EKSKLUZIVE/ Afrimet e janarit te Partizani larg pritshmërive, Gega u bën dalje tre prej tyre (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2025 | 21:35

EKSKLUZIVE/ Afrimet e janarit te Partizani larg pritshmërive, Gega u bën dalje tre prej tyre (E PLOTË)

Partizani po përgatitet për sezonin e ri. “Demat” kanë në fokus Ligën e Konferencës, ku në turin e parë ndodhen në vazon e favoritëve. Skënder Gega po punon me grupin aktual, ndërsa tre sulmues nga edicioni i kaluar nuk bëjnë pjesë në planet e tij.gegaPADSTRELAU, VUJNOVIÇ DHE ELEKE- Tre emra të huaj, që u afruan për repartin ofensiv në merkaton e janarit, nuk janë në llogaritë e Gegës. Tekniku tropojan po ndërton ekipin e sezonit të ri, pasi siguroi Europën dhe e mbylli kampionatin si vend i tretë. Të tre lojtarët në fjalë nuk ishin brenda pritshmërive me trajnerin Gega në krye.

VUJNOVIÇ DHE PADSTRELAU- Partizani afroi dy lojtarë me CV të pasur për Superioren në janar. Dy prej tyre ishin Vujnoviç dhe Padstrelau, që nuk dhanë çfarë pritej në fushën e blertë. Të afruar si pasues të Tedi Carës dhe Arinaldo Rrapajt, presioni dhe përgjegjësitë ishin të mëdha. Vujnoviç dhe Padstrelau numëronin paraqitjet edhe me përfaqësueset e tyre, respektvisht Mali i Zi dhe Bjellorusia, por në fushë nuk bënë diferencën.

BJELLORUSI- Dmitri Padstrelau ishte ndër zyrtarizimet e para të Partizanit në merkaton e dimrit. Në krahun e majtë të sulmit, emri i tij madje u zbulua si përforcim i “demave” para largimit të Carës. Vlera në tregun e “transfermarkt” asokohe ishte 500 mijë euro, ndërsa tani ka rënë në 250 mijë euro. Dhe pse kishte më tepër minuta se Vujnoviç, 26-vjeçari shënoi vetëm dy gola.

MALAZEZI- Nikola Vujnoviç ka si rol natyral qendrën e sulmit, por nuk shënoi asnjë gol. Në total mori minuta në tetë ndeshje, kupë dhe kampionat, ndërsa nuk preferohej si titullar. 28-vjeçari u transferua me vlerësimin në treg 550 mijë euro, ndërsa kishte mbyllur eksperiencën me Sumqajit në Azerbajxhan. Më 31 janar u bë prezantimi i tij, teksa pjesa e dytë e sezonit plotësisht të dështuar ka bërë që vlera të bie në 200 mijë euro.

ELEKE- Sulmuesi nga Nigeria u afrua si lojtar i lirë në fundin e janarit të këtij viti. Dhe pse minutat nuk ishin të shumta për 29-vjeçarin, pasi qëndronte prej disa muajsh pa ekip, Blesing Eleke ia doli të shënojë tre gola me peshë. I pari i dha Partizanit fitoren kundër Skënderbeut(1-2), i dyti solli fitoren ndaj Laçit(1-0) dhe i treti vulosi triumfin përballë Elbasanit(2-0). Me verdheblutë ishte sfida më vendimtare, pasi u sigurua Europa. Duke mos qenë në planet e trajnerit Gega, është vendosur që të mos i rinovohet kontrata.

SKUKA DHE ISGANDARLI- Merkato e Partizanit nisi me dy transferime, që kanë bërë mirë më parë në futbollin shqiptar. Xhuliano Skuka dhe Vusal Isgandarli po punojnë me grupin aktual pasi vendosen të kthehen në Superiore. Rrugëtimi i tyre me Partizanin nis nga Europa ku është i gjithë fokusi kryesor. Të dy janë të projektuar menjëherë për fanellën e titullarit.

TË LARGUARIT ZYRTARISHT- Të tjerë lojtarë që nuk preferoheshin nga trajneri Gega, kanë zyrtarizuar largimin. Bëhet fjalë për elemente në repartet e mbrojtjes dhe mesfushës. Të gjithë janë zgjedhje, pasi dolën jashtë planeve për edicionin e ri që do nisë.

David Domgjoni, Anteo Osmanllari, Gjelbrim Taipi dhe Jozef Mintongo nuk janë më pjesë e Partizanit. Mintongo ndodhej në huazim, që është preferuar të ndërpritet pas përfundimit të sezonit.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL