EKSKLUZIVE/ Derbi i Gallos, ish-mbrojtësi analizon kryendeshjen: Dinamo solide, Tirana në presion (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2025 | 21:11

EKSKLUZIVE/ Derbi i Gallos, ish-mbrojtësi analizon kryendeshjen: Dinamo solide, Tirana në presion (E PLOTË)

E diela sjell derbin mes Tiranës dhe Dinamos, që luhet në “Elbasan Arena”. Dy skuadrat kryeqytetase vijnë në kushte të ndryshme në këtë sfidë që mbyll fazën e tretë të kampionatit: bardheblutë të parafundit në renditje dhe të rrezikuar nga rënia, ndërsa blutë në vend të tretë dhe me Europën thuajse të siguruar, pas kalimit në gjysmëfinale të Kupës.

gallo

Dinamo në letër mund të jetë favorite, por derbi mbetet derbi dhe gjithçka e tregon vetëm fusha e blertë. Alpin Gallo, ish-mbrojtësi kampion me fanellën e Dinamos dhe me një eksperiencë edhe te Tirana, në një intervistë për “Panorama Sport”, shprehet se bardheblutë janë në vështirësi reale dhe ndiejnë presionin jo vetëm në derbi, por në çdo ndeshje. “Nëndetësen” e sheh si një skuadër solide dhe që ka zgjidhje për çdo situatë të ndeshjes.

Alpin, këtë fundjavë luhet derbi mes Tiranës dhe Dinamos. Çfarë ndeshje mund të presim në “Elbasan Arena”?

Në raste të tilla thuhet gjithmonë ajo shprehja “derbi mbetet derbi”, por sigurisht që nuk është një ndeshje mes të barabartëve, siç e tregon qartë edhe tabela e renditjes. Tiranën e shoh në vështirësi të madhe, kurse Dinamo ka krijuar atë fizionominë e saj të lojës si një skuadër solide. Rezultatet nuk janë rastësi, Dinamo është një skuadër solide dhe pretendente reale për titullin.

Duke analizuar me radhë secilën skuadër, cili është gjykimi juaj për Dinamon aktuale?

Si ish-lojtar i saj dhe kampion me fanellën e Dinamos, së pari më bëhet qejfi që po kthehet në nivele të larta. I bën mirë edhe futbollit shqiptar. Skuadra e ka treguar veten në fushë, ku ka luajtur një futboll të bukur, ndoshta jo gjithmonë. Rezultatet nuk janë rastësi, Dinamo është një skuadër solide dhe pretendente reale për titullin.

Ka lojtarë që interpretojnë mirë të dyja fazat e lojës, mbrojtje dhe sulm. Dinë të vendosen mirë edhe kur nuk e kanë topin, plus që gjejnë gjithmonë një zgjidhje për të dalë nga situatat e vështira. Reagon kur merr gol dhe menaxhon mirë lojën kur është në avantazh. Avantazhi i Dinamos është që ka edhe lojtarë që dinë të penetrojnë mirë në mbrojtjen e kundërshtarit, si: Bregu, Zabërgja dhe ndonjë tjetër. Kjo është shumë e rëndësishme.

Po Tirana, pse ka arritur deri në këtë pikë, sipas jush?

Tirana e këtij sezoni ka humbur shumë gjëra nga ato që e dallonin nga skuadrat e tjera dhe që përbënin atë që quhet tradita e Tiranës. E kam fjalën për agresivitetin në fushë, personalitetin, futbollin fizik, presingun lart, imponimin ndaj kundërshtarit, efikasitetin në lojën mbrojtëse dhe sulmuese.

Sa mund të ndikojë presioni i renditjes tek Tirana dhe sa e favorizon ky fakt Dinamon?

Tirana e vuan dhe do ta vuajë presionin e pozicionit që ka në renditje, patjetër. Çdo rezultat pozitiv i rivalëve do të thotë më shumë presion për Tiranën. Vendi i parafundit në renditje rëndon shumë. Dinamo, edhe pas kualifikimit në Kupë, mendoj se do të ketë një motivim më të madh për ta fituar derbin. Ka më shumë qetësi dhe besoj se do të bëjë lojën e saj të zakonshme. Por në derbi nuk ka asgjë të sigurt, vendosin shumë detajet dhe episodet. Uroj të luhet futboll i bukur.

Ku i sheh këto dy skuadra në fund të sezonit?

Për Tiranën do të thosha se, nëse qëndron në Superiore, do të ishte sukses ose një shpëtim nga turpi. Dinamo është në pozitat ku mund të fitojë trofe dhe do të luajë “kartat” e saj. Të shohim, janë edhe 10 javë kampionat.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL