EKSKLUZIVE/ Bajrami para ndeshjes së kthimit me Vikingurin: Fitore “zjarr”, Vllaznia e beson kalimin e turit (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 28, 2025 | 20:55

EKSKLUZIVE/ Bajrami para ndeshjes së kthimit me Vikingurin: Fitore “zjarr”, Vllaznia e beson kalimin e turit (E PLOTË)

Melos Bajrami ishte nismëtari i përmbysjes së Vllaznisë ndaj Vikingur. Mbrojtësi u aktivizua në pjesën e dytë në takimin ndaj islandezëve dhe gjeti golin e barazimit në minutën e 67-të, që do t’u jepte kuqebluve një moral dhe ritëm tjetër më pas.

MELOS-BAJRAMI

Për “Panorama Sport” ai ka folur për suksesin e skuadrës shkodrane, ku thekson se ende gjithçka ngelet e hapur për kualifikimin. Ndër të tjera ai komenton edhe paraqitjen e tij individuale dhe sezonin e tij të dytë në radhët e shkodranëve.

Bajrami, një fitore plot emocione ajo e së enjtes përballë Vikingur apo jo?

Absolutisht që po, ishte një fitore “zjarr” siç mund të thuhet në gjuhën e futbollit. Besoj se e merituam, pasi në pjesën më të madhe të lojës e dominuam kundërshtarin. Pavarësisht se kemi bërë vetëm “gjysmën” e rrugës dhe duhet ende të përfundojmë “misionin”, pasi akoma s’kemi arritur diçka konkrete.

Po çfarë ndryshon në pjesët e dyta për Vllazninë, edhe në Letoni ndodhi e njëjta situatë si në Shkodër. Ndonjë sekret?

Jo, nuk është se ka ndonjë sekret, por thjesht besim dhe motivim për të bërë mirë. Ne i kemi cilësitë e një skuadre që di të luajë futboll dhe duhet t’i shfrytëzojmë këto fakte. Po ashtu, luanim në shtëpi, në Shkodër ndeshjen e parë sezonale dhe nuk donim aspak të zhgënjenim tifozët tanë të shkëlqyer.

Një mesazh për tifozët meqë i përmende?

Ne treguan një mbështetje të jashtëzakonshme, siç ndodh gjithmonë këtu në Shkodër. Ishin një “armë” plus për ne dhe uroj t’i kemi kështu në numër ndoshta edhe më të madh edhe në ndeshjet e ardhshme. Gjithashtu kjo na motivon akoma më shumë për të bërë mirë në ndeshje dhe mos zhgënjyer të pranishmit në stadium.

Ishte ky sukses ndaj Vikingurit, një “gjysmë” hapi drejt turit të tretë të “Conference League”?

Për në asgjë s’ka mbaruar, madje as nuk ka “nisur” ende. E dimë që në Islandë do të na presë një ndeshje shumë e vështirë dhe ne rinisemi nga një rezultat 0-0 edhe njëherë. Nuk ka vend aspak për eufori apo ide se turi tashmë është i kaluar. Pavarësisht se ne duam të arrijmë diçka historike për të kualifikuar ekipin për herë të parë në turin e tretë të Conference League

Pra, kjo do të thotë se keni besim për kalimin e këtij raundi?

Patjetër që besojmë në kualifikim dhe për këtë nuk ka arsye të trembemi. Ne i kemi treguar vlerat tona besoj dhe prandaj nisemi besimplotë për ndeshjen e së enjtes. Udhëtojmë në Islandë për fitore sërish dhe për të treguar edhe njëherë fytyrën tonë të vërtetë.

Kalojmë pak te ju personalisht, erdhët nga stoli dhe shënuat, kërkoni fanellën e titullarit në ndeshjen e radhës?

Te Vllaznia ka diçka që ndoshta tek ekipet e tjera nuk është në këto “doza”. Këtu janë të gjithë të rëndësishëm njësoj dhe ky është një mentalitet i trajnerit Martini. Si ai që luan 90 minuta dhe ai që luan 1 minutë jep njëlloj kontributin në fushën e lojës. Unë jap më të mirën gjithmonë kur zbres në fushë dhe jo vetëm unë, por të gjithë çunat. Prandaj kushdo të zbresë në fushën e lojës besoj se do të jetë në maksimumin e tij dhe do të japë gjithçka nga potenciali që ka.

Sezoni i dytë në Shkodër, i lumtur dhe i përshtatur më mirë tashmë?

Jam në një qytet dhe klub që e do të shumë futbollin, e ndiej respektin e të gjithëve dhe kjo më gëzon. Kjo më shtyn të jap më shumë nga vetja dhe të përmirësohem sa të mundem. Uroj dhe besoj se performancat e mia dhe të skuadrës do të jenë më të mira nga ndeshja në ndeshje për të kënaqur të gjithë në Shkodër.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL