Egnatia përsërit skenarin, njësoj si një vit më parë
Humbja me Flamurtarin erdhi aty ku nuk pritej, në Rrogozhinë, në një moment kur gjithçka dukej e përgatitur që Egnatia të merrte e vetme kryesimin.

Mirëpo, kampionët nuk arritën të përfitonin nga ndalesat e rivalëve, duke mos shfrytëzuar një mundësi të artë për t’u ngjitur në majë. Një ndalesë që djeg jo pak, pasi në këto faza të kampionatit çdo hap fals ndikon drejtpërdrejt në renditje.
Gjithsesi, pavarësisht humbjes që në çdo situatë lë shije të hidhur dhe tregon se diçka nuk është bërë si duhet, te Egnatia duan ta lënë sa më parë pas këtë ndeshje dhe të përqendrohen te përballja e radhës me Vlorën. Një kundërshtar që po rezulton i vështirë dhe i fortë për kryesueset, çka e bën sfidën edhe më të ndërlikuar. Për këtë arsye, në Rrogozhinë janë të vendosur të mos lejojnë surpriza të tjera të pakëndshme dhe të rikthehen sa më shpejt te fitorja.
KRAHASIMI – Pavarësisht se çfarë ka ndodhur në këto 14 javë të para të kampionatit, gjithçka të çon te ideja se Egnatia po bën sërish “kampionatin e saj”. Kjo për faktin se rrogozhinasit ndodhen pikërisht në të njëjtat pozita si sezonin e kaluar në këtë fazë të garës. Edhe një vit më parë, skuadra nuk po impononte dominim të plotë dhe shpeshherë lëshonte pikë në ndeshje ku pritej më shumë, duke krijuar ndjesinë se nuk ishte më ajo skuadra “makineri” që fitoi titullin e parë historik.
Megjithatë, pavarësisht luhatjeve dhe momenteve të vështira, në fund Egnatia arriti ta menaxhonte sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe e çoi trofeun në shtëpi. Një skenar që aktualisht duket se po përsëritet, me skuadrën që nuk po arrin gjithmonë maksimumin, por që mbetet vazhdimisht në zonën e sipërme të renditjes dhe brenda objektivave. Duke u bazuar te pikët e grumbulluara në këto 14 javë, statistikat flasin qartë në favor të këtij sezoni.
Bardhëjeshilët kanë aktualisht 25 pikë, dy më shumë se në të njëjtën periudhë një sezon më parë, çka tregon se, pavarësisht problemeve dhe hapave fals, skuadra është në një linjë edhe më të mirë numerikisht. Edhe sa i përket pozicionit në renditje, Egnatia ndodhet sërish në vendin e tretë, njësoj si një vit më herët, duke konfirmuar një stabilitet të dukshëm në ecuri. Me pak fjalë, shifrat dhe situata në tabelë tregojnë se rrogozhinasit po e ndërtojnë edhe këtë sezon mbi të njëjtat themele që i sollën suksesin më parë. Edhe pse herë pas here i heqin vetes mundësinë për të qenë në krye, Egnatia mbetet një nga realitetet më të forta të kampionatit dhe një skuadër që di të qëndrojë në garë deri në fund.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













