EKSKLUZIVE/ “Deklarata e Milinkoviçit ishte emocionale”, Behari: Partizani-Tirana një kryqëzim, po gjete rrugën… fiton (E PLOTË)
Ardi Behari, ish-futbollisti vlonjat i Partizanit, është i njohur për gjykimin e tij. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Behari analizon situatën e Partizanit pas humbjes në Ballsh ku gabimet individuale dhe mungesa e stabilitetit në prapavijë ndikuan drejtpërdrejt në rezultat.

Ish-mbrojtësi ndalet te deklaratat e trajnerit Milinkoviç, duke i konsideruar më shumë si reagime emocionale sesa si gjykime afatgjata. Ai shpjegon vështirësitë që po kalon Partizani për shkak të dëmtimeve, prurjeve të shumta dhe nevojës për kohë në ndërtimin grupit të ri. Behari flet edhe për derbin me Tiranën që është në prag, dhe ka një koment për skuadrat që kanë bërë më mirë se pjesa tjetër deri tani.
Humbja me Bylisin tronditi Partizanin. Çfarë nuk shkoi në Ballsh?
Në Ballsh fitoi ajo skuadër që e dëshiroi më shumë fitoren. Gabimet individuale të mbrojtësve të Partizanit i dhanë një ndihmë të paçmueshme Bylisit për të konkretizuar volumin e lojës së zhvilluar. Edhe pse Partizani e filloi mirë ndeshjen, edhe pse kaloi i pari në avantazh, pasiguria e shfaqur në prapavijë bëri që Bylis të fitonte epërsi territoriale dhe të kthente rezultatin në favor të tij.
Milinkoviç u shfaq i dorëzuar pas ndeshjes dhe po ashtu tha se Partizani nuk kishte një lider. Si i gjykoni fjalët e tij?
Janë reagime emocionale menjëherë pas ndeshjes, në trysninë e mërzitjes dhe rezultatit. Këto deklarata nuk mund t’i marrim për bazë për vazhdimësinë, por duhet t’i konsiderojmë në funksion të 90-minutëshit të sapo përfunduar.
Buxhelaj u rikthye dhe mori vendin e Atanaskoskit si titullar, Garsia të Gudjufit ndaj Bylisit. Çfarë mendoni për këto ndryshime në formacion?
Janë ekskluzivitet i trajnerit, sepse është njeriu që jeton me lojtarët përditë, i njeh më mirë se kushdo tjetër, njeh gjendjen e secilit, dhe e ka detyrë funksionale të bëjë zgjedhjen e atyre që janë më në formë dhe kanë karakteristikat e duhura në varësi të ndeshjes së radhës.
Ku çalon Partizani dhe cilat janë anët e tij pozitive?
Partizani i këtij sezoni, në këto pesë ndeshje, po përballet me një vështirësi shumë të madhe sipas gjykimit tim. Dëmtimet, të cilat kanë ndikuar jo pak edhe në zgjedhjet e trajnerit dhe në vazhdimësinë e lojtarëve. Kjo, e bashkuar me faktin që është një skuadër relativisht e re me shumë prurje të reja të kombësive të ndryshme dhe nevoja për të implementuar sa më shpejt stilin e lojës, e bën kolaudimin e skuadrës shumë të vështirë. Sigurisht, rezultatet e deritanishme nuk e ndihmojnë në këtë aspekt.
Ana pozitive mbetet që është Partizani, një nga emblemat e futbollit shqiptar, në fillimin e një cikli të ri, me një grup të ndërthurur mirë duke u bazuar në karakteristikat e lojtarëve. Në mos gaboj, ka në përbërje disa lojtarë të kombëtareve.
Pse Partizani nuk po shënon rregullisht?
Sepse në futboll, rruga për të finalizuar me gol është më e vështira për t’u arritur. Kjo kërkon jo vetëm të jesh një skuadër solide duke mos rrezikuar në fazën mbrojtëse për të qëndruar sa më gjatë në lojë, por edhe automatizma në manovër, për të cilat nevojitet kohë, cilësi dhe entuziazëm. Mos të harrojmë se, përveç dëmtimeve, Partizani ka pasur lojtarë të rëndësishëm në këtë aspekt që janë bashkuar vonë me skuadrën dhe ky fakt ka pasojat e tij në performancë.
Nga kush prej futbollistëve prisni më tepër?
Pres më shumë nga ata lojtarë që ndihen titullarë te Partizani. Shembulli është në skuadër. Shembull jo vetëm për Partizanin, por për gjithë kampionatin shqiptar. Alban Hoxha, i cili pavarësisht statusit që ka, është aty me performanca të larta, kurdo që e kërkon situata.
Përpara është derbi me Tiranën, të dyja skuadrat në zonën e ftohtë. Kë shikoni favorit dhe që mendoni se do bëjë më mirë?
Fatkeqësisht ky derbi i gjen skuadrat në situatat respektive aspak të kënaqshme, por njëkohësisht është një nga ato kryqëzime ku po gjete kthesën e duhur, udhëtimi bëhet më i lehtë.
Elbasani, Vllaznia dhe Egnatia tashmë me një diferencë nga të tjerët. Cili prej tyre po ju befason më tepër këtë sezon?
Nuk më befason Egnatia sepse është rrjedhë logjike e punës së tyre e shtrirë në kohë. Edhe Vllaznia nuk më befason, duke parë ndërtimin e skuadrës dhe trinomin Martini-Sinani–tifozët shkodranë. Me kënaqësi konstatoj te Elbasani mënyrën e ndërtimit të skuadrës duke ruajtur strukturën dhe plotësimin e saj me elementë cilësorë. Vazhdimësia e stafit drejtues po i jep të drejtë për zgjedhjet që ka bërë.
A besoni se Dinamo do e marrë veten, bazuar edhe te fitorja në derbi?
Sigurisht që po. Më shumë se fitorja në derbi dhe pavarësisht mungesës së qendërmbrojtësve, garanci për vazhdimësinë shikoj stafin drejtues, cilësinë dhe eksperiencën e lojtarëve që ka në përbërje.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













