EKSKLUZIVE/ Bajramaj: Vllaznia ka uri, tjetër “lezet” kur mposht Partizanin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2025 | 21:11

EKSKLUZIVE/ Bajramaj: Vllaznia ka uri, tjetër “lezet” kur mposht Partizanin (E PLOTË)

Një nga futbollistët më të mirë në fushë në ndeshjen Vllaznia-Partizani ishte edhe Melos Bajrami.HSABDMbrojtësi madje gjeti edhe golin e dytë, duke vulosur tri pikët e kuqebluve. Për “Panorama Sport” ai foli pikërisht për suksesin ndaj të kuqve. 23-vjeçari thekson se shkodranët e merituan fitoren, teksa tregon se skuadra ka “uri” për sukses në çdo ndeshje.

Fitore e rëndësishme kjo me Partizanin…

Patjetër që po, ishim përballë tifozëve tanë, të cilët gjej rastin t’i falënderoj dhe duhet t’i shpërblenim me fitore. Fatmirësisht, ia arritëm përballë një ekipi të fortë si Partizani. Besoj se treguam një Vllazni të fortë, por që patjetër duhet të përmirësohemi gjithmonë e më shumë…

Pavarësisht situatës së Partizanit, sukseset ndaj këtyre ekipeve “shijojnë” më shumë apo jo?

Partizani është ekip pretendent dhe pavarësisht se nuk po kalon moment të mirë, ngelet shumë i fortë. Prandaj është momentalisht në “Final 4” dhe në gjysmëfinale të Kupës. Çdo fitore dhe sukses shijon, por ndaj ekipeve të mëdha sikur ka tjetër “lezet”.

Mbrojtja mbajti “0” (zero) mbrapa, jeni të kënaqur me paraqitjen?

Mbron i gjithë ekipi siç është shprehja, jo vetëm mbrojtja. Po ashtu Aroni (Jukaj) bëri punë të mirë në 2-3 raste. Uroj të vijojmë kështu, sepse ndeshjen e fundit ndaj Laçit ndoshta bëmë disa gabime, që i përmirësuam kundër Partizanit. Shpresoj të vijojmë deri në fund në këtë rrugë.

Gjetët edhe golin, ndonjë dedikim?

Më vjen mirë që shënova për të siguruar 3 pikët në fund. S’ka rëndësi suksesi individual para atij ekipor, sepse nëse nuk do të merreshin pikët, goli im apo i Grudës nuk do të kishin vlerë. Dedikimin e kam për familjen time që janë mbështetja më e madhe.

Ndeshja e radhës është me Tiranën, si shkon Vllaznia?

Ne shkojmë super të motivuar dhe me besimin e plotë. Vllaznia kërkon gjithmonë suksesin, pavarësisht kundërshtarit, ku të gjithë i respektojmë. Kemi “uri” për suksese të tjera dhe ndaj Tiranës hymë në fushë për fitore.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL