EKSKLUZIVE/ Analiza e trajnerit Duro: Veselinoviç u nxitua, duhet të kishte vulën e merkatos! Tirana zhgënjim (E PLOTË)
Superiorja ka rinisur, e shoqëruar edhe me ethet e lëvizjeve në merkato.

Klubet kanë larguar e kanë afruar lojtarë, teksa një pjesë e tyre po përpiqen të prishin balancat e renditjes. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, në lidhje me këto zhvillime ka folur trajneri i njohur, Shpëtim Duro. Ai shprehet se Egnatia është pretendente kryesore për titullin, teksa komenton edhe situatën e krijuar mes trajnerit dhe drejtuesve të Partizanit.
Profesor, çfarë përshtypjeje ju lë Superiorja deri më tani?
Çfarëdo të ndodhë në Superiore, formula ka prodhuar kampionat të përgjumur. Ndarja e skuadrave ka pasur ndikimin e vet. Katërshja e parë është konfirmuar dhe kjo e ul rivalitetin.
Nuk mendoni se Elbasani mund të ndërhyjë në këtë katërshe?
Do të dilja këtu. Mund ta bëjë Elbasani këtë ndërhyrjen që thoni ju, por do të jenë shumë të rëndësishme rezultatet e 2-3 ndeshjeve të radhës. Me Dinamon nëse fiton, tregon se mund të jetë pjesë e katërshes. Edhe parametrat i ka si skuadër. Është e plotësuar. Skuadrat e tjera kam mendimin se do të garojnë për mbijetesë deri në fund. Edhe diferenca në fizionomi nuk kanë.
Formula e theksoj që të prish punë, sepse do të presim ne që të na mbushet stadiumi deri në maj. Ka nisur në gusht ndërkohë. Vjet e pamë sa veta shkuan në ndeshjet finale. Ky është vetëm favor i trajnerëve, që bëjnë 4-5 barazime dhe janë të qetë. Me sistemin tjetër, ne me një barazim bëhej nami. Kjo formula në përgjithësi e ka ulur emocionin.
Cilat ju duken pretendentet kryesore për titullin?
Nga katër skuadrat e para, unë them se Egnatia është sërish pretendenti kryesor. Nuk është skuadra e para një apo dy vitesh. Është mbajtëse e titujve dhe po mësohet me trofe. Plus skuadra është shumë e plotë. Shoh edhe Dinamon. Në katërshen e parë këto dy skuadra shoh si më të fortat, më me personalitet. Por edhe Partizani me Vllazninë mund të ndryshojnë gjatë rrugës.
Cilat nga ekipet mendoni se ka bërë më mirë në merkato deri më tani?
Unë e kam në natyrën time që në merkaton e janarit të mos ndërhyj shumë, sidomos me lojtarë që vijnë nga jashtë. Po nuk e njohu mirë trajneri një lojtar, nuk mund ta marrësh në janar. Lëvizjen më të fortë deri më tani mendoj se e ka bërë Egnatia me Fernandon. Unë jam trajner prej 30 vitesh, por ai është një nga mesfushorët me më cilësi që kam trajnuar. Gjithashtu erdhi Dajsinani, portier shumë cilësor. Egnatia po punon mirë. Partizanin, për shembull, e kam parë që ka afruar një bjellorus. Ai mund të bëjë shumë mirë në vazhdim, por mesa pashë, mendoj se nuk mund ta zëvendësojë lehtësisht Carën.
Çfarë përshtypjeje ju lë largimi i katër liderëve të ekipit?
Po flasim për klube shqiptare, jo shumë të fuqishme. Kjo është strategji e klubit dhe nuk e gjykojmë dot. Por për Rrapajn dihej që në verë se do të largohej dhe klubi duhet të ishte përgatitur për të marrë masa për zëvendësimin. Bëhet fjalë për një lojtar shumë të rëndësishëm. Hadroj këtë fazë nuk ka luajtur shumë. Kjo është politikë e klubit, nuk është mirë për trajnerin, por shyqyr që erdhi dita që klubet shqiptare të nxjerrin fitime. E rëndësishme tani është që në merkato të bëhen lëvizjet e duhura. Këtu duket aftësia. Përse Fernando të mos i bashkohej Partizanit? Mund të konsiderohej në vend të Rrapajt. Por Partizani sërish ka organikë dhe lojtarë.
Ju përmendët Fernandon, por ajo çka drejtori Abilaliaj ka dashur të thotë është se klubi do të përpiqet të rrisë lojtarë, jo të synojë emrat e mëdhenj. Deri ku mund t’i çojë kjo strategji?
Drejtori duhet të ketë parasysh se gjithçka është në varësi të rezultateve. Partizani është një klub që kërkon me patjetër titullin kampion. Unë jam dakord të marrë lojtarë të rinj dhe të talentuar, por çdo lëvizje duhet të jetë e alternuar me objektivat dhe kërkesat e klubit. Nuk të fal njeri te Partizani. Iku titulli i vjetshëm, nuk duhet të ikë i sivjetshmi. Tifozët duan trofe. Është klub super i organizuar, me atë kompleks është si ëndërr të punosh. Varet sesi është strategjia, çfarë komunikimi kanë pasur me presidentin.
Si e lexoni deklaratën e fundit të trajnerit Veselinoviç?
Unë jam trajner dhe mendoj se këto janë gjëra që nuk është mirë të dalin publikisht. Trajneri nëse ka pakënaqësi, duhet t’i diskutojë brenda. Nuk e di komunikimin e tij me drejtuesit, por nuk është mirë të dalin këto deklarata, sepse trajneri ka thënë se nuk kam skuadër për kampion. Por a e pranon klubi, presidenti dhe drejtuesit se nuk është për kampion? Nëse pranohet është në rregull, por nuk besoj. Këto gjëra zgjidhen brenda për brenda, jo në mënyrë mediatike.
Trajneri tha edhe se nuk e pyesin për prurjet dhe largimet. Sa e vështirë është të punohet në këto kushte?
Nuk është aspak diçka pozitive. Unë herën e fundit që u largova, isha vend i dytë, kisha mendim të caktuar për një lojtar dhe klubi e mbrojti atë. I dhashë dorën dhe u largova, kaq është. Të thotë trajneri se nuk më pyet drejtori, është e pakuptueshme.
Trajneri duhet të jetë kryesor në afrimin e lojtarëve, gjithnjë në bashkëpunim me drejtorin. Duhet bashkëpunim, por mendoj se vulën e mban trajneri, sepse ai do të mbajë përgjegjësi mbi rezultatet dhe lojën e ekipit. Unë kur isha herën e fundit te Partizani, ndërtova gjithë skuadrën vetë, pa menaxher. Doli super ekip, objektivin e arrita. Unë kur shkoj nëpër ekipe, i kërkoj lojtarët vetë.
Te Partizani kanë mbetur shumë të rinj. Kush duhet të bëhet lideri?
Shoh që kanë vënë Prekën kapiten, ai është lojtar shumë i mirë. Janë gjëra që ata i zgjidhin më mirë, sepse janë brenda. Si lider të ekipit shihja Rrapajn, i cili është shumë i vështirë për tu zëvendësuar profesionalisht. Kjo duhej menduar që në verë.
Tirana u eliminua edhe nga Kupa. Si e përshkruani situatën?
Për mua janë dy skuadra që më kanë zhgënjyer, Tirana dhe Teuta. Të dyja pretendojnë çdo vit për trofe. Dolën shpejt nga objektivat, që në janar. Është e rëndë për të tillë emra. Tashmë i mbetet të luftojnë për mbijetesë. Tirana është zhgënjim i madh të jetë në këto nivele.
Nuk është skuadër e ndërtuar keq, por rezultatet nuk janë të duhurat. Ka raste si Laçi, Elbasani, Dinamo apo Bylisi, ku trajneri ndikon për mirë. Kjo nuk ka ndodhur te Tirana. Eliminimi në Kupë është goditje e madhe. Tirana ka cilësi, nuk duhej të ishte kurrë në këto nivele dhe mendoj se këtij ekipi nuk po i merret maksimumi. E njëjta situatë mendoj se ka ndodhur te Teuta.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL













