EKSKLUZIVE/ Dështim i paralajmëruar, FSHF zhduk “Final 4” nga Superiorja. Zbulohen variantet që po diskutohen
Sistemi i “Final 4” duket se ka mbërritur në fundin e rrugëtimit të tij në futbollin shqiptar. Burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit bëjnë me dije se faza finale, e aplikuar në tre sezonet e fundit të Superiores, nuk do të jetë më pjesë e formatit të kampionatit.

Sipas informacioneve, vendimi është marrë pas analizave të zhvilluara nga FSHF-ja, ku janë evidentuar disa problematika që kanë shoqëruar këtë skemë.
ARSYET – Një nga arsyet kryesore të heqjes së “Final 4” është numri shumë i ulët i tifozëve në ndeshjet finale të sezonit të fundit, pavarësisht rëndësisë së tyre në përcaktimin e kampionit. Po ashtu, formula ka prodhuar debate të shumta që prej vendosjes së saj. Shpesh është kritikuar fakti se një skuadër që dominon kampionatin e rregullt mund të humbasë titullin në vetëm një ose dy ndeshje, duke vënë në diskutim vlerën e 36 javëve të sezonit.
Në disa raste, sistemi ka sjellë surpriza të papritura dhe pakënaqësi te klubet pjesëmarrëse. Një tjetër element që ka ndikuar në këtë vendim ka qenë mungesa e skuadrave të kryeqytetit në fazën finale, çka ka ndikuar edhe në interesin e publikut dhe të tregut. Gjithashtu, pritshmëritë për rritjen e rivalitetit dhe spektaklit nuk janë përmbushur në nivelin e parashikuar kur u prezantua ky format.
MODELI I RI – Burimet pranë federatës bëjnë të ditur se “Final 4” konsiderohet tashmë një eksperiment i dështuar pas tre sezonesh në elitën e futbollit shqiptar, ndaj drejtuesit e FSHF-së po punojnë për një formulë të re të kampionatit. Aktualisht janë në diskutim disa variante.
Njëri prej tyre parashikon rikthimin te kampionati klasik me katër faza dhe 36 javë, ku skuadra që grumbullon më shumë pikë shpallet automatikisht kampione. Një alternativë tjetër është një format me 33 ose më pak javë, i kombinuar me ndarje të skuadrave në fazën e fundit të sezonit, sipas renditjes.
Vendimi përfundimtar pritet të merret në javët e ardhshme, por gjithçka tregon se sezoni i ri i Superiores do të zhvillohet pa “Final 4”, duke mbyllur kështu një kapitull që shkaktoi diskutime të shumta në futbollin shqiptar.
OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL













