EKSKLUZIVE/ Boshatiset sulmi, Partizani kthen shikimin nga Skuka! Bomberi dibran del i lirë në qershor (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2025 | 21:49

EKSKLUZIVE/ Boshatiset sulmi, Partizani kthen shikimin nga Skuka! Bomberi dibran del i lirë në qershor (E PLOTË)

Xhuliano Skuka kthe het në një opsion për Partizanin. Dibrani në gjysmën e dytë të këtij sezoni iu bashkua Poli Iasit, pas një aventure të vështirë me Penafiel në Ligën e Dytë portugeze. Me rumunët dibrani ka treguar shenja pozitive duke dhënë sinjale se mund të kthehet në nivelet e dikurshme, kur e ndihmonte Partizanin të fitonte tituj.

SKUKA

Dibrani arriti të shënojë 3 gola në 9 ndeshje me rumunët, që e kanë pëlqyer jo pak sulmuesin, por kontrata përfundon në këtë verë dhe duket e vështirë që palët të vazhdojnë bashkëpunimin.

INTERESI – Burime për “Panorama Sport” bëjnë me dije se tri klube të Superiores kanë dërguar sinjale bashkëpunimi për Skukën, teksa një mes tyre është edhe Partizani. Nisur nga fakti që dibrani për momentin është ende në aktivitet ka bërë që të mos ketë asnjë lëvizje konkrete, por vetëm kontakte në distancë për bashkëpunim të mundshëm. Për Skukën, kampionati shqiptar mbetet plani “B”, pasi dëshira është të luajë ende jashtë, në liga dhe ekipe më të forta. Në rast se nuk do të arrinte të gjente ekip jashtë vendit, Skuka do të shqyrtojë opsionet e Superiores, ku Partizani shihet si favorit për shkak të së shkuarës.

ME PARTIZANIN – Skuka është një nga sulmuesit më cilësorë që kanë shkelur te Partizani në vitet e fundit. Ai ishte protagonist absolut në dy gjysma sezonesh që luajti me të kuqtë. Në 65 ndeshje si “Dem”, dibrani shënonte 28 gola dhe dhuronte 11 asiste në të gjitha kompeticionet. Jo vetëm kaq, pasi ai është shitja më e shtrenjtë e futbollit shqiptar. Në janar të 2023-shit, Skuka u shit për plot 1.4 milionë euro te Metzi në Ligue 1.

SULMI “BOSH” – Të kuqtë kanë parë t’u largohet Mba, Cara dhe Bintsuka në një kohë mjaft të shkurtër. Kjo treshe ishte ndër më kryesoret në dy vitet e fundit dhe me Skukën, Partizani jo vetëm do të plotësonte numrat, por edhe do të rriste cilësinë në nivelet për të qenë i gatshëm të luftojë për titullin kampion. As Blesing Eleke nuk pritet të rinovojë kontratën që skadon në fund të muajit. Përveç kësaj, Vujnoviç, Podstrelov dhe Gudjufi flitet se nuk bëjnë pjesë në planet e Gegës dhe mund të largohen në ditët apo javët në vazhdim.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL