëve, por burimet tregojnë se kontaktet ekzistojnë dhe situata po ndiqet me vëmendje. Mbetet për t’u parë nëse rikthimi do të realizohet në formën e huazimit apo përmes një transferimi të ri, nëse palët arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët. Merkatoja e Egnatias pritet të jetë shumë aktive në javët e ardhshme dhe emri i Edison Ndrecës është një nga ata që mund të rikthehet sërish në qendër të projektit të kampionëve, të cilët po ndërtojnë skuadrën për sfi dat e sezonit të ri dhe aventurën europiane.
Më herët është diskutuar edhe rikthimi i Regi Lushkjes, ndaj pritet të shihet sesi do të rrjedhin gjërat. Sakaq, sa i përket rikthimeve mund të konsiderohet një lojtar i rrogozhinasve sulmuesi Jurgens Montenegro, pasi akordi është arritur prej disa ditësh.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













