EKSKLUZIVE/ Çoba: Vllaznia tregoi forcën, radha e klasikes. I duam të dy trofetë… (E PLOTË)
Mehdi Çoba ka qenë një nga futbollistët më në formë te Vllaznia në periudhën e fundit.
Madje ai është aktivizuar edhe në rolin e mbrojtësit të majtë, ku ka arritur të tregojë vlerat e tij edhe në një rol, ku nuk ka luajtur kurrë më parë. Për “Panorama Sport” ai ka folur së fundmi në një intervistë ekskluzive, ku ka analizuar fitoren e fundit ndaj Partizanit.
Mëngjarashi ndalet edhe tek objektivat e skuadrës këtë edicion, performanca personale, por edhe ndeshja “klasike” kundër Tiranës në javën e 29-të të kampionatit.
Çoba, sa i rëndësishëm ishte ky sukses ndaj Partizanit?
Ishte një fitore besoj e merituar, në totalin e ndeshjes zhvilluam një lojë më të mirë se kundërshtari duke merituar në fund edhe tri pikët. Zbatuam çdo gjë çfarë na kishte komunikuar trajneri gjatë javës dhe ia dolëm me sukses. Uroj të vijojmë në këtë rrugë e t’i kemi edhe tifozët në krah, pasi ishin një mbështetje e madhe për ne kundër Partizanit.
Sa moral i japin ekipit fitore të tilla?
Pavarësisht se ndoshta Partizani nuk është në formën më të mirë, ata janë një ekip i madh. Janë pretendentë edhe këtë sezon dhe një fitore ndaj rivalëve direkt shijon shumë. Patjetër, për të treguar edhe forcën tonë e po ashtu për të qenë sa më të motivuar për ndeshjet e radhës që do të pasojnë.
Tashmë renditeni në vendin e dytë, do të arrijë Vllaznia ta ruajë pozicionin?
Ne duhet të qëndrojmë me kokën ulur, të jemi të përqendruar në çdo takim. Një ndeshje të ngre lart e po ashtu një të ul poshtë, sepse ekipet janë shumë të ngjeshura në klasifikim. Për të qëndruar në dy pozicionet e para duhet të japim gjithmonë më të mirën tonë në çdo moment dhe në çdo ndeshje, duke mos nënvlerësuar asnjë kundërshtar që do të kemi përballë.
U duk sikur ekipit i “ndërroi” fytyra nga ndeshja e fundit me Laçin, morët ndonjë këshillë nga Brdariç?
Sekretet e ekipit nuk tregohen (qesh). Është e vërtetë që në pjesën e parë me Laçin ishim nën nivelin e duhur, por mendoj se reaguam mirë në të dytën. Atë çfarë treguam në pjesën e dytë kundër Laçit, e shfaqëm edhe përballë Partizanit së fundmi. Tashmë duhet të jemi gjithmonë në këtë nivel, sepse kalendari ngjishet dhe ndeshjet bëhen akoma më të vështira.
Vllaznia synon kampionatin dhe Kupën, besoni se mund t’ia dilni?
Tashmë jemi në një pikë ku ekipi është në garë për të dyja kompeticionet. Duhet të bëjmë sa më mirë dhe të përmirësohemi në çdo duel. Pastaj se çfarë mund të arrijmë, do ta shohim me kalimin e kohës.
Kalojmë pak te performanca personale, po aktivizoheni edhe si mbrojtës i majtë. Ndiheni mirë?
Luaj ku të ketë nevojë skuadra dhe jo vetëm unë, por çdo futbollist te Vllaznia. Dhe këtë e kemi parë shpesh gjatë këtij sezoni, ku lojtarë të ndryshëm janë aktivizuar në disa pozicione. Mundohem të jap më të mirën çdo herë që jam në fushë. Në periudhën e fundit kam luajtur në vazhdimësi dhe dua të vijoj të jap kontributin tim në sukseset e ekipit.
100 ndeshje me Vllazninë, çfarë do të thotë kjo për Çobën?
Është një krenari më vete, sepse është ëndrra e çdo fëmije në Shkodër. Jam pjesë e ekipit të zemrës dhe më të madhit në vend. Shpresoj të vijojë me paraqitje të tjera dhe me trofe në të ardhmen.
Dueli i radhës është “klasikja” kundër Tiranës, si shkon skuadra në këtë ndeshje?
Është një ndeshje që çdo shkodran e përjeton, sepse është ndaj rivalëve historikë. Pavarësisht vendit ku ndodhet Tirana në tabelë, nuk ka ndonjë nënvlerësim ndaj tyre, sepse në “klasike” ekipet “transformohen”. Megjithatë objektivi ynë mbetet i qartë dhe ajo është fitorja e çdo ndeshjeje deri në fund të edicionit.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













