EKSKLUZIVE/ Apel për shifrat e lojtarët që lakohen, Pinari: Fokusi tek Europa, mos abuzoni me emrin e Dinamos! (E PLOTË)
Kalimi direkt në turin e dytë eliminator të Ligës së Konferencës i dha Dinamos më shumë kohë për të përgatitur sfidat europiane.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Daja ndodhet aktualisht në Ohër, ku prej disa javësh po kryen stërvitje intensive, ndërkohë që ka zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore, e fundit dje ndaj Ferizajt, që përfundoi me rezultatin 0-0. Blutë kanë bërë disa përforcime, nga ana tjetër janë larguar Toli dhe Rufati. Klubi kryeqytetas mbetet në merkato, si në hyrje, edhe në dalje.
PINARI – Drejtori sportiv i Dinamos, Luan Pinari, thekson për “Panorama Sport”, se fokusi është i gjithi tek Europa, me qëllimin për të bërë një paraqitje sa më të mirë dhe për të synuar kalimin në turin tjetër. “Prej disa javësh, skuadra po stërvitet në kushte mjaft të mira në Ohër, ku gjithçka ka shkuar mirë përgjithësisht. Ka pasur ndonjë problem fizik, siç ka qenë rasti i Alijit, por edhe ai është bashkuar me ekipin. Kemi zhvilluar disa miqësore, ku qëllimi është që lojtarët të kapin ritmin dhe rezultati kalon në plan të dytë.
Jemi të angazhuar maksimalisht të gjithë që Dinamo të thotë fjalën e saj në Europë, duke synuar që të shkojë sa më larg të jetë e mundur. Kemi kohën e duhur në dispozicion dhe kam besim të plotë te skuadra dhe trajneri Daja se do të paraqitemi mirë në ndeshjet europiane”, thotë fillimisht ish-kapiteni i bluve. Dinamo i bie të jetë ekipi shqiptar me përgatitjen më të plotë për aventurën europiane, pasi punën e kanë nisur herët, por edhe debutimin e kryejnë nga turi i dytë i Ligës së Konferencës.
APELI- Më tej, i ngacmuar në lidhje me merkaton e Dinamos, ku ka zëra të shumtë për shitje e blerje, Pinari kërkon të bëjë një apel: “Është kohë merkatoje dhe normalisht ka shumë zëra, përfliten shumë emra, si në çdo klub. Unë do të ftoja median që të jetë pak më e kujdesshme, kur bëhet fjalë për këtë temë, sepse jo çdo lojtar që është në treg ka lidhje me Dinamon. Klubi ynë është i hapur për të dhënë informacion për çdo lëvizje që bën.
Duam që të mos abuzohet me emrin e Dinamos, sepse kemi parë që përmenden shifra spekulative për lojtarët e skuadrës sonë, që janë më të kërkuarit në merkato. Me konsensus janë larguar Toli dhe Rufati, të cilët klubi i falënderon për kontributin e dhënë sezonin e fundit me fanellën blu. Të tjerët janë me kontratë dhe janë vlerë e klubit, ndaj dhe kanë një kosto. Me ekipin janë bashkuar katër lojtarë të rinj deri tani. Merkatoja jonë vazhdon, presidenti Bardhi është i gatshëm ta fuqizojë Dinamon sa më shumë”, shprehet drejtori i Dinamos.
PANORAMASPORT.AL













