EKSKLUZIVE/ Bylykbashi: Partizani largoi 4 “shtyllat” e ekipit, Egnatia favorite! Titulli, më i vështirë për të kuqtë (E PLOTË)
Partizani po përgatitet për një ndeshje shumë të fortë kundër Egnatias, kryesuese dhe kampione në fuqi.

Para kësaj beteje, në një prononcim për “Panorama Sport” ka folur ish-fantazisti i të kuqve, Dorian Bylykbashi. Elbasanasi shprehet se të kuqtë kanë humbur mjaft forcë me largimet e janarit dhe rruga për tek titulli është vështirësuar. Ama, sipas tij, fanella e kuqe rëndon.
Si ju duket ky Partizan i 2025-ës?
Ka pasur largime shumë të rëndësishme dhe mendoj se është shumë e vështirë të zëvendësohen menjëherë, pavarësisht përpjekjeve të klubit për të sjellë lojtarë. Mba, Rrapaj, Cara dhe Hadroj ishin shtyllat e ekipit. Ndryshimet në janar janë gjithnjë të vështira, por shpresoj që afrimet të bëjnë diçka, sepse ende nuk i kemi parë të gjithë në fushën e lojës dhe nuk i kanë treguar cilësitë e tyre. Shpresoj shumë që boshllëku i lënë nga të rinjtë të plotësohet sadopak.
Cili nga lojtarët do të jetë më e vështirë të zëvendësohet?
Të katërt ishin shumë të rëndësishëm, por veçanërisht treshja që ndihmonin në aspektin sulmues. Është problem i madh kur të ikën një sulmues i rëndësishëm, jo më tre.
Mendoni se pas lëvizjeve të janarit është vështirësuar rruga e Partizanit për titullin kampion?
Sigurisht, do ta ketë të vështirë, sepse largimet janë të rënda. Janë katër titullarë dhe mendoj se duhej të ishin marrë masat më përpara për t’i zëvendësuar. Nëse klubi e dinte prej kohësh për largimin e tyre, duhej të ishte lëvizur në mënyrë paraprake për zëvendësimin e tyre me lojtarë të të njëjtit nivel. Në momentin që pretendon për titullin kampion, duhet të jesh i plotësuar në maksimum në të gjitha pozicionet, por duhet të ndjekësh edhe hapat e skuadrave kundërshtare.
Po të shohim, Egnatia ka bërë afrime të rëndësishme, që kanë nisur të kontribuojnë direkt me ekipin. Sa u përket ekipeve të tjera, nuk kanë bërë ndonjë lëvizje të madhe, por arritën të ruanin grupin. Partizani nuk zgjodhi ta bëjë këtë, nga një anë shumë mirë bëri, sepse të ardhurat janë shumë të rëndësishme dhe duhej të ishte munduar t’i zëvendësonte shumë mirë largimet.
Si ju duk derbi mes Partizanit dhe Tiranës?
Në derbi përjeton emocione, por nuk është se bëhet ndonjëherë futboll shumë cilësor. Skuadrat janë gjithnjë të ndryshuara. Kështu ndodhi edhe te ky i fundit. Dy skuadrat tentuan në mënyrat e veta, Tirana ishte më e rrezikshme, Partizani më i matur. Në fund mendoj se barazimi ishte rezultati më i drejtë. Të kuqtë shënuan në fund dhe shpëtuan nga një humbje e dhimbshme.
U luajt në “Arenën e Demave”, ku pati edhe incidente. Mendoni se derbi duhet zhvilluar gjithnjë në “Arenën Kombëtare”?
Shumë mirë që u bë në “Arenën e Demave”, por sigurisht që derbi është gjithnjë ndeshje e veçantë dhe duhet të jenë sa më shumë tifozë të të dyja ekipeve. Për mendimin tim, kjo ndeshje duhet të luhet vetëm në “Arenën Kombëtare”. Është një nga të paktat ndeshje në Shqipëri që i ka hije të zhvillohet vetëm në atë stadium. Tifozeritë e të dyja ekipeve meritojnë ta shohin derbin në një impiant të tillë.
Partizani sfidon Egnatian. Cilin ekip shihni si favorit?
Në letër në këtë rast Egnatia është disi më favorite. Luan para tifozëve të vet, ka një diferencë komode me të kuqtë në renditje dhe janë ekip më në formë. Por asnjëherë të mos harrojmë se ajo fanella e kuqe peshon shumë. Në përballje të tilla, Partizani gjithnjë ka treguar se mund të nxjerrë nga repertori ndeshje shumë të mira. Mendoj se mund ta ndalë Egnatian.
Nuk është se ka diferenca të frikshme. Nëse fiton Partizani, situata në renditje ngushtohet shumë. Partizani duhet ta ndalojë me patjetër Egnatian, sepse kapja e kreut bëhet më e vështirë pastaj. Megjithëse në fund është “Final 4” dhe gjithçka zerohet. Por kjo javë është shumë e rëndësishme, sepse skuadrat e katërshes sfidojnë njëratjetrën.
Në çfarë vendi e shihni Partizanin të renditur në fund?
Nuk është se ka ndonjë rëndësi të madhe se dole i pari apo i katërti. Rëndësi kanë ato dy ndeshjet e fundit. Nëse je në formë, ti fiton kampionatin. Egnatia mund të jetë mirë gjithë vitin, por në fund çfarë nuk ndodh në një ndeshje të vetme. “Final 4” është shumë specifike. Ka të dyja anët e medaljes. Ekziston mundësia që një ekip që siguron katërshen, mund ta ulë ritmin.
Prisni që Elbasani të kthehet te fitorja kundër Bylisit, që po kalon situatë të vështirë?
Shpresoj shumë të kthehen të fitojnë sa më parë. Është një ekip i ndërtuar nga e para, por stafi dhe lojtarët janë shumë cilësorë. Viti i parë në Superiore është i vështirë gjithnjë, nuk mund t’i kërkojmë të jetë pretendent menjëherë. Stafi dhe ekipi punojnë fort dhe pa u lodhur. I pashë edhe në ndeshjen e fundit me Egnatian, ku skuadra bëri një ndeshje relativisht të mirë dhe nëse do të shënonte Tsage nga penalltia, gjërat mund të shkonin ndryshe. Me Bylisin është detyrim fitorja, edhe për tifozerinë “Tigrat”, që e mbështesin vazhdimisht ekipin dhe i kanë shtuar bukurinë Superiores me praninë e tij gjithnjë të zjarrtë dhe të shumë në stadium.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL













